E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trushpëlarësit e Trushpëlarët!

Nga Inida Gjata ZHAKU

Nga Kuvendi, jo vetëm asnjë e re rreth Kodit Zgjedhor, por është shtyrë edhe afati i përfundimit të hartimit të tij.

Partitë politike, sidomos 2 më të mëdhatë, e shfrytëzojnë këtë vakuum ligjor për të shpërdoruar paratë e taksapaguesve në fushata elektorale, gati një vit përpara zgjedhjeve.

Kryeministri prodhon spote, sikurse edhe qeveria, nëpërmjet të cilave “bëjnë me dije” publikun votues rreth arritjeve gjatë këtij mandati.

Kryetari i bashkisë, gjithashtu.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, meqë është edhe kryetar i opozitës, shfrytëzon fondet e bashkisë për të arritur qëllimin e tij si pretendent për Kryeministër i ardhshëm i Shqipërisë.

Kryetari i Partisë Demokratike, njëkohësisht edhe kryeministër, me paratë e buxhetit të shtetit, turret nga qyteti në qytet e nga katundi në katund, duke shpëlarë tru “varfanjakësh” me parulla politike.

Kryetari i opozitës, njëkohësisht edhe luftues i politikës së vjetër e përkrahës i politikës së re, rend e iu thotë fshatarëve se do t’i bëjë qytetarë, pa asnjë plan konkret. Siç do t’i kishte hije një politikani të ri.

Kryetari i mazhorancës, njëkohësisht i konsideruar nga përkrahësit e politikës së re si përfaqësues i demagogjisë së vjetër, premton, siç ka bërë gjatë gjithë ekzistencës së tij, se do ta ndryshojë realitetin. Dhe për këtë do shfrytëzojë paratë e grumbulluara gjatë mandatit të vjetër. Pra, kërkon një mandat të ri për ndryshimin e premtuar që në mandatin e vjetër.

Kryetari i opozitës gjithashtu premton se do ta shpëtojë Shqipërinë nga bataku i vjetër, por nuk ndjek asnjë strategji të re për të arritur këtë qëllim.

Ndërkohë, Kodi Zgjedhor nuk është hartuar ende.

Në Kodin Zgjedhor, i cili ndryshon sa herë që ka zgjedhje, përveç logjistikës së bërjes së fushatës elektorale, e cila nuk duhet të kish nisur ende përpara mbërritjes së Vitit të ri, do të përcaktohet edhe buxheti që do t’iu vihet në dispozicion partive politike për realizimin e fushatës.

Megjithatë, fushata ka kohë që ka nisur. Me paratë e rrugëve, të shkollave, të reformave, të qytetarëve, politikanët tregojnë arritjet e tyre nëpërmjet disa spoteve publicitare, të cilat, megjithëse presupozohet të jenë ndryshe nga njëri-tjetri, janë identike.

Ai që pretendon një politikë të re, ndjek strategjinë e atij që prej kryetarit të opozitës konsiderohet si përfaqësues i mendësisë së vjetër politikëbërëse.

Kryetari i mazhorancës fushatën që po bën, e konsideron si Njoftim! Për qytetarët.

Kryetari i bashkisë, i cili prej kohësh prej angazhimeve si kryetar i opozitës e kish braktisur punën e tij të vjetër në emër të detyrës së re, e konsideron fushatën që ka nisur të bëjë si Detyrim (!) ndaj qytetarëve.

Kryetari i mazhorancës flet me shifra të mëdha. U premton shqiptarëve se në mandatin tjetër do të shpenzojë miliarda.

Kryetari i opozitës flet me përbuzje rreth udhëheqjes së deritanishme, duke premtuar se do të ndryshojë çdo gjë! Edhe majat e flokëve. Edhe të thonjve.

Askush nuk dëgjon prej askujt, se nga, e si, e qysh, e tek do të vijë ky ndryshim?!

Plane?!

Projekte konkrete?!

Arsimin si do ta ndreqë?! Si?! Konkretisht?!

Punësimin?! Si?!

Pagat, infrastrukturën?!!

Të gjithë premtojnë se do të jetë ndryshe, por askush nuk ndjen asnjë detyrim t’iu japë llogari votuesve për dështimet e deritanishme e për projektet e mëtejshme.

Votuesit janë nga më të ndryshmit. Të gjithë kanë halle nga më të ndryshmet, ama taksat përpiqen t’i paguajnë një më një për hir të një jete më të mirë. Por, demagogjinë pas gjithë këtyre viteve eksperiencë si trushpëlarë janë në gjendje ta dallojnë nga një projekt konkret, të cilin, edhe pse nuk e kanë parë ndonjëherë me sy, apo dëgjuar ndonjëherë me veshë prej politikanëve të rinj apo të vjetër, e imagjinojnë se si mund të jetë. Të paktën e dinë se ka shumë pak fjalë e shumë konkretësi.

Demagogjia ka prodhuar një kryetar mazhorance, i cili është njëkohësisht edhe kryetar i një qeverie që dështimet e saj i fsheh pas reklamimit të “shpatullave heroike” të Luftës kundër Korrupsionit

Demagogjia gjithashtu ka prodhuar një kryetar opozite, i cili reklamon si sukses gjelbërimin e një kryeqyteti të pistë e të zaptuar nga kaosi urban!

Kod Zgjedhor nuk ka ende.

Kur të ketë Kod Zgjedhor, fushata që deri më tani është krejtësisht e jashtëligjshme dhe abuzive, do të shndërrohet në një betejë të vërtetë.

Beteja do të kushtojë miliona të tjerë, por atëherë do të jenë të ligjshme.

Diferenca midis politikës së vjetër edhe asaj të re as me këto milionat ekstra (në valutë) nuk do të kuptohet.

Kryetarët e partive do të ndjekin të njëjtat rrugë të vjetra, duke përfituar nga strapacimi i votuesve për të paguar çdo taksë që iu vë shteti e që për pjesën më të madhe të popullsisë janë shumë më të larta se burimet financiare të familjeve të tyre.

Kryetarët e partive, pa asnjë projekt të qartë, të saktë e bindës do të luftojnë njëri-tjetrin me fjalë e do të përfitojnë sërish nga ky popull!

Populli ndërkohë, një pjesë e madhe e të cilit për të paguar fushatat elektorale, ngel në fund të pesëmbëdhjetëditëshit pa asnjë kacidhe, do të votojë për të keqen më të vogël, siç ka bërë gjithmonë.

E kështu do të vijojë historia tragjikomike e një populli trushpëlarë si ky i yni, i cili, sa më shumë kalon koha, harron se ajo çfarë i takon me LIGJ është SHQIPËRIA!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›