E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bufon: Mourinjo nuk mund të na e marrë shpresën

Portieri italian i "Zonjës së vjetër" ka besim se ekipi i tij mund të rivalizojë me kampionët në fuqi për të fituar kampionatin e këtij viti.
"Na kanë marrë dy kampionate, nuk mund të na e marrin edhe shpresën." Më në fund vjen edhe përgjigja për Hoze Mourinjon. Xhanluixhi Bufon nga grumbullimi i "Axurrëve" në Koverçano për dy sfidat e Italisë ndaj Gjeorgjisë dhe Bullgarisë, flet mbi luftën për titull. "Është e drejtë që tifozët Juventusit të ëndërrojnë për fitimin e kampionatit. Por duhet të jemi realistë: do të jetë shumë e vështirë. Interi është absolutisht skuadra më e mirë, është një fortesë e vërtetë,"- thotë portieri juventin.
Por ajo që nuk mund t'i hiqet Juventusit është ADN-ja për të fituar. "Çfarë mendova për atë që tha Mourinjo mbi parashikimin e Lipit? Sinqerisht, nuk e kuptova se ku donte të dilte. Pastaj e pashë që u shpjegua. I them vetëm se dy kampionate na kanë marrë, tani duan të na marrin edhe shpresën..."
Bufon flet edhe për skuadrën kombëtare: "Duhet të rigjejmë shpirtin e skuadrës që na mungoi në Kupën e Konfederatave dhe të rigjejmë sigurinë që ka ardhur duke u pakësuar. Këtë mund ta bëjmë vetëm duke luajtur mirë dhe duke fituar." Më tej vijon për Antonio Kasanon: "Lipi i ka shpjeguar gjithçka dhe nuk besoj se ai i ka dyert të mbyllura përgjithmonë. Kombëtarja pranon këdo që kërkon të veshë këtë fanellë. Prej sot dhe deri në kampionatin botëror, për Kasanon mund të ndodhë gjithçka."

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›