E Diel, 1 Nëntor 2026

Engel: “Moska dhe Beogradi të mos lejohen të destabilizojnë Kosovën”



“Ndërkombëtarët nuk duhet të lejojnë që Moska dhe Beogradi të destabilizojnë Kosovën”. Kështu është shprehur kongresmeni amerikan Eliot Engel në fjalën e tij të rastit të mbajtur dje në Kuvendin e Kosovës. Engel ka përsëritur përkrahjen e vazhdueshme të SHBA-ve për Republikën e Kosovën, duke theksuar se komuniteti ndërkombëtar duhet ta kuptojë se Republika e Kosovës është e përhershme dhe e qëndrueshme. Në lidhje me kalimin e kompetencave, Engel tha përpara deputetëve kosovarë se: “Misioni i OKB-së në Kosovës tashmë është i përfunduar dhe duhet t’i bartë të gjitha kompetencat te qeveria dhe EULEX-i”. Më pas kryeparlamentari Jakup Krasniqi falënderoi kongresmenin Engel dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e që i kanë dhënë Kosovës.

Bushi udhëzon Kongresin për bashkëpunim me prezencën ndërkombëtare pas Kushtetutës

Marrëdhënie të reja pritet të vendosen pas hyrjes së Kushtetutës në Kosovë mes SHBA-ve dhe prezencës së ardhshme ndërkombëtare. Presidenti amerikan, Xhorxh Bush, iu ka dërguar nga një letër të dy dhomave të Kongresit Amerikan, për t’i njoftuar për nivelin e ri të bashkëpunimit që Ushtria Amerikane do të ketë me prezencën e ardhshme civile ndërkombëtare në Kosovë, pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës. “Kam udhëzuar pjesëmarrjen e forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara në të gjitha operacionet e pranisë ndërkombëtare ushtarake në Kosovë, duke u bazuar në autoritetin tim për të udhëhequr politikën e jashtme të SHBA-ve dhe si Komandant i Forcave të Armatosura”,-është shprehur presidenti amerikan në letër, duke i premtuar Kongresit se do ta njoftojë vazhdimisht për zhvillimet e reja.

Vatikani pa plan për njohjen e Kosovës

Vatikani nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe nuk planifikon ta bëjë këtë dhe për shumë kohë. Kjo ka qenë deklarata e kryetarit të Këshillit Papnor për përparimin e unitetit të krishterë, kardinali Valter Kasper. “Për momentin Selia e Shenjtë nuk e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe në një kohë të afërt nuk planifikon ta bëjë këtë”,-është shprehur Kasper për të përjavshmen ruse “Itogi”, duke iu përgjigjur pyetjes nëse e konsideron të suksesshëm modelin me të cilin Europa e zgjidhi çështjen e Kosovës. Kardinali Kasper, i cili ndodhet për një vizitë private në Rusi, gjatë së cilës është takuar edhe me kreun e Kishës ortodokse ruse Aleksej i Dytë. “Ne e kuptojmë se Kosova është djep i Kishës ortodokse serbe” ka thënë Kasper, i cituar nga agjencitë e lajmeve, duke shtuar se pozicioni i Selisë së Shenjtë është që “të gjitha minoritetet kanë të drejtë për vetekzistencë sociale, fetare dhe kulturore, përfshirë edhe shqiptarët e Kosovës dhe minoritetin serb i cili jeton sot në territorin e Kosovës”.

17 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›