Buhler viziton vendet historike në Skenderaj
Komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard Buhler të hënën ka vizituar vendet historike në territorin e komunës së Skenderajt. Serinë e vizitave ai e ka filluar në Prekaz me homazhe në varrezat e Jasharëve dhe vizita kullave të Tahir Mehës e Ahmet Delisë, mandej varrezave në Likoshan e Rezallë, si dhe Kompleksin Memorial të UÇK-së në Marinë dhe ish-Shtabin e UÇK në Likoc.
I pari i KFOR-it, pas homazheve para varrit të komandantit legjendar Adem Jashari, ka thënë para gazetarëve se është në “vizitë përkujtimore që t’i kujtojmë viktimat e kësaj lufte të tmerrshme që ka ndodhur".
"Këto vende nuk i vizitoj nga kureshtja, por unë pata dëshirën që duke i vizituar ato vende, thjeshtë t’i kujtojmë viktimat e luftës dhe natyrisht që pata dëshirë të informohem personalisht për rrënjët e konfliktit”, ka deklaruar Buhler, siç transmeton Kosovapress.
I pyetur për ekzistimin e strukturave paralele, të cilat i pohojnë edhe zyrtarët serbë, ai tha është e qartë se kemi struktura paralele atje dhe të gjithë e dinë këtë.
“Mirëpo kjo nuk është pyetje që duhet t’i bëhet KFOR-it, por nëse ekzistojnë grupe që vërtetë e kërcënojnë gjendjen e sigurisë, atëherë bëhet temë për KFOR-in, i cili natyrisht se do të reagojë”, ka thënë ai dhe ka shtuar se strukturat kriminele atje janë multietnike.
Gjenerali Buhler në të gjitha vendet që ka vizituar ka ndarë nga një medalje të KFOR-it, ndërkohë që gjatë vizitave është shoqëruar nga udhëheqja komunale në krye me kryetarin e komunës, Sami Lushtaku.