E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bufon: “Nuk është ndeshja jonë e fundit”



Italia dhe Franca do të përballen në një ndeshje për jetë a vdekje, nga e cila do të varet në një farë mënyre edhe vazhdimi i tyre në Euro 2008. “Askush nuk dëshiron që Itali-Francë të jetë ndeshja jonë e fundit’, - tha portieri i Italisë, Xhanluixhi Bufon. “Përpara Kampionatit Europian, kjo ishte menduar si ndeshja më e madhe e grupit”. Holanda hodhi poshtë të gjitha parashikimet e Kampionatit, kur mundi fillimisht Italinë 3-0 dhe Francën 4-1 në dy ndeshjet e para të saj. Nëse “tulipanët” do ta lejojnë Rumaninë të fitojë kundër tyre, atëherë Italia dhe Franca do të eliminohen. “Finalistët e sotëm nuk duhet të jenë domosdoshmërish finalistet e së nesërmes” – tha trajneri i Francës, Rajmond Domenek. “Po të ishte kështu, sporti do të ishte shumë bezdisës”. Holanda udhëheq grupin me gjashtë pikë të plota. Rumania është e dyta me dy pikë, ndërsa Italia e Franca kanë nga një pikë. Shpresat e Italisë për të avancuar më tej, bazohen në fitoren kundër Francës dhe të paktën barazimin e Holandës me Rumaninë. Italia mund të kualifikohet edhe nëse barazon me Francën 0-0 dhe Holanda mund 3-0 Rumaninë. Shanset e Francës janë një fitore ndaj Italisë dhe një barazim midis Holandës e Rumanisë. “Gjëja e parë që duhet të bëjmë, - tha Bufon, - është të fitojmë me Francën, pastaj do të shohim çdo të bëhet në ndeshjen tjetër”. Italia dhe Franca kanë luajtur disa nga ndeshjet më të bukura në vitet e fundit. Në finalen e Kupës së Botës 2006, Italia fitoi nga gjuajtjet e penalltive. Italia e Franca janë takuar midis tyre edhe në kualifikueset e Kampionatit Europian. Francezët fituan 3-1 në Paris dhe barazuan 0-0 në Milano. Franca është i vetmi ekip që fitoi rresht Kupën e Botës (1998) dhe Kampionatin Europian 2000, kur mundi 2-1 Italinë me “golin e artë”. Franca gjithashtu mundi Italinë me penallti në çerekfinalet e Kupës së Botës 1998. “Kur Italia luan kundër Francës, ju nuk mundeni ta hidhni poshtë gjithë historinë midis tyre”, - tha Bufon. “Unë mendoj se kjo ndeshje do të jetë si një finale, apo diçka e ngjashme”. “Nëse Rumania fiton, ndeshja jonë nuk ka asnjë vlerë”, - tha sulmuesi francez Tieri Henri. “Por ne duhet ta vendosim veten në pozicionin më të mirë të mundshëm dhe pastaj të shohim se çdo të ndodhë”. Italianët llogarisin ndihmën nga miku i tyre i vjetër, Marko van Basten. Trajneri i Holandës ka qenë shok skuadre me teknikun e Italisë, Roberto Donadoni, te Milani. “Unë mendoj se Van Basten dëshiron të drejtojë një ekip në Itali në të ardhmen, ndoshta te Milani, dhe unë jam i sigurt se ai dëshiron të prezantojë veten me një faqe të ndershme”, - tha ish-trajneri i Italisë, Cezare Maldini.

Kupe: “Nuk është e lehtë të gjesh një Zidan të ri”

Mesfushori francez Frenk Riberi paralajmëroi shokët e tij të përgatiten për një duel për jetë a vdekje kundër Italisë, në ndeshjen e fundit të Grupit C. Dy finalistët e Kupës së Botës 2006 do të përballen në një takim vendimtar për të arritur në çerekfinalet e Euro 2008, pavarësisht se fati i tyre varet nga Holanda. “Do të jetë një ndeshje e nxehtë, shumë e nxehtë”, - tha Riberi. “Do të jetë një ndeshje e vështirë, pasi të dyja skuadrat duan ta fitojnë takimin. Nëse ne nuk do të jemi gati për këtë lloj takimi, atëherë më mirë t’u shtrëngojmë dorën kundërshtarëve tanë përpara se të fillojë ndeshja. Do të jetë një betejë e madhe”. Franca barazoi ndeshjen e parë me Rumaninë (0-0) dhe humbi me Holandën (4-1). Ata pësuan më shumë gola në një ndeshje me Holandën, sesa pësuan në të gjitha ndeshjet e Kupës së Botës 2006. “Ne kemi folur me njëri-tjetrin se asgjë nuk ka mbaruar, se ne kemi ende shanse”, - shtoi Riberi. “Ne nuk duhet të humbasim besimin te vetja”. Lojtarët francezë ndjejnë mungesën e influencës së Zinedin Zidan në Kampionatin Europian. Franca humbi ndeshjen e fundit 4-1 me Holandën dhe i duhet patjetër një fitore me Italinë për të shpresuar për një vend në çerekfinale.
“Na mungon Zizu”, - tha Riberi. “Jemi në një situatë të vështirë dhe na pëlqen të flasim rreth ish-lojtareve. Ai do të ndahej një ditë futbolli, por ne e ndejmë mungesën e tij në ekipin francez. Ne duhet të mësojmë të luajmë ndryshe”. Ndeshja e fundit e Zidan ishte finalja e Kupës së Botës 2006 kundër Italisë, ku fantazisti i madh francez u nxor nga loja pasi goditi me kokë italianin Marko Materaci. Edhe portieri Gregori Kupe mendon se aftësia e Zidan ishte thelbësore për ekipin e Francës. “Ne humbëm një kapiten të madh si Zidan. Nuk është e lehtë të zëvendësosh lojtarin më të mirë në botë”.

Van Nistelroj: "Fitojmë ne"

Të gjitha “kamerat” e Italisë janë fokusuar në kampin holandez. Të gjitha mediat “axurre” kërkojën të motivojnë “portokallinjtë” për të fituar ndeshjen kundër Rumanisë. Trajneri Van Basten është kategorik: “Jemi profesionistë, 23 lojtarë profesionistë”.
Van Nistelroi është më i drejtpërdrejtë, madje gjen kohë të flasë edhe për sulmuesin e Italisë, Antonio Kasano. “Jam i kënaqur që e shoh mirë dhe mund të shprehë sërish gjithçka që ka, të gjithë talentin e tij. Në vitet që ishte te Reali nuk kaloi mirë, por askush nuk e vuri në dyshim klasin e tij”. Van Nistelroi pritet t’i lërë vendin Klas Jan Huntelarit, por këmbëngul. “Dëshirojmë që imazhi ynë të jetëi pastër. Për më tepër që kemi punuar shumë për të arritur në ktë nivel dhe nuk duhet që të zbresim. Kjo ndeshje me Rumaninë do të influencojë edhe për atë të ardhshme”.
Në Holandë mbizotëri teoria e Johan Krujfit: “Të fitosh për të vazhduar të fitosh e të impresionosh kundërshtarët”. Trajneri i Kombëtares së Holandës, Marco van Basten i ka hedhur poshtë të gjitha spekulimet për zhurmën e krijuar në lidhje me ndeshjen kundër Rumanisë. “Ne do të kemi të njëjtin përqendrim dhe e kemi përgatitur ndeshjen me seriozitet. Ne do të hedhim në fushë formacionin më të mirë, pasi dëshirojmë ta mundim Rumaninë”. Me një humbje të Holandës, që tashmë është edhe fituesja e Grupit C, kampionia e botës, Italia dhe nënkampionia, Franca, do t’i jepnin automatikisht lamtumirën Europianit.

17 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›