Indiferentë ndaj ish-kryeprokurores
Pak ditë më parë u promovua në Zagreb libri i Karla del Pontes. Promovimin e bëri ish-zëdhënësja e ish-kryeprokurores së Gjykatës për Krime të Luftës në Hagë, Florens Hartman. Libri flet për ndikimin e veprimtarisë së saj gjatë kohës në krye të këtij institucioni. Për librin folën edhe Natasha Kandiç, drejtoreshë ekzekutive e Fondit për të Drejtën Humanitare, avokati i njohur kroat, Ante Nobilo, i cili në Hagë mbrojti disa nga të burgosurit kroatë për krime të luftës dhe Presidenti Nderit i Shoqatës së Helsinkit në Kroaci, Ivan Zvonimir Çiçak.
Mbrëmë, televizioni serb, B92, dha një dokumentar mbi shtëpinë e verdhë të famshme në Burrel, ku kinse gjatë luftës në Kosovë qenkan dërguar pjesëtarë të minoritetit serb dhe mjekët shqiptarë iu paskan hequr organe të ndryshme nga trupi, që më pas kinse i kanë shitur në shtetet e ndryshme të Evropës.
Investigimi i ekipit të televizionit serb erdhi si pasojë e një pjese të librit të zonjës Del Ponte, e cila gjatë mandatit të saj dërgoi, në mënyrë të fshehtë, duke e shpërfillur qeverinë shqiptare, një ekip ekspertësh të gjykatës për investigime në Shqipëri. Rezultatet e këtij investigimi tashmë dihen. Ato ishin vetëm thashetheme që nuk u vërtetuan me asnjë dëshmi.
Siç e përshkruajnë ata që e kanë lexuar, libri është i ngarkuar me paragjykime për shqiptarët, viktima të terrorit serb, dhe e ka dëmtuar shumë imazhin tonë. Fatkeqësisht, ende asnjë nga institucionet tona, qofshin në Kosovë, apo në Shqipëri, nuk kam dëgjuar të kenë marrë hapa konkretë për ta kundërshtuar apo paditur.
Edhe vetë bashkatdhetarët e z. Del Ponte e kanë kritikuar dhe kanë konsideruar si nonsens botimin e këtij libri.
“Diplomacia dhe botimi në nivel tabloidi është kombinim i pamundur”, - mendon kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Geri Myller, i cili kërkoi nga Ministria e Jashtme zvicerane një raport. Sipas shumë agjencive, z. Myller ka kërkuar që zonja del Ponte të tërhiqet nga posti i ambasadores në Argjentinë, por jo vetëm kaq. Ai ka kërkuar që në të ardhmen ajo të tërhiqet krejtësisht nga diplomacia zvicerane.
Ai deklaroi se librin i zonjës Del Ponte nuk e ka lexuar, mirëpo për të ka qenë i mjaftueshëm fakti që ky libër është shkruar në formë thashethemesh, stil që nuk i lejohet një diplomati zviceran.
Ajo çka z. Myller, edhe deputet i të gjelbërve në parlamentin e Zvicrës, konstaton, është fakti që zonjës Del Ponte, si diplomate, i ndalohet të promovojë qëndrimet e saj si ish-Prokurore e Përgjithshme e Gjykatës të Hagës.
Ai gjithashtu deklaron se për të personalisht është problematik fakti që në këtë libër lihet të kuptohet se zonja Del Ponte ka paragjykuar se cilët ishin kriminelët ende pa nisur gjykimi. “Ajo duhej të ishte e paanshme”, - deklaroi z. Myller.
Kritika dhe marrje përgjegjësie nga Karla Del Ponte ka kërkuar edhe zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Zvicrës, i cili, në konferencë për shtyp lidhur me librin e zonjës Del Ponte, deklaroi: “Ka deklarata dhe qëndrime, të cilat nuk guxon t’i thotë një përfaqësues i diplomacisë zvicerane”.
Kjo do të thotë që zonja Del Ponte duhet të fliste shumë kohë para se të linte detyrën e Prokurores së Përgjithshme të Gjykatës të Hagës, ose të mos fliste fare.
Në këtë libër zonja Del Ponte, siç flitet, barazon kriminelët me viktimat, agresorin dhe viktimën. Ajo i paraqet popujt e Ballkanit si primitivë dhe iu ngjit lloj-lloj epitetesh. Për të “serbët janë bijtë e kurvës”, ndërsa “kroatët bijtë e ndyrë të kurvës”.
Është absurde që qeveria e Serbisë i ka dërguar letër proteste Gjykatës të Hagës të KB për botimin e librit, edhe përkundër faktit se krimet më të mëdha në territorin e ish-Jugosllavisë i kanë bërë ata. Në letër, sipas burimeve serbe, thuhet: “Botimi i librit do të ketë efekte negative në jetësimin e planit për bashkëpunim me Gjykatën e Hagës”.
Në mënyrë të përafërt reaguan edhe qeveritë e Kroacisë dhe ajo e Bosnjë-Hercegovinës, por jo Kosova dhe Shqipëria. Mos vallë shqiptarët kanë frikë ende nga zonja Del Ponte dhe po presin si shumë të tjerë, derisa të mos ketë më detyrën e diplomates?