E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndihem më mirë, synoj takimin me Sllovakinë

Andrea Pirlo

“Ndihem më mirë”. Andrea Pirlo shfaqet optimist për aktivizimin e tij në Kupën e Botës 2010. Dëmtimi muskulor që kishte mbajtur në ankth të gjithë Italinë po përmirësohet. Sipas të gjitha gjasave, mesfushori i Milanit nuk do të luajë në sfidat kundër Paraguait dhe Zelandës së Re, por ai do të mundohet të rikuperohet në kohë për ndeshjen e fundit në Grupin F, atë përballë Sllovakisë. “Jam kuruar gjatë këtyre ditëve dhe dhimbja është zvogëluar në mënyrë të dukshme”, pohoi Pirlo. “Tërheqja muskulore në pulpën e majtë po shërohet. Aktualisht, jam shumë optimist, edhe pse do të më duhet të pres edhe pak kohë për të mësuar se kur do të jem i gatshëm të zbres në fushën e lojës”. Ndërkohë, trajneri Marçelo Lipi ka vendosur të mos heqë dorë nga shërbimet e 31-vjeçarit. Gjatë mbrëmjes së djeshme, Pirlo hipi në aeroplanin që ka transportuar kampionët e botës në fuqi drejt Afrikës së Jugut. Menjëherë pas miqësores me Meksikën, drejtuesi i stolit “axurr” deklaroi hapur se “Pirlo është i pazëvendësueshëm”. “Trajneri gjithmonë flet mirë për mua dhe gjatë kësaj periudhe kemi biseduar përditë në telefon”, tha lojtari.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›