E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të fitosh miliona prej … makinave e mushkërive tona!!!

Nga Shpëtim Luku

Sikur qeveria t’i përmbahej me konsekuencë programeve të saj, atëherë duke filluar nga 1 janari i vitit 2009, një sërë zhvillimesh pozitive do të shoqëronin tregun e karburanteve dhe të gjithë pjesët e tjera që lidhen me të. Këto zhvillime do të ishin kryesisht rrjedhojë e përmirësimit të cilësisë së produktit, pasi në bazë të një vendimi qeverie të datës 21.03.2007 është parashikuar vendosja e standardeve të reja të cilësisë së karburanteve. Konkretisht është parashikuar që përmbajtja e squfurit në lëndën djegëse për motorët diesel nuk lejohet të kalojë normën e 350 mg/kg. E thënë me fjalë të tjera, ky vendim nxjerr jashtë lojë atë lloj nafte që në Shqipëri etiketohet si D2, për arsyen e thjeshtë se përmbajtja e squfurit në 1 kg i kalon 500 mg. Mirëpo kjo do të thotë që kompanitë importuese të karburanteve të privohen nga importimi dhe tregtimi i një sasie të konsiderueshme malli.

Megjithatë, importuesit kryesorë janë sy e veshë nga qeveria në pritje të një lajmi të mirë prej saj, që konsiston pikërisht në përmbushjen e një kërkese që ata i kanë drejtuar Ministrisë së Ekonomisë dhe Kryeministrisë. Kërkesa lidhet me faktin që importuesit kërkojnë shtyrjen edhe për një vit të vendimit që është parashikuar të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm. Njëlloj sikurse qeveria veproi në rastin e ARMO-s, kur, duke parashikuar domosdoshmërinë e realizimit të investimeve, me qëllim përmirësimin e cilësisë së produktit, i dha edhe një vit kohë tregtimi të naftës D2 pronarit tashmë privat të saj.

Për grosistët e karburanteve situata është më se e qartë. Nëse nuk merret parasysh kërkesa e tyre, atëherë kemi të bëjmë me një monopol të pastër të krijuar prej këtij vendimi. Këtë e vërtetojnë edhe shifrat e deritanishme që tregojnë strukturën e tregut të karburanteve. Prodhimi vendas i naftës ka pasur kuota tregu që janë luhatur nga 25-30 për qind të totalit të tregut. Çka do të thotë se, nëse i gjithë konsumi i karburanteve luhatet në 550-600 mijë tonë në vit, 140-150 mijë tonë në treg kanë përfaqësuar pikërisht produktin e ARMO-s. Po qe se vendimi i qeverisë hyn në fuqi më 1 janar 2009 vetëm për kompanitë private importuese, atëherë automatikisht ARMO ka fituar 25 për qind të tregut pa asnjë konkurrencë, ndërkohë që edhe rreth 20 për qind të tregut sundohet nga pronari i ri i ARMO-s nëpërmjet aktivitetit aktual të tij. Pozita e ARMO-s në treg mund të përforcohet në kushtet e mungesës së konkurrentëve të saj.

Por asnjë garanci nuk ka edhe sa i takon arritjes së atyre objektivave që synon vendimi i qeverisë. Pra, i përmirësimit të cilësisë së produktit, për rrjedhojë edhe i cilësisë së ajrit, apo jetëgjatësisë së makinave. Në kushtet kur kemi të bëjmë me një Inspektorat Teknik të Karburanteve jo fort kompetent dhe kredibël, tregtuesit privatë të karburanteve fare thjesht mund ta konsideronin ARMO-n si bazë grosiste për ta. Ndaj nga pompat e distributorëve do të vazhdojë të rrjedhë edhe për shumë kohë naftë D2, e maskuar si naftë e tipit “eurodiesel”.

Çfarë pluhuri kemi “ngrënë”!!

Më të lumturit dhe ata që duhet të lusin që vendimi të hyjë në fuqi një orë e më parë duhet të ndjehen vetë qytetarët. Pasi ulja e normave të përmbajtjes së squfurit nuk është gjë tjetër veçse pakësim i sasisë së “pluhurit” që ka përfunduar nga marmitat e makinave te mushkëritë e tyre. Vetë dinamika e uljes së normativës së përmbajtjes së squfurit deri në vitin 2011 nga 550 mg/kg në 350 mg e pas këtij viti 10 mg/kg nuk tregon gjë tjetër veçse faktin se tregu i karburanteve iu ka shumë borxhe qytetarëve, për sa i takon cenimit dhe dëmtimit të shëndetit të tyre. Vendimi i qeverisë ndërmerret me qëllim standardizimin e legjislacionit “Për mbrojtjen e ajrit nga ndotja” me atë të BE, mirëpo fakti që ai hyn në fuqi vetëm në vitin 2009, e ndoshta në vitin 2010, nëse shtyhet, tregon se qytetarët shqiptarë janë konsideruar nga politika dhe qeveritë si qytetarë pa rëndësi, aspak të ngjashëm me qytetarët e vendeve evropiane. Tregtimi i karburanteve pa cilësi e standard është shoqëruar ndërkohë edhe me një sërë procesesh të tjera negative, përveç shëndetit të dëmtuar të popullsisë. Duke gëzuar dyshimin e përhershëm të konsumatorëve, vetë këta të fundit janë orientuar drejt makinave me një moshë mbi 10-vjeçare, manovër kjo e diktuar nga logjika: shpenzo sa më pak për një makinë, kur nuk di se çfarë karburanti i hedh. Kjo ka sjellë faktin e padëshirueshëm që pjesa më e madhe e inventarit të automjeteve në Shqipëri të dominohet nga kjo grupmoshë. Edhe politikat reformuese në sektorin e tregtimit të makinave kanë qenë të kushtëzuara, pikërisht nga cilësia e dyshuar e karburantit. Pra, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, tregtarët e makinave në përgjithësi, e atyre të reja në veçanti, përbëjnë grupin e dytë të njerëzve që duhet të ndjehen të kënaqur nga përmirësimi i cilësisë së karburanteve, pasi kjo do të bëjë të mundur edhe realizimin e reformave në këtë sektor.

Standardizimi i cilësisë së karburanteve me normativat e BE do të shoqërohet së shpejti edhe me adoptimin e politikave të tilla të ndjekura në BE në tregun e makinave, sikurse është p.sh., vendosja e standardit Euro 4 apo Euro 5. E si mund të kryhej më parë ky hap, kur në Shqipëri tregtohej dhe tregtohet kryesisht diesel i përshtatshëm për traktorë e peshkarexha, për kaldaja e kamionë?

Si mund të ndërmerreshin hapa të tillë, kur eurodiesel-i, që konsiderohet si naftë cilësore zë vetëm 10-15 për qind të tregut?

Bilanci i hidhur, që konsiston në fitimin e milionave në kurriz të mushkërive e makinave tona, është i destinuar të rritet të paktën edhe me koston e një viti. Shtyrja e afatit të hyrjes në fuqi të vendimit të qeverisë për ARMO-n, por që në mënyrë të logjikshme pritet inkludojë edhe kompanitë private, do të thotë se edhe për një vit, deri në 2010, qytetarët shqiptarë do të thithin ajër të bombarduar me afro 550 mh/kg squfur, ndërkohë që kjo masë duhej të ishte përgjysmuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›