E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buhler: Për KFOR-in, Kosova është një dhe e pandashme

“KFOR-i është i gatshëm dhe në gjëndje të përballet me të gjitha sfidat në Kosovë”. Kështu ka deklaruar komandanti i KFOR-it, gjenerali gjerman Erhard Buhler. Ai ka thënë se gjendja prej arritjes së marrëveshjes mes Prishtinës dhe Beogradit është shtendosur dukshëm.
“Megjithatë gjendja e sigurisë mbetet e tendosur, sepse ende nuk janë zgjidhur çështjet politike. Jemi duke punuar në zbatimin e marrëveshjes për regjimin kufitar. Pala serbe është duke hequr barrikadat nga rruga dhe më kanë premtuar se në ditët e ardhshme do të hiqet edhe barrikada në Rudare, në veri të Mitrovicës. Kjo kërkon kohë, sepse barrikada është ngulitur në rrugë”, ka thënë Buhler në një intervistë për “Deutsche Welle”.
 

Gjenerali gjerman ka thënë se kufijtë në veri kontrollohen aktualisht prej KFOR-it. “Ne kemi marrë nën kontroll edhe kalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak. Në Jarinjë jemi duke kontrolluar vetë, sepse siç e dini kjo pikë kufitare është djegur gjatë sulmit me 28 korrik. Në Bërnjak situata duket ndryshe. Atje po na mbështesin edhe policia kufitare, si nga veriu ashtu edhe nga jugu, si dhe EULEX-i”, tha Buhler, duke shtuar se ata aktualisht nuk kanë nevojë për forca shtesë. I pari i trupave të NATO-s në Kosovë, ka pranuar se në veri ka njerëz të armatosur, por sipas tij, “nuk ka forca zyrtare të sigurisë nga Serbia që operojnë atje”. Komandanti i KFOR-it thotë se sipas rezolutës 1244 të KS të OKB, Kosova është unike dhe e pandashme.

“Se çfarë pasojash politike mund të ketë ndarja, unë nuk dua të deklarohem, ndonëse kam mendimit tim personal. Por dua të rikujtoj se shumë vende dhe politikanë janë të mendimit se kufijtë në Ballkan nuk duhet të preken sërish”, tha ndër të tjera ai.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›