Daçiq: Zbatimi i marrëveshjes – absolutisht në interes të Serbisë

(E plotësuar) 14:26 - Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka theksuar sot se vendi i tij gjatë muajve të kaluar ka ndërmarrë hapa strategjik për të ardhmen e vet evropiane dhe me përpjekje të mëdha dhe rrezik politik ka bërë hapa thelbësorë për zgjidhjen e pozitës së serbëve në Kosovë.
Mëtutje, duke folur gjatë një debati në Këshillin për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian në Bruksel, Daçiq tha se Serbia nuk e njehë pavarësinë e Kosovës, dhe se dialogu me Prishtinën është bërë në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që çështjen e statusit e lë anash.
Ai është shprehur se qeveria e Serbisë do të bëjë çdo gjë të mundshme që marrëveshja me Prishtinën të zbatohet dhe të mundësohet që Këshilli Evropian një muajin Qershor, ta lejoj datën e fillimit të bisedimeve për pranim me Serbinë.
Ivica Daçiq theksoi se zbatimi i marrëveshjes është absolutisht në interes të vetë Serbisë dhe bëhet fjalë që të tregohet vullnet i fuqishëm politik për zbatimin e marrëveshjes deri në fund të qershorit.
Sipas tij, vetë marrëveshja teknikisht mund të zbatohet vetëm deri në fund të vitit.
----
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiq, do të duhej të takohen disa herë gjatë qershorit në Bruksel.
Burime të gazetës beogradase “Danas” kanë thënë se për implementimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve në mes Prishtinës e Beogradit janë paraparë afate të shkurtra – për policinë dy javët e ardhshme, drejtësinë deri në fund të qershorit, derisa zgjedhjet lokale kosovare që duhet të mbahen edhe në komunat me shumicë serbe janë caktuar për në vjeshtë.
Sipas këtij burimi ende nuk dihet nëse deri në nëntor do të hapet çështja e anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara, të miratohet ligji kushtetues për Kosovën, madje nuk përjashtohet edhe mundësia e ndryshimit të Kushtetutës së Serbisë në vitin 2014.
Maja Kocijanqiq, zëdhënëse e shefes së diplomacisë evropiane, Katherin Ashton, nuk ka mundur të konfirmoi pohimet e gazetës serbe, e as të precizoi datën e takimit të ardhshëm Thaçi-Daçiq.
“Dialogu vazhdon në të gjitha nivelet”, ka thënë Kocijanqiq.
Ajo nuk është përgjigjur as në pyetjen nëse pas miratimit të planit të implementimit është i mundshëm ndryshimi i Marrëveshjes së 19 prillit dhe çfarë garanci shtesë mundet t’i ofrojë BE-ja Beogradit për çka insistojnë zyrtarët serb.
“Tani duhet të implementohet marrëveshja e prillit”, ka pohuar Kocijanqiq për mediet serbe./Indeksonline/