Budapest – Fino takim me Sztáray: Fokus te integrimi i Shqipërisë në BE dhe marrëdhëniet dypalëshe

TIRANË, 18 mars /ATSH/ Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino, zhvilloi një vizitë zyrtare në Budapest, ku u takua me Sekretarin e Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë, Péter Sztáray.
Gjatë takimit, bisedimet u përqendruan në marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Hungarisë, si dhe në perspektivat e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, në vijim të Presidencës Hungareze të Këshillit të BE-së.
“Gjithmonë kënaqësi të takohem me Sekretarin e Shtetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë, Péter Sztáray. Diskutimi ynë produktiv u përqendrua te marrëdhëniet tona dypalëshe dhe perspektivat e integrimit të Shqipërisë në BE, në vijim të Presidencës Hungareze të Këshillit të BE-së”, shkruan Fino në një postim në rrjetet sociale.
Në kuadër të vizitës, zëvendësministrja Fino mbajti gjithashtu një prezantim në Akademinë Diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë, ku diskutoi mbi procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe iu përgjigj pyetjeve të pjesëmarrësve në një shkëmbim të hapur dhe dinamik.
1 nga 7/a.f/