E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hamiti: Nuk zmbrapsem nga qëndrimet e mia

Në formën, siç po shkon, atëherë sigurisht se unë nuk do të kem vend si kandidat në zgjedhjet për kryetar. Mirëpo, kjo nuk më brengos fare për qëndrimet dhe vizionin tim edhe në të ardhmen, tha në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Xhabir Ahmeti, kryetar i deritanishëm i Kuvendit të Bashkësisë Islame të Kosovës.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hamiti, delegatët e Kuvendit të Bashkësisë Islame të Kosovës ju kanë shkarkuar me shumicë votash nga funksioni i kryetarit të këtij institucioni. Si do t'i përgjigjeshit këtij vendimi?

XHABIR HAMITI
Në mbledhjen e djeshme, diskutimi ka zgjatur rreth 6 orë, për të futur në rend dite ndryshimin e Kushtetutës, të cilin unë e kam refuzuar për faktin që ka qenë antikushtetues.

Me ato rregulla dhe normativa që i kemi ne, të brendshme, sepse kërkohej që aty për aty, ad-hoc, të paraqiteshin amendamentet e ndryshimit të Kushtetutës së Bashkësisë Islame, që është kusht dhe normë e brendshme e Kuvendit të BIK-ut që çdo ndryshim, sidomos i Kushtetutës, aktit më të lartë, me të cilin punon Bashkësia Islame, t'u dërgohet materiali paraprakisht anëtarëve të Kuvendit që ata ta diskutojnë dhe aty të marrin vendim, e jo në atë formë ashtu siç mundoheshin që në mënyrë ad-hoc ta paraqisnin ndryshimin e Kushtetutës së Bashkësisë Islame, vetëm dy muaj para se të shpalleshin zgjedhjet qendrore për Myftiun, mandati i të cilit përfundon më 18 dhjetor të këtij viti.

Përkundrazi, ata të cilët kanë thënë se vendimi i Xhabir Hamitit ka qenë arbitrar, për shuarjen e mbledhjes, nuk qëndron, sepse, e thashë që kryetari i Kuvendit e gëzon të drejtën e fillimit të mbledhjes dhe e gëzon të drejtën e përfundimit të mbledhjes.

Unë e kam përfunduar në mënyrë të rregullt, mbledhja ka qenë e rregullt, kam kërkuar që të vazhdohet më tutje për diskutime të mëtutjeshme, nëse ka nevojë diçka për të ndryshuar ose jo.

Mirëpo, sipas informacioneve shumë të sakta që kanë ndodhur pas përmbylljes (unë e kam përmbyllur mbledhjen) aty për aty kanë mbledhur nënshkrime ata anëtarë që kanë mbetur brenda dhe kanë kërkuar një mbledhje të jashtëzakonshme kinse, për të vazhduar për shkarkimin tim dhe për të hedhur në rend të ditës ndryshimin e Kushtetutës, që sipas tyre, ata e kanë caktuar me datën 29 të këtij muaji.

Ajo formë, edhe nëse është kërkuar aty për aty, një mbledhje e jashtëzakonshme, është e paraparë shumë mirë edhe me rregullat e Kushtetutës së BIK-ut se mbledhja e jashtëzakonshme duhet të kalojë përmes Komisionit Administrativ me shkrim të shikohet arsyetimi se për çfarë është kërkuar ajo mbledhje e jashtëzakonshme. Dhe, të njëjtën kohë në atë Komision Administrativ Juridik të Kuvendit, duhet ta japë mendimin edhe kryetari i Kuvendit.

Kështu që kjo është anashkaluar totalisht dhe është marrë një vendim i tyre arbitrar, përkundrazi, vendimi im nuk ka qenë arbitrar. Dhe, në nenin, të cilin ata janë thirrur, neni 73 - kinse Xhabri Hamiti (unë) nuk e ka kryer detyrën siç duhet për 4 vjet e gjysmë në pozitën si kryetar i Kuvendit, nuk e paskam kryer, do të thotë, me rregull dhe me nder pozitën time, dhe tani vetëm dy muaj para se të përfundojë mandati im, të shkarkohet kryetari i Kuvendit - pa një arsyetim dhe pa një procedurë, shkresë zyrtare ose pa një kërkesë që do të duhej të kalonte përmes Komisionit disiplinor ose Komisionit administrativ të Kuvendit, ku do të parashiheshin pikat se ku e kam shkelur unë apo ku nuk e kam shkelur unë punën e Kuvendit - për mendimin tim, po e përsëris edhe një herë, është një vendim i njëanshëm dhe arbitrar i tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë hapash do të ndërmerrni ju?

XHABIR HAMITI
Unë do të qëndroj në parimet e mia. Nuk do të zmbrapsem nga qëndrimet e mia. Unë kam qenë pjesë e Bashkësisë Islame dhe jam pjesë e Bashkësisë Islame, tani po mbushen dy dekada me radhë dhe e di shumë mirë si funksionon Bashkësia Islame dhe e di shumë mirë se cila është natyra e punës së Bashkësisë Islame.

Konsideroj se nuk është çështja ime personale, largimi im, për shembull, nuk është në njëfarë forme çështje e cila më brengos mua personalisht, por më brengos mos-riorganizimi dhe mos-rikonsolidimi i Bashkësisë Islame në parime dhe rregulla të qarta dhe transparente dhe konsideroj se Bashkësia Islame (dhe e mbroj BIK-un, sepse aty jam dhe kam qenë), si institucion të cilin e kam parë dhe e shoh shumë të rëndësishëm për vendin që do të ruajë vijën e saj të interpretimit të fesë të rrugës së mesme - as ekstreme, as radikale.

RADIO EVROPA E LIRË
Në Bashkësinë Islame, zgjedhjet për kryetar pritet të mbahen në vjeshtë . A do të vazhdoni të jeni kandidat?

XHABIR HAMITI
Nëse njerëzit, punonjësit e Bashkësisë Islame, e shohin të arsyeshme që unë të jem kandidat, nuk do t'i iki përgjegjësisë, dhe prapë nuk do t'i iki përgjegjësisë dhe prapë konsideroj që do të jem njëri prej kandidatëve që do të kandidojë për Myfti.

Por, jo në këtë mënyrë siç po shkon, sepse në këtë formë siç po shkon, forma e cila ka ndodhur në Kuvend, me vendime ad-hoc, të ndryshimeve dhe të manipulimeve të rregulloreve të rendit, atëherë sigurisht se unë aty nuk do të kem vend, sepse këta njerëz, të cilët e kanë bërë këtë, do të bëjnë edhe në zgjedhjet e ardhshme dhe mund të përjashtojnë edhe kandidaturën time.

Mirëpo, kjo nuk më brengos fare për qëndrimet dhe vizionin tim edhe në të ardhmen. 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›