E Shtunë, 31 Tetor 2026

Johan Krujf: Anglia e ka të pamundur triumfin

Deklarata Legjenda holandeze jep verdiktin dhe cilëson Kapelon si përgjegjës

Johan Krujf, legjenda e futbollit holandez ka dhënë një verdikt negativ rreth shanseve të Anglisë në Botërorin 2010. Sipas tij, përgjegjës për zhgënjimin e “Tre Luanëve” do të jetë trajneri Fabio Kapelo. 63-vjeçari mendon se problemi i futbollit britanik lidhet kryesisht me ndikimin që po ushtrojnë trajnerët italianë: përveç emërimit të Kapelos në krye të përfaqësueses, ai është shprehur edhe kundër transferimeve të Roberto Mançinit dhe Karlo Ançelotit në klubet e Premiershipit. Krujf shprehet se tre teknikët janë përgjegjës për mentalitetin, ku rëndësi ka vetëm rezultati. “Me Kapelon në krye të stolit, e gjithë bota e ka të qartë sesi do të luajë përfaqësuesja angleze. Në Angli është krijuar një situatë shumë e çuditshme”, deklaroi ai për “The Mirror”. “Trajnerët italianë po ndikojnë në filozofinë e lojës së këtij vendi që prej emërimeve të Ançelotit, Mançinit dhe Kapelos. Tashmë, futbolli anglez është bërë mjaft i ngjashëm me atë italian. Mentaliteti ka ndryshuar dhe atyre u intereson vetëm rezultati. Pas dështimit në Botërorin 2006, mendoj se tani Anglia duhet të paraqitet si një skuadër spektakolare, por kjo është thjesht e pamundur me një trajner si Kapelo”.

Njeriu që shpiku “futbollin total”, cilëson si kandidate për Kupën e Botës skuadra që praktikojnë futbollin spektakolar, si Spanja, Brazili apo Argjentina. Në anën tjetër, Krujf nuk i ka kursyer kritikat për përfaqësuesen e vendit të tij, Holandën. “Nëse Spanja do të arrijë të shfaqë kualitetin e saj në fushën e lojës, atëherë mendoj se kjo skuadër mund të aspirojë për të arritur një sukses të madh. Megjithatë, ata duhet të përmirësohen pas çdo ndeshjeje dhe të tregojnë se nuk e vuajnë rritjen e presionit. ‘Furia e Kuqe’ duhet të tregojë të njëjtën krenari dhe cilësi loje si në Euro 2008, në mënyrë që të triumfojnë edhe në Kupën e Botës”, shtoi ai. “Për sa i takon Argjentinës do të thosha se nuk është e drejtë që skuadra dhe i gjithë vendi të shpresojnë vetëm te Lionel Mesi. Mënyra e tyre e lojës dhe skuadra duhet të jenë kompakte dhe të bëjnë ndryshimet e nevojshme, në mënyrë që puna e Mesit të mos shpërdorohet. Brazili ka një skuadër jashtëzakonisht të talentuar, por tashmë ata shfaqen me karakteristika të ndryshme: me një portier të madh, me mbrojtje solide dhe me stil europian loje. Ndoshta ky do të jetë një problem. Për mendimin tim, në Afrikën e Jugut është Spanja ajo që do të luajë rolin që tradicionalisht në Kupën e Botës e ka pasur Brazili. Sa për Holandën, mund të them se skuadra përbëhet nga mjaft lojtarë të mirë, por problemi është se yjet nuk luajnë në kampionatin e vendit tonë. Skuadra e ka të pamundur që të përmirësohet në terma afatgjatë, për sa kohë që lojtarët më të mirë aktivizohen në kampionate të tjera”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›