E Diel, 1 Nëntor 2026

Bufon: Shpresoj të arrijmë në çerekfinale

Numri 1 i Italisë, kampionëve në fuqi të botës, mes ëndrrës dhe realitetit

Nga kujtimet e Berlinit, deri në udhëtimin e djeshëm drejt Afrikës së Jugut. Xhanluixhi Bufon, portieri i përfaqësueses italiane ka mbrojtur grupin e lojtarëve me të cilin “axurrët” do të përfaqësohen në Botërorin 2010 dhe shpreson në realizimin e të pamundurës: “Të vetëm kundër të gjithëve, në vitin 2006 arritëm të bashkonim Italinë. Do të më pëlqente që kjo të përsëritej”.

Bufon, sipas jush e mbajnë mend njerëzit që jeni kampionët e botës?

Pas një jave do t’i rifreskojmë kujtesën të gjithë Italisë. Edhe ne, lojtarët e skuadrës, po ia kujtojmë vetes para startit të Botërorit. Kjo shërben për të rritur besimin te forcat tona, por edhe që kundërshtarët të tregojnë më tepër respekt ndaj përfaqësueses italiane.

Po parashikimet, përse nuk ju respektojnë?

Pasi rruga dhe rezultatet e regjistruara pas vitit 2006 nuk bëjnë që ne të paraqitemi si favoritë. Gjithsesi, nuk duhet të harrojmë, se skuadra që gjithmonë cilësohet si më favorite se të tjerat është vetëm Brazili. Mendoj se ndoshta na nënvlerësojnë edhe sepse nuk kemi emra si Mesi apo Kristiano Ronaldo në skuadër.

Sipas jush, trajneri Lipi çfarë po mendon?

Trajnerin e njohin të gjithë: askush nuk duhet të habitet nga mënyra sesi sillet apo si flet. Atij i japin të drejtë trofetë e shumtë që ka fituar në karrierë. Tashmë mund ta sulmojnë vetëm se do të gabojë, nëse do të gabojë. Por, të paktën ai e ka të qartë se çdo zgjedhje e ka bërë sipas ideve të tij.

Po juve, futbollistët, çfarë mendoni?

Ne jemi kureshtarë. E kemi të qartë se ka disa skuadra me “as nën mëngë”, por ashtu si në vitin 2006, forca jonë do të jetë grupi. Në aktivitete kaq të shkurtra kjo ka mjaft rëndësi. Do të ishim edhe më të rrezikshëm, nëse lojtarët më të mirë të Italisë do të arrinin formën optimale.

Jeni vërtet i bindur se grupi ka më shumë peshë se yjet e veçantë?

Jashtëzakonisht. Në 15 vjet karrierë, kjo gjë më është konfirmuar vazhdimisht.

Atëherë përse fitojnë gjithmonë brazilianët, që kanë individualitete të jashtëzakonshme?

Pasi klasi dhe forca e tyre fizike janë në nivele të tilla, që ata mund t’ia lejojnë vetes të mos luajnë detyrimisht mirë në grup. Por, këtë radhë mendoj se duhet të ndryshojnë disi sjelljen në fushë, sepse në të kundërt do të eliminohen si katër vjet më parë.

çfarë do të mjaftonte që të ndiheshit i lumtur?

Logjikisht do të isha i kënaqur nëse do të arrinim deri në çerekfinale.

A ka Italia shanse të përsërisë triumfin e Gjermanisë?

Për të qenë i sinqertë, unë nuk e kisha menduar asnjëherë që mund të shpallesha Kampion i Botës. Që kjo të ndodhë nevojiten miliona koincidenca, saqë në fillim të Botërorit i thua vetes: dreq o punë, nuk do të jem asnjëherë kaq me fat sa të arrij deri në fund. Por, gjithçka lidhet me meritat: pas fazës së grupeve çdo ndeshje është një finale, i ke valixhet gjithmonë gati dhe luan me zemërimin e një personi për të cilin e nesërmja nuk ekziston.

Janë të shumtë ata që mendojnë se skuadra është e vjetër në moshë…

Përfaqësuesja italiane ka ndryshuar pak. Kjo jo sepse Lipi është konservator, por sepse mungojnë pasardhësit.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›