E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buja e gjenë “financuesin” e fushatës

Duket se Partia Demokratike e Kosovës, dega në Lipjan për këtë vit e ka gjetur financuesin e fushatës zgjedhore.

Financues i fushatës më gjasë do të jetë pronari i kompanisë “Bageri” dhe kompanisë “Kosova Asfalt”, Bujar Shabani.

Komuna e Lipjanit që udhëhiqet nga Shukri Buja, i ka dhënë kompanive të Shabanit gjashtë tenderët e fundit për asfaltim të rrugëve në Lipjan.

Tenderët kapin shifrën rreth 3.5 milion euro.

Të dy kompanitë “Bageri” dhe “Kosova Asfalt”, sipas ueb-faqes së Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë, pronar i tyre figuron të jetë Bujar Shabani.


Kompania “Bageri” ka marrë dhjetëra tenderë nga institucionet e vendit. Sipas të dhënave zyrtare, del se pronar i kompanisë “Bageri” është personi i cili ka dhënë para për fushatën e PDK-së.

Shabani, tenderin e fundit nga prokurimi i Lipjanit me kompaninë “Bageri” e ka marr dje, për projektin “Asfaltimi i rrugës qëlidhe Kraishten me fshatrat e komunës se Shtimes”. Vlera e kontratës është 218,535.00 euro.

Me 19 gusht e ka marrë tenderin “Asfaltimi i rrugës ne fshatin Dobraj e Vogel. Në garë për këtë tender kanë qenë 5 kompani. Vlera e përgjithshme e kontratës është 151,314.50 euro. Po më 19 gusht, veç se me kompaninë “Kosova Asfalt” e ka fituar edhe tenderin “Asfaltimi i rrugës se UÇK-se ne fshatin Kroimir” . Vlera e përgjithshme e kontratës është 63 30100 euro.

Po më kompaninë “Kosova Asfalt”, më 13 gusht e ka fituar tenderin “Asfaltimi i rrugës ne fshatin Hallaq i Vogel”. Pesha e tenderit është 164, 206.60 euro. Të njëjtën ditë e ka marrë edhe tenderin “Asfaltimi i rrugës ne fshatin Gllanice”. Kontrata është në vlerë 198, 997.55 euro. Ndërsa, tenderin “Asfaltimi i rrugëve me 4 korsi”Shqiperia” dhe “Haradin Bajrami”, në vlerë prej 2 milion e 888 mijë euro e ka rimarrë përsëri më datë 6 gushtë.

Por, më tenderin milionësh nuk do ta ketë lehtë. Kjo pasi kompania “Eskavatori” përsëri ka deponuar ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik.

Para pak ditësh, Zyra e prokurimit të Lipjanit e kishte shpallur fitues të këtij tenderi kompaninë “Bageri”. Organi Shqyrtues i Prokurimit e ka kthyer këtë lëndë në rivlerësim, pasi ka gjetur shkelje të Ligjit të Prokurimit Publik nga ana e Komunës së Lipjanit. Vendimi i Organit Shqyrtues të Prokurimit Gjykatës është marrë pas ankesës që ka bërë kompania “Eskavatori”, e cila është eliminuar nga prokurimi komunal për mungesë të disa dokumenteve, e cila kishte konkurruar si koncorcium. Por, OSHP ka gjetur se “Eskavatori” është i përgjegjshëm në këtë pikë dhe e plotëson kriterin kryesor, çmimin më të ulët. Kjo kompani është më e lirë për rreth 500 mijë euro.

Prokurimi i Lipjanit e ka rivlerësuar lëndën, por përsëri e ka shpallur fitues “Bagerin”, ani pse këtyre ditëve do të përballët me OSHP-në përsëri.

“Kompania ankuese ‘Ekskavatori’ është eliminuar nga autoriteti kontraktues për mungesë të disa dokumenteve, për marrëveshjen e bashkëpunimit të anëtarëve të konzoricumit të cilat janë në dosje të nënshkruara nga të dy përfaqësuesit e kompanive, dhe deklarata e përgjegjësive individuale dhe grupore, të cilat po ashtu gjenden në dosje të tenderit. Pasi kompania ankuese është e përgjegjshme, sipas meje, e plotëson edhe kriterin kryesor, pasi ka çmim të ulët. Kompania e rekomanduar për kontratë është i përgjegjshëm, por ka çmim më të lartë se kompania ankues, që në rastin konkret autoriteti kontraktues ka vepruar në kundërshtim me kriterin kryesor, çmimin më të ulët”, thuhet në verdiktin e Organit Shqyrtues për tenderin “Asfaltimi i rrugëve me 4 korsi ‘Shqipëria’ dhe ‘Haradin Bajrami”’, andaj ishte marrë vendim që tenderi rreth tre milionësh të rivlerësohet. Organi Shqyrtues i Prokurimit, vendimet e veta e publikon në ueb-faqe të vetë.

Mbetet të shihet se çfarë vendimi do të jap këtyre ditëve OSHP-ja, pas rivlerësimit që ka bërë Prokurimi i Lipjanit për këtë tender. /M.B/ Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›