E pret Pacollin

Në kuadër të përgjegjësive të tij shtetërore për afirmimin e Kosovës si shtet në arenën ndërkombëtare dhe sjelljen e njohjeve të reja, zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, pas vizitave në shtetet e Afrikës Perëndimore, më 22 gusht do të udhëtojë për në shtetin e Gabonit, ku do të pritet nga presidenti i këtij shteti, Ali Bongo Ondimba.
Në një komunikatë të lëshuar nga zyra e zëvendëskryeministrit Pacolli, thuhet se Pacolli gjatë takimit me presidentin Ondimba, do të prezentojë argumentet e nevojshme për njohjen e Republikës së Kosovës nga Republika e Gabonit.
Këtyre argumenteve, zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli do tu shtojë edhe opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në raport me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
Turneu lobues i Pacollit në kontinentin afrikan do të vazhdojë edhe më tej, me vizitat e parapara në Kongo Brazavile dhe në Republikën Demokratike të Kongos.
“Si rezultat i turneut lobues të zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli, Kosovës këtë javë i kanë arritur tri njohje nga kontinenti afrikan (Guinea Conacry, Benin dhe Niger) dhe një nga Amerika Qëndrore (Shën Lucia), duke ngritur kështu numrin e njohjeve në 81”, thuhet në komunikatë.