Bugajski: BE do jetë më rigoroze me anëtarësimet
Në një intervistë ekskluzive dhënë për NTV, Janusz Bugajski, shefi i projektit për Demokracinë e re në Evropë dhe një ndër analistët më të njohur, foli për zhvillimet e fundit në Shqipëri, marrëdhëniet mes Rusisë dhe SHBA, si dhe impaktin e zgjedhjeve presidenciale në Ballkan dhe në Evropë. I pyetur nga gazetari Blerim Kola se si e sheh Shqipërinë në ditët e sotme, zoti Bugajski tha se zhvillimet e Shqipërisë, si MSA, hyrja në NATO dhe marrëdhëniet me SHBA, janë fakte të pamohueshme. Por, duke theksuar nga ana tjetër se BE kërkon më shumë reforma në politikë, ekonomi, si dhe luftë më madhe ndaj krimit dhe korrupsionit në vend. Takimet e Bugajskit me krerët e politikës shqiptare u fokusuan në politikën e jashtme që po ndjek Shqipëria dhe zhvillimet e fundit në arenën ndërkombëtare. Por jashtë temës së intervistës nuk mbetën zgjedhjet presidenciale në SHBA. “Obama-McCain paraqesin pak a shumë të njëjtën situatë. Në një anë kemi McCain, i cili ka një politikë shumë konstruktive në lidhje me zgjerimin e NATO-s, dhe po ashtu në favor të Ballkanit. Nga ana tjetër kemi Obamën, i cili po ashtu ka instrumente, të cilat përfshijnë dhe Kosovën, edhe NATO-n. Në lidhje me këtë, kushdo që fiton do të jetë pozitiv për Ballkanin”, - tha Bugajski. Por ajo çfarë është shqetësuese për analistin rus, i cili është një nga ekspertët më me emër në çështjet e gjeopolitikës, është fakti se Rusia kërkon të jetë superfuqia botërore
Zoti Bugajski, faleminderit që pranuat intervistën!
Ju falënderoj për ftesën!
Zoti Bugajski, kanë kaluar rreth 18 vjet që nga rënia e komunizmit në Shqipëri. Si e vlerësoni progresin e Shqipërisë në ditët e sotme?
Kush do ta mendonte 18 apo 20 vite më përpara që Shqipëria do të ishte një anëtare e NATO-s dhe tashmë ky është një fakt. Kush do ta mendonte që Shqipëria do futej në procesin për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian dhe një gjë e tillë po ndodh, apo kush do ta kishte imagjinuar që Shqipëria do të kishte marrëdhënie të ngushta me SHBA, të cilat tashmë i ka. Duke u nisur thjesht nga këto fakte duket se Shqipëria ka bërë një përparim të dukshëm. Por nuk duhet mohuar që ka ende shumë rrugë përpara, duhet të bëhen shumë reforma për të qenë plotësisht e kualifikuar për Bashkimin Evropian, të luajnë një rol më të madh në rajon dhe të rrisin standardet e jetesës. Por sërish theksoj se ka ende shumë punë për t’u bërë.
Zoti Bugajski, ju patët disa takime me politikanët shqiptarë. Cilat ishin çështjet që diskutuat?
Ishin kryesisht çështje të jashtme. Politikanët shqiptarë ishin të interesuar për zgjedhjet në SHBA. Çfarë impakti do të ketë presidenti i ardhshëm në marrëdhëniet amerikano-shqiptare, politikat ndaj rajonit, si dhe në marrëdhëniet transatlantike. Të them të vërtetën është diçka pozitive që politikanët shqiptarë janë të interesuar për zhvillimet botërore, si dhe rolin që kanë Shtetet e Bashkuara.
Duke qëndruar te zgjedhjet në SHBA. Cili nga kandidatët në SHBA mendoni se është më i favorshëm për interesat e Ballkanit?
Mendoj se paraqesin pak a shumë të njëjtën situatë, në favor të Ballkanit. Në një anë kemi McCain, i cili ka një politikë shumë konstruktive në lidhje me zgjerimin e NATO-s, forcimi i Aleancës, përfshirja e anëtarëve të rinj, po ashtu ai ka paraqitur një politikë shumë të mirë ndaj Ballkanit. Nga ana tjetër kemi Joe Biden së bashku me kandidatin Obama, i cili ka qenë një ndër lojtarët kyç në Uashington për një politikë konstruktive ndaj Ballkanit, duke përfshirë pavarësinë e Kosovës, anëtarësimin në NATO të Shqipërisë. Pra, me një fjalë, është një situatë e favorshme nga të dyja krahët, pra kushdo që të fitojë do të jetë diçka pozitive për Ballkanin.
Le të kalojmë në një çështje tjetër. Sipas jush, cilat janë interesat e Rusisë në Ballkan?
Interesi i Rusisë është që ta rrisë veten e saj si një superfuqi. Ajo po përpiqet që të zhvendosë ndikimin amerikan në Evropë. Po përpiqet që të shpërbëjë Bashkimin Evropian për të rritur influencën e saj në të gjithë këtë kontinent. Dhe për këtë ajo përdor energji, përdor biznese, diplomaci, përdor kërcënime, ashtu siç e pamë. Ajo gjithashtu përdor agresionin si në Gjeorgji. Me një fjalë Rusia ka një plan afatgjatë, pastaj është çështje tjetër, nëse mund ta çojë deri në fund apo jo, por dihet që ajo tashmë ka një plan për t’u rikthyer në një superfuqi.
A mendoni se Rusia do ta njohë Kosovën?
Mendoj se të gjithë do e bëjnë herët a vonë. Dua të them është një realitet, një fakt i jetës, dhe ti duhet të mësohesh me faktet e jetës, pasi një gjë e tillë nuk mund të mohohet. Por Rusia nuk do e pranojë shumë shpejt, ajo do jetë një ndër vendet e fundit që do e pranojë. Rusia po e përdor Kosovën si një motiv përçarës në Ballkan, në Evropë e më gjerë, si edhe për të rritur ndikimin e tyre në Serbi. Pra, është një oportunitet, le ta quajmë kështu, për Rusinë që të rrisë influencën e saj.
Gjykata Ndërkombëtare e Hagës do të rishqyrtojë ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Sipas jush, cili do të jetë rezultati?
Nuk mendoj se do të rishqyrtojë çështjen e ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës. Mendoj se thjesht do të ofrojë një opinion. Gjithsesi, unë kam një pyetje: Çfarë është ligji ndërkombëtar? Kush e bën këtë ligj? Kur ne e dimë shumë mirë se ka shumë vende në Kombet e Bashkuara, të cilat nuk zbatojnë ligjet vendase. Për çfarë po flasim këtu? Ligjet bëhen nga politika, nga pushteti dhe nga realiteti. Dhe në të tria këto raste Kosova kualifikohet si e pavarur.
Ju tashmë e dini që Bosnja po kthehet në një problem për Ballkanin në ditët e sotme? Si e gjykoni ju këtë?
Bosnja është një problem, pasi ende nuk është integruar plotësisht si një shtet i vetëm. Ka probleme për të realizuar kriteret për stabilizim-asociimin, të cilat janë hapat e parë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Gjithashtu ka probleme të mëdha kushtetuese në termat e përgjegjësisë dhe pushtetit. Ka një rrezik që Bosnja mund të vazhdojë të copëzohet në dy pjesë. Dhe ky është një rrezik që ndërkombëtaret duan ta shmangin, pasi përbën rrezik për Ballkanin.
Maqedonia nuk e mori ftesën për në NATO, për shkak të mosmarrëveshjeve që ka me Greqinë në lidhje me emrin. Cila do të jetë zgjidhja e këtij problemi?
Sigurisht që ka një zgjidhje. Është kompromisi për një emër të kompozuar që iu shkon për shtat të dyja palëve, si për shembull Maqedonia e Re, Maqedonia Jugore etj. Pra një lloj kompromisi i Maqedonisë, i cili do të qetësonte grekët, të cilët në fundit të fundit janë anëtarë të NATO-s dhe anëtarë të Bashkimit Evropian. Mendoj se pa një kompromis do të jetë e pamundur për Maqedoninë që t’i bashkohet NATO-s dhe Bashkimit Evropian dhe kjo mund të krijojë disa probleme të brendshme dhe madje edhe probleme rajonale.
Duke folur për Shqipërinë, cilat mendoni se janë sfidat, me të cilat do të përballet politika shqiptare, kam parasysh stabilitetin politik për sa i takon integrimit në NATO dhe Bashkimin Evropian?
Kur flasim për stabilitetin politik, më lejoni t’ju them se gjithmonë para zgjedhjeve ka një destabilitet politik. Edhe vendet më demokratike në botë kalojnë në të njëjtën situatë, kështu që nuk është për t’u habitur. Çështja është se a po punojnë institucionet dhe a janë ato të qëndrueshme. Së dyti, ju siguroj se Bashkimi Evropian do t’i kushtojë më shumë rëndësi luftës dhe masave ndaj krimit dhe korrupsionit, pas zhgënjimit që patën me Bullgarinë, kur ajo u bë pjesë e familjes evropiane. Pra, mendoj se Shqipëria do të përballet me disa standarde rigoroze, përpara se të bëhet anëtare me të drejta të plota e Bashkimit Evropian.
Duke qëndruar te Bullgaria, a mendoni se procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian është më shumë një vendim politik sesa një proces që ka të bëjë me arritjet kundër korrupsionit apo ato ekonomike?
Është pjesërisht një vendim politik. Anëtarësimi në NATO është një vendim politik. Anëtarësimi në Bashkimi Evropian është një përzierje e plotësimit të kritereve dhe një vendim strategjik politik. Mendoj se tani është çështje e plotësimit të kritereve, do të jetë më rigoroz, pasi Komisioni kërkon standarde më strikte ndaj çdo vendi që do t’i bashkohet Bashkimit Evropian.
Flasim për Gjeorgjinë. A mund të shkojmë drejt një Lufte të Tretë Botërore, apo edhe mbase drejt një Lufte tjetër të Ftohtë?
Jo nuk mendoj se do të ketë një Luftë të Ftohtë, madje më lejoni t’ju them se në shumë mënyra është më e rrezikshme se Lufta e Tretë. Sepse në një Luftë të Ftohtë është e qartë se kujt i përket secila gjë. Rusia mendon se disa vende i përkasin asaj, ndërkohë që në të vërtetë ato i përkasin Perëndimit. Kështu që kjo gjë e bën më të komplikuar dhe në disa raste shumë më të rrezikshme. Ne duhet të bashkëpunojmë me Rusinë në disa çështje. Rusia nuk mund të izolohet, është pjesë e ekonomisë globale, është pjesë e strukturës globale politike Ajo është e pjesë e botës, pjesë e ekonomisë dhe politikës, por, nga ana tjetër, duhet të veprojë në bazë të standardeve, në bazë të të cilave vepron edhe Perëndimi.
Cilat janë detyrat konkrete që Shqipëria duhet të realizojë për t’u integruar sa më shpejt?
Shqipëria po ecën në rrugën e anëtarësimit. Nuk e di me saktësi se në sa prej tyre, por ajo është shumë afër në disa pika që duhen për t’u kualifikuar. Mendoj se duhet të ketë një fushatë më rigoroze në luftën kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar, bashkëpunimit rajonal për të luftuar kriminalitetin. Dhe gjithashtu kërkon standardet qeveritare. Bashkimi Evropian kërkon që të ketë institucione të forta dhe tashmë tani kërkon përgjegjësi më të madhe financiare. Kjo është një çështje tjetër që do t’i kushtohet më shumë rëndësi si rezultat i krizës financiare. Me fjalë të tjera: A po funksionojnë ashtu siç duhet bankat? Cili është roli i qeverisë në këtë drejtim....?
A mendoni se kriza financiare do të ketë ndikimin e saj edhe në Shqipëri?
Unë mendoj se kriza financiare do të ketë ndikim në shumë vende. Në qoftë se ju keni banka që janë pjesë e bankave të mëdha në Austri, Itali apo Gjermani, likuiditeti i bankave qendrore, funksionimi i tyre do të ketë një impakt edhe këtu në Ballkan, në Shqipëri dhe sigurisht që kjo do të ketë efekte në kredi si edhe në furnizimin me para.
Zoti Bugajski nëse keni ndonjë për të shtuar, të cilën nuk e përfshiva në pyetjet e mia?
Jo nuk besoj, ju i mbuluat të gjitha çështjet.