Maqedoni, në Parlament do të ulen 30 deputetë shqiptarë
Në Parlamentin maqedonas do të ulen 30 deputetë shqiptarë, ku numrin më të madh do ta ketë Partia Bashkimi Demokratik për Integrim e Ali Ahmetit, e cila doli fituese e zgjedhjeve të përgjithshme nga partitë shqiptare me 18 deputetë. Lajmi u bë i ditur nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor gjatë një konference për shtyp. Partia Demokratike Shqiptare, e cila pretendonte se ishte fituese e zgjedhjeve, do të përfaqësohet nga 11 deputetë dhe Partia për Ardhmëri Europiane do të ketë në Parlament vetëm 1 deputet. Nga partitë maqedonase koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE ka fituar 63 deputetë, Koalicioni i prirë nga LSDM ka fituar 27 deputetë. Në bazë të llogaritjeve të numrit të votave, VMRO-DPMNE ka fituar 481.602 vota, LSDM 233.362 vota, BDI 125.997 dhe PDSH 83.678 vota. BDI-ja rezulton të jetë në avantazh në 6 njësitë zgjedhore. Shtabet partiake të BDI-së dhe PDSH-së nuk kanë dalë me asnjë koment apo të dhëna të reja për procesin zgjedhor. Në tre vendvotime u anulua sërish votimi për shkak të vjedhjes së materialeve zgjedhore. Vëzhguesit e OSBE-ODIHR kanë vlerësuar se raundi i dytë i votimeve në Maqedoni ka pësuar një përmirësim të dukshëm të sigurisë megjithatë përsëri nuk u plotësuan disa nga standardet kryesore. Shkak për mosplotësimin e këtyre standardeve sipas misionit vëzhgues janë bërë ekzistenca e disa incidenteve dhe akteve të dhunës. OSBE-ODIHR ka raportuar se ka patur disa përmirësime të dukshme në procesin e rivotimit çka tregon se incidentet e 1 qershorit mund të ishin shmangur.
Një gjë e tillë është theksuar nga shefi i delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Mevlut Çaushoglu, i cili tha se “siguria dhe atmosfera kryesisht e qetë në ditën e rivotimit, na bënë me dije se ngjarjet tragjike të 1 qershorit mund të ishin mënjanuar”. Çaushoglu tha se në pjesën më të madhe të vendvotimeve kishte kulturë tolerance dhe kjo na bën të shpresojmë se nëse ekziston dialog mes dy partive më të mëdha shqiptare, nuk do të ketë incidente gjatë zgjedhjeve të ardhshme.
Ndërkaq, ambasadori i OSBE-ODIHR-it, Robert Beri, fajësoi institucionet shtetërore për mungesën e angazhimit të tyre për shmangien e dhunës. Ambasadori Beri raportoi se “institucionet shtetërore duhet të bëjnë më shumë dhe të kërkojnë përgjegjësi nga kryesit e akteve të dhunës dhe incidenteve, duke i përfshirë këtu edhe aktivistë të partive politike të cilët ushtrojnë funksione të larta në policinë e vendit”. “Përgjegjësia për incidentet duhet të kërkohet edhe nga zyrtarë më të lartë shtetëror, posaçërisht bëhet fjalë për zëvendësministrin e MPB-së, Refet Elmazin dhe persona të tjerë, por në përgjithësi ekziston paaftësi e institucioneve që hetimet për njerëzit e implikuar në incidentet e zgjedhjeve të shkojnë para pra deri në gjyq”,- u shpreh Beri.
Ryker përfundon mandatin në Kosovë, UNMIK-u do të qëndrojë
Pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës më 15 qershor, shefi i misionit ndërkombëtar UNMIK në Kosovë, Joakim Ryker, ka konfirmuar largimin e tij nga Kosova. Megjithatë ai ka shtuar se misioni i UNMIK-ut do të qëndrojë derisa në fuqi mbetet Rezoluta 12 44. Ryker njoftoi largimin e tij pasi një takimi të përbashkët të krerëve të institucioneve të Kosovës dhe përfaqësuesit të lartë të BE-së, Peter Feith, që u zhvillua dje në Prishtinë, një ditë pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës. Me Rykerin do të largohet edhe zëvendësi i tij, Larri Rosin. “Përderisa rezoluta 12 44 është në fuqi, Kombet e Bashkuara do të kenë rol në Kosovë. Kjo është e qartë edhe nga letra e Ban Ki Munit drejtuar presidentit Sejdiu. Por ne do t’iu përshtatemi në mënyrë të thellë rrethanave që janë krijuar në Kosovë”, - tha Ryker. Gjermani Ryker e mori postin në vitin 2006, pas largimit të diplomatit danez, Soren Jesen Peteresen. Ai ka qenë kryeadministratori i fundit me kompetenca të mëdha në Kosovë. Disa ditë më parë Rusia bëri thirrje për largimin e tij nga detyra e shefit të UNMIK-ut për shkak “të planeve skandaloze” për rikonfigurimin e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar ristrukturim të misionit të UNMIK-ut në Kosovë, pas fuqizimit të Kushtetutës. Pritet që shefi i ri i misionit të rikonfiguruar të UNMIK-ut të jetë diplomati italian, Lamberto Zanieri.
17 Qershor 2008