Buhler: "ROSU veproi njëanshëm, por nuk gaboi"

Komandanti i KFOR-it, Erhard Buhler, ka thënë se KFOR-i ka vënë pika kontrolli në rrugët alternative, të cilat njëkohësisht ishin edhe kalime jozyrtare në veriun e Kosovës.
Në një intervistë për mediat kosovare, Buhler ka deklaruar se pikat e kontrollit janë vënë ditët e fundit, dhe se makinat kontrollohen në kërkim të armëve.
“Meqë tashmë përmes pikave të Jarinjes dhe Bërnjakut është i pamundur kontrabandimi, nuk do të lejojmë që për këtë të përdoren rrugët alternative”, ka thënë Buhler.
Ai ka shtuar se marrja e pikave kufitare në veri nga ana e njësive speciale të Policisë së Kosovës, ROSU, ka qenë “veprim i njëanshëm”, pasi për këtë aksion është njoftuar në çastin kur është sinjalizuar policia.
“Por nuk dua të them se ka qenë veprim i gabuar”, ka thënë Buhler, duke i akuzuar pjesëtarët e “grupeve radikale nga veriu i Mitrovicës dhe Zveçani”. Ai ka shtuar se EULEX po bën hetime dhe se dihen emrat e të dyshuarve sikurse po priten rezultate.