E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Garda e Car Llazarit”, përgjegjëse e sulmit në Mitrovicë



Përgjegjësia për sulmin e fundit në një stacion policie në Mitrovicë është marrë përsipër nga formacioni paraushtarak serb i vetëquajtur “Garda e Car Llazarit”. Kështu kanë bërë të ditur mediat serbe lidhur me sulmin gjatë të cilit u plagos një pjesëtar i Shërbimit Policor të Kosovës dhe një person i paidentifikuar i cili hapi zjarr në këtë stacion policie. Sipas këtyre mediave sulmuesi është Predrag Gjorgjeviç, serb 28 vjeçar i lindur në qytetin e Zemunit afër Beogradit dhe mendohet se mund të jetë anëtar i “Gardës së Car Llazarit”. Agresori i është afruar stacionit të policisë në pjesën jugore të qytetit të Mitrovicës dhe ka plagosur një oficer policie. Pas këtij veprimi janë kundërpërgjigjur oficerët e tjerë duke plagosur agresorin. Ky formacion ushtarak që mban emrin e një princi mesjetar serb është kërcënuar edhe më herët se do të luftojë kundër pavarësisë së Kosovës. Administrata Ndërkombëtare e ka cilësuar të paligjshme dhe i ka ndaluar çdo veprimtari kësaj garde në territorin e Kosovës.

Drejtësia holandeze filloi procesin gjyqësor për Srebrenicën

Drejtësia holandeze ka filluar dje gjykimin e çështjes rreth kompensimit të familjeve të viktimave të Srebrenicës. Çështja është dërguar në gjykatën holandeze nga familjarë të viktimave.
Të afërm të viktimave kërkojnë kompensim nga Kombet e Bashkuara dhe Holanda për dështimin e trupave holandeze, që vepronin në Bosnjë në kuadër të Kombeve të Bashkuara, për të parandaluar masakrën. Rreth 8000 burra dhe djem boshnjakë u masakruan në Srebrenicë nga forcat serbe. Kjo është cilësuar si masakra më e rëndë në Europë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.

17 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›