Dollari nën presion
Në tregjet valutore vlera e dollarit amerikan ka shënuar rënie në nivelin më të ulët në gati tri vjetët e fundit, pasi që Banka qendrore amerikane Fed paralajmëroi se nuk do të ashpërsojë politikat monetare.
Indeksi i dollari, i cili tregon vlerat e valutës amerikane në raport me gjashtë valutat tjera kryesore botërore, ka rrëshqitur javën që po lëmë pas 1,68 për qind në 72,83 pikë, në nivelin më të ulët që nga korriku i vitit 2008.
Kursi i valutës evropiane ndaj dollarit është forcuar 1,68 për qind në 1,4816 dollarë. Të enjten një euro është shkëmbyer me 1,4882 dollarë, që paraqet nivelin më të lartë në 17 muajt e fundit.
Dollari është dobësuar edhe në raport me jenin për 0,86 për qind, në 81,15 jenë. Euro megjithatë është forcuar në raport me valutën japoneze 0,83 për qind në 120,25 jenë.
Presioni mbi dollarin, edhe ashtu të dobësuar, është shtuar të mërkurën, pasi që banka qendrore amerikane paralajmëroi përmbylljen e programit të vet në vlerë prej 600 miliardë dollarë për blerjen e obligacioneve për qershor dhe mos ndryshimin e kamatave bazë prej 0 deri në 0,25 për qind.
Një veprim i tillë në treg është parë si një sinjal se banka qendrore amerikane nuk do të ashpërsojë politikat monetare. Shumica e tregtarëve amerikanë presin që Fed do të mbajë kamatat në nivel aktual deri në fund të këtij viti.
Nga ana tjetër, Banka qendrore evropiane ECB tashmë ka ngritur një herë kamatat bazë dhe pritet gradualisht të ashpërsojë politikën monetare. Për këtë arsye analistët theksojnë se euro së shpejti do të mund të testojë limitin kryesor psikologjik prej 1,5 dollarë.
“Euro po forcohet për shkak se është alternativa kryesore rezervë e dollarit”, ka thënë strategu për valuta në “Bank of New York”, Melon Nil Mellor.
Presionet shtesë ndaj dollarit kanë shkaktuar dobësimin më të madh të tij se sa ishte pritur, pavarësisht se të dhënat e bruto prodhimit amerikan tregojnë se ekonomia në çerekun e parë është ngritur 1,8 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, derisa në tremujorin e fundit të vitit të kaluar rritja ka qenë 3,1 për qind.