E Diel, 1 Nëntor 2026

Bufon, i sigurt: Titullin e fiton Milani

"Juvja është një klub i madh, e kam pritur me ankth ardhjen time në Torino. Pas Gjermanisë dhe Spanjës kjo është një aventurë e madhe për mua, shpresoj të paraqitem mirë." Kanë qenë këto fjalët e para të Kristian Poulsenit, i cili u prezantua dje nga Juventusi në Torino. Mesfushori danez mezi pret t'ia heqë vetes imazhin negativ, me të cilin njihet në Itali. "Mezi pres që publiku italian të më njohë më mirë, - shpjegoi ai. - E çmoj Gatuzon për atë që ka thënë për mua, pra që kam pasur guxim të vij në Itali, pas polemikave të së kaluarës. Shpresoj ta ndryshoj imazhin që kanë krijuar shumë veta për mua në Itali. Nuk jam një lojtar që bën shumë faulla, roli im si mesfushor me karakteristika mbrojtëse kërkon njëfarë ashpërsie, por në dy vitet e fundit

në Spanjë kam marrë vetëm disa kartonë të verdhë dhe asnjë të kuq."

Kapitulli "Toti".

Poulseni është gati ta mbyllë një herë e mirë gjithë çështjen e pështymës në europianin portugez. "Ka qenë një rastësi që disa episode të karrierës time kanë ndodhur me lojtarë italianë apo që luajnë në Itali, - tha ai. - Por nuk dua të flas më për episodet e së shkuarës, duke filluar nga ai me Totin. Do t'ia jap dorën atij kur ta takoj, nuk kam asnjë problem me të." "Ndihem i lumtur që Juvja më ka zgjedhur mua midis shumë lojtarëve europianë, - përfundoi ai. - Uroj që herët a vonë të gjithë të më çmojnë dhe të ndihen të kënaqur për

ardhjen time në Torino. Di se kemi nga dy lojtarë në çdo rol dhe se do të ketë shumë konkurrencë për një vend në fushë. Unë nuk kam kërkuar asnjë garanci, sepse e di se duhet ta meritoj vendin tim."

Blank - Blanku e ka konsideruar të mbyllur seksionin e merkatos së Juves. "Me ardhjen e Poulsenit merkatoja jonë, për sa u takon blerjeve, është mbyllur, - tha ai. - Do të vijë e shumta edhe një portier i dytë. Kishim shumë muaj që e dinim Poulsenin, ashtu sikurse edhe disa lojtarë të tjerë. Urojmë që të zhvillojmë një kampionat të madh; dy vite më parë, pas Calciopoli-t, thashë se do të ishin dashur 5 vite për të rindërtuar një skuadër të fortë si ajo që kishim pasur deri në atë moment. Por kjo nuk do të thotë se nuk mund të fitojmë menjëherë. Sivjet ne duam të fitojmë diçka, qoftë ky titull apo

kupë!"

BUFON - Në stërvitjen e Juventusit dje e ka pasur radhën për të folur Xhianluixhi

Bufon. Portieri bardhezi ka folur për titullin, Championsin dhe kundërshtarët e sezonit. "Sipas meje, titullin do ta fitojë Milani, - ka shpjeguar 30-vjeçari. - Të mos luash në Champions është epërsi e madhe. Interi? Duhet parë se sa efekt do të ketë ardhja e Mourinjos. Ne vitin e shkuar erdhëm nga Seria B, kishim shumë stimuj, që nuk mund t'i kemi këtë vit. Duhet të jemi të aftë të kërkojmë të tjerë." Për sa u takon shokëve të rinj,

Bufoni nënvizoi: "Mendoj se Amauri i ka aftësitë për t'u përshtatur te Juvja. Për sa i përket Kristian Poulsenit, ndoshta danezi nuk i ka cilësitë e Amaurit, por është një nga ata lojtarë që e forcojnë skuadrën".

Sokol KONDI

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›