E Diel, 1 Nëntor 2026

Buja paguan zyrtarët e Burgut të Dubravës

Pavarësisht se udhëheq Ministrinë e Arsimit e jo të Drejtësisë, Ramë Buja ka paguar nëntë zyrtarë të angazhuar në Burgun e Dubravës.Kjo është e gjetura e Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2012 të këtij dikasteri qeveritar, ku bëhet e ditur se zyrtarët përgjegjës të Ministrisë nuk ishin në gjendje t’ia ofrojnë dosjet e as kontratat e këtyre zyrtarëve, në bazë të të cilave janë bërë pagesat e pagave.

“Sipas menaxherit së personelit të MASHT-it nuk ka dokumentacion relevant për këta zyrtarë”, thuhet mes tjerash në raport, duke shtuar se pagesat për zyrtarët në mungesë të dokumentacionit relevant, janë shfaqur si pasojë e mungesës së kontrolleve adekuate dhe është në kundërshtim me kërkesat e Udhëzimit Administrativ.

Po ashtu, sipas auditorit, gati gjysma e pagesave në kategorinë e investimeve kapitale në këtë Ministri janë kryer vetëm gjatë dy muajve të fundit të vitit të kaluar, shkruan gazeta Zëri.

Gjatë rishikimit të procesit të furnizimit me libra, auditori ka vërejtur se nuk kishte kontrolle të mjaftueshme gjatë pranimit të librave. Në disa raste ato nuk ishin pranuar në pajtim me kontratat, si dhe disa raste tjera janë pranuar nga persona të paautorizuar. Ndërsa në gjashtë shkolla që janë vizituar, auditori ka konstatuar sasi të tepërt të librave.

“Komisioni në një raport përmbledhës ka konstatuar se nëpër shkolla kishin mbetur të pashpërndara 566,467 tekste (libra) në vlerë prej rreth mbi 1.1 milionë euro. Sipas vlerësimeve tona kjo sasi dhe vlerë mund të jetë edhe më e lartë”, thuhet mes tjerash në raport.

Po ashtu tek gjashtë kontrata për ndërtimin e shkollave me vlerë të përbashkët, prej rreth 11 milionë euro, vlefshmëria e sigurimit të ekzekutimit të punimeve kishte skaduar. Rreziku i skadimit të vlefshmërisë së sigurimit të ekzekutimit, sipas auditorit, rrit rrezikun që punët e kontraktuara të mos kompletohen sipas kushteve të kontratës.

Auditori nuk ka gjetur dëshmi për shërbimin e kryer as tek pagesa me vlerë prej 5383 euro të kompanisë “Pastrimi”.”Kontrata specifikon që pagesa duhet të bëhet në bazë të zbrazjeve ditore të kontejnerëve. Shërbimi kryhet për çdo ditë dhe sipas kontratës shpenzimet mujore arrijnë shifrën 5,383 euro. Zyrtarët përgjegjës nuk na ofruan dëshmi apo raporte ditore që do të dëshmonin se sa kontejnerë ishin zbrazur, në bazë të të cilëve do të duhej të bëhej pagesa. /Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›