E Shtunë, 31 Tetor 2026

'Kemi mbetur me zakonet e ish-Jugosllavisë'

Nga Express më 01 maj 2011 në ora 23:12

Lëvizja Vetëvendosje ka kritikuar Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës se nuk i po mbron të drejtat e punëtorëve.

Në një komunikatë për media me rastin e 1 Majit-Ditës ndërkombëtare të Punës, Vetëvendosje shpreh habi me deklaratën e kreut të sindikatave se nuk ka nevojë për protesta kur dihet se ligji i punës nuk është duke u zbatuar dhe ku vetëm nga privatizimi kanë humbur vendet e punës 40 mijë punëtorë.

“Një arsye subjektive pse ne sot rrimë në shtëpi duke mos ia prishur tymin Qeverisë që po përgatit privatizime quhet BSPK. Sindikata e cila merr përqindje nga pagat e punëtorëve kosovarë për të mbrojtur interesat e tyre, më shumë kohë kalon në takime e konferenca me Qeverinë sesa me punëtorët, në emër të të cilëve flet, e të cilët duhet t’i përfaqësojë”, thuhet në komunikatë.

Vetëvendosje shprehet me nota kritike ndaj shënimit të 1 Majit si festë dhe jo si ditë kur duhet protestuar sikur në gjithë vendet tjera të botës.

“Në Kosovë, si për të treguar ecjen e ngadaltë, konservimin e gjendjes, kemi mbetur me zakonet e ish-Jugosllavisë: më 1maj ne festojmë. Ligji i Punës po mbetet vetëm dokument në letër, kurse punëtorët në sektorin privat punojnë orë të tëra pas orarit të punës pa pagesë dhe atyre punëdhënësi nuk u lejon të drejtën e organizimit sindikal”, thuhet më tej në komunikatë.

Duke përkujtuar se mbi 50 për qind e popullsisë është e papunë, Vetëvendosje konsideron se numri i madh i të papunëve shërben si presion në duart e punëdhënësve kur punëtorët kërkojnë më shumë të drejta.

“Ne shprehim gatishmërinë që të përfshihemi me të gjitha kapacitetet në mbështetje të cilido organizim sindikal që lufton kundër privatizimit të aseteve tona publike dhe për të drejtat e punëtorëve. Për të vazhduar specien tonë njerëzore, na duhet të punojmë. E duke punuar ndryshojmë mjedisin ku jetojmë e bashkë me të edhe veten tonë. Puna është njeriu në dinamikë, njerëzorja. Ajo është bashkimi në të drejta”, përfundon komunikata.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›