E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bujar Brovina: Internet në çdo godinë për 6200 studentët

31-10-2011 / Leonard Quku

INTERVISTA, Brovina: Investimet kanë modernizuar qytetin Studenti

Nisin regjistrimet për akomodimin e studentëve të programeve “Master” dhe fituesit e formularit A3. Këtë vit, kërkesat kanë qenë në shifra më të larta se vitet e kaluara ku në ndryshim me një vit më parë ka rritje të kërkesave, sidomos nga studentet vajza 

“Këtë vit, kërkesat për t’u akomoduar në konviktet e qytetit Studenti, kanë qenë në shifra më të larta se vitet e kaluara. Në ndryshim me një vit më parë ka rritje të kërkesave, sidomos nga studentet vajza”. Kështu shprehet Drejtori i Qytetit Studenti, Bujar Brovina, gjatë një interviste për gazetën “55”, ndërsa thekson se qyteza studentore, po kthehet në një hapësirë banimi gjithnjë e më të preferuar për studentët. Sipas tij, investimet e kryera së fundmi, kanë përmirësuar kushtet e strehimit, teksa një revolucion i vërtetë është shënuar në rikonstruksionin e 27 bujtinave. Investimet në infrastrukturën rrugore të qytetit Studenti, kanë bërë të mundur që kjo qytezë të gëzojë rrugë dhe rrugica sipas standardeve bashkëkohore. Ngrohja e ambienteve mbetet ende një problem, që sipas drejtorit Brovina po punohet me strukturat e larta shtetërore për vënien në funksion të sistemit të ngrohjes, për të gjitha dhomat e qytetit Studenti. Gjithsesi, për studentët, këto ambiente i plotësojnë kërkesat e tyre. Shtëpitë me qira nuk përbëjnë një alternativë të domosdoshme për ta, nisur nga çmimet e larta, në jo pak raste edhe stratosferike. Gjatë këtij viti, studentët kanë pasur mundësi të kenë dhe përfitime materiale, salla studimi, internet (ku çdo godinë është e pajisur me një sallë të posaçme interneti) dhe mbështetjen sociale të financuara këto plotësisht nga Drejtoria e qytetit Studenti. Viti i ri akademik, i cili sapo ka nisur, pritet të jetë plot risi, për 6200 studentët e Qytetit Studenti 

Zoti Brovina, qyteti Studenti, pas një ‘pauze’ dy mujore, është populluar nga studentët tashmë. Çfarë e bën ndryshe këtë vit nga vitet e tjera?

Në fakt, ky vit akademik për ne, është një nga vitet më të suksesshëm që sapo ka nisur. Ky vit ka shumë përparësi. Për herë të parë në Qytetin Studenti, është bërë një reformë e plotë në secilën prej dhomave, ku janë ndryshuar të gjithë shtretërit dhe dyshekët. Më shumë se 80% e shtretërve dhe dyshekëve, janë zëvendësuar me shtretër dhe dyshekë të rinj. Ky ka qenë një investim i drejtorisë së Qytetit Studenti. Ndërkohë, në të gjithë Qytetin Studenti, apo në dhomat e godinave ka përfunduar vendosja e lavamanëve, problem kemi pasur godinën nr.1 dhe atë nr.6. Për herë të parë në Qytetin Studenti ka një prurje masive të studentëve të viteve të para. Nëse një vit më parë ne kemi pritur 1300 studentë të vitit të parë, këtë vit akademik ka ardhur 1850 studentë. Ka pasur një prurje të studentëve nga universitetet private. Kjo ishte jashtë parashikimeve tona, por drejtoria e Qytetit Studenti mori të gjitha masat për t’i trajtuar ata njësoj me të tjerët. Kjo sigurisht, për ne është një dukuri pozitive, pasi ata që largohen nga ambientet private, vijnë sepse këtu ka kushte më të mira. Këtu gjejnë pjesën e investimit, zhvillimit dhe integrimit të studentëve përmes programeve tona sociale, salla e internetit falas në Qytetin Studenti, internetin në dhoma, shërbim 24 orë ujë dhe drita. Është një fakt konkret që këtu për çdo student i bie 50m2 gjelbërim. Çdo student që banon në Qytetin Studenti, ballafaqohet me 50m2 gjelbërim. Kapaciteti i akomodimit të studentëve, aktualisht është 6 200. Ka qenë 6 600 dhe 6 800, por me 4 veta në një dhomë, gjë që s’është konsideruar normale. Aktualisht akomodimi në dhoma vazhdon nga 2-3 studentë në dhomë. Normalisht, studentët japin edhe përshtypjet e tyre përsa i takon strehimit dhe jetesës në Qytetin Studenti. Unë marr dhjetëra mesazhe në ditë. Regjistrimet në fakultete ende s’kanë përfunduar, kështu që ne kemi filluar regjistrimet edhe për studentët e programeve Master, ndërsa jemi në pritje të studentëve fitues të formularit A3.

Kanë hasur probleme studentët gjatë regjistrimit në konvikte?

Regjistrimet për strehim kryhen përgjatë një jave të plotë. Vitet e dyta dhe të treta e kanë më të lehtë akomodimin, pasi dhomën e tyre mund ta gjejnë në faqen on-line të qytetit Studenti, ndërsa vetëm studentët e vitit të parë e kanë më të ndërlikuar akomodimin, por probleme dhe radhë të gjata nuk ka pasur asnjëherë.

Cilat janë projektet e ardhshme të Drejtorisë së Qytetit “Studenti”, për përmirësimin e jetesës së komunitetit studentor?

I vetmi problem aktualisht në qytetin Studenti, është ai i kaldajës. Kaldaja na pengon paksa në drejtim të kostos së saj. Ne jemi një ndërmarrje sh.a dhe nuk e përballojmë dot këtë investim. Sidoqoftë, drejtoria e Qytetit Studenti ka gjetur zgjidhje të përkohshme përsa i takon garantimit të ngrohjes së dhomave, deri në gjetjen e një zgjidhje përfundimtare. Kaldaja që është në gjendje pune, vazhdon të ngrohë atë 40%-in e dhomave. Lidhur me pjesën tjetër, ne jemi treguar tolerantë me studentët dhe çdo dhomë e kemi sistemuar me ngrohës të tipit kalorifer, edhe pse periudha kritike e dimrit në Tiranë nuk është përtej 2 muajve të vitit.

Ndër vite Drejtoria e Qytetit “Studenti” ka promovuar shërbime nga më të ndryshmet për studentët, por projekti “Internet në Dhoma” ishte ndër më ambiciozët. Cilat janë impresionet e para këtij premtimi të realizuar? Nënkuptoj këtu qëndrimin e studentëve?
Ne kemi hapur salla interneti në çdo godinë të Qytetit Studenti, kundrejt një pagese modeste prej 40 lek ora, në një kohë kur tregu ka qenë nga 80 lekë deri në 100 lekë. Në rast se ai që ka fituar këtë ‘koncension’ ndryshon tarifat, atëherë drejtoria ndërpret kontratën. Kjo ka qenë një ndihmesë e madhe për studentët, sidomos në kohën e dimrit. Aktualisht nuk është nevoja që studenti për një detyrë kursi, apo një punë të tijën në internet të dalë jashtë konviktit. Salla e internetit është aty. Por, gjithashtu, çdo konvikt ka edhe sallën e studimit. Salla e studimit ka dhe inspektorin e saj, për turnin e parë dhe të dytë. Ai ka për detyrë të përgjigjet për pastërtinë, qetësinë etj,. Çdo vit në muajin mars, ne si drejtori zhvillojmë një lloj testi, rreth përshtypjeve të studentëve përsa i takon kushteve si dhe kemi mbledhur mendimet e tyre, se çfarë mund të përmirësohet dhe ndryshohet. Përshtypjet janë nga më të ndryshmet, si pozitive ashtu dhe negative, por më shumë shkon nga pozitivja. Ne i kemi dëgjuar dhe sugjerimet e studentëve, në një farë mënyre janë edhe program pune për drejtorinë.

Ca mund të na thoni sa i përket sigurisë dhe shërbimit shëndetësor, apo shërbimeve të tjera sociale që ofrohen në ndihmë të studentëve?

Gjej rastin për të falënderuar punonjësit e policisë për shërbimin cilësor që ata ofrojnë në Qytetin Studenti. Ka një postë policie pranë drejtorisë, një postbllok në hyrje, gjithashtu edhe njësi të policisë së qarkullimit rrugor, duke bërë që në këtë drejtim gjërat të funksionojnë me një korrektesë të admirueshme. Po kështu ka dhe një minispital të vogël që është vetëm për studentët. Çdo studentë duhet të hapë kartelën për të marrë shërbimin e nevojshëm. Shumica e tyre e kanë hapur, janë të regjistruar, dhe marrin shërbim ambulator 24 orë. Në çdo godinë ka një numër në recepsion që është i lidhur edhe me ambulancën dhe policinë, për t’u gjendur në çdo moment nëse ata kanë nevojë për këto shërbime të rëndësishme. Gjithashtu në çdo godinë është numri i drejtorit dhe degës së konvikteve nëse studentët kanë ndonjë ankesë apo pretendim. Për pritjen e tyre asnjëherë nuk ka orar dhe shërbimi ndaj tyre është një përparësi. Po ashtu, ndryshe nga vitet e kaluara, çdo biznes i zhurmshëm në qytetin Studenti s’do lejohet të ushtrojë aktivitet pas orës 23:00. Falë bashkëpunimit me Policinë Bashkiake të Tiranës, është vendosur një standard i rëndësishëm drejt garantimit të qetësisë për studentët.

Konviktet e qytetit Studenti janë një alternativë më e mirë se shtëpitë me qira?

Studentët si në çdo vend të botës mund të shkojnë edhe me qira. Kjo është një e drejtë e tyre, është preferenca e tyre. Por me kushtet që kemi ne, me tarifat që kemi ne, unë mund të them që ne privatin e konkurrojmë. Mos harrojmë, e theksoj dhe një herë, që tarifa që duhet të paguajë një student është vetëm 40 mijë lekë në vit. Qyteti Studenti është një mundësi, është një varietet i çmuar për edukimin dhe formimin e të rinjve dhe të rejave studentë.

Si janë raportet e studentëve?

Raporti vajza/djem është gati 5 me 1. Pra 4 900 studente vajza dhe 1000 studentë meshkuj, të akomoduar në konviktet e qytetit Studenti. Kjo do të thotë që nëse vajzat zgjedhin të akomodohen në Qytetin Studenti do të thotë se kushtet janë më të mira. Duke parë këtë numër më të madh të vajzave disa prej godinave të djemve tashmë i kemi kthyer për vajzat. Godina nr.13, është kthyer në godinë të përbashkët, vajza dhe djem. Aty janë të akomoduar çifte të rinjsh. Në momentin e strehimit, në hulumtuam në marrjen e informacionit rreth studentëve, para se të aprovonim akomodimin e secilit prej tyre në godinën nr. 13. Informacionet janë mbledhur kryesisht nga kujdestarët përkatës të konvikteve ku kanë qenë strehuar si vajzat ashtu dhe djemtë. Pra, ka një lloj rregulli në akomodimin e përbashkët, të vajzave dhe djemve në këtë godinë. Kemi patur kërkesa të shumta nga çifte dhe të fejuar, pavarësisht se kostoja e akomodimit është më e shtrenjtë se në një konvikt të zakonshëm.

Qyteti Studenti ka fituar një karakteristikë të tijin mund të themi, në gjelbërimin për m2 për student, jashtë “standardit të famshëm” të betonizimit që jemi mësuar të ndeshim në Tiranë, si dhe me rrugicat e gurta. Sa do të ruhet kjo veçori e gjelbërimit dhe modernizimit të infrastrukturës?

Absolutisht, ne sapo kemi përfunduar shtimin e një tjetër hapësire të gjelbër prej 500m2. Është një lulishte e moderuar dhe dominante. Vetëm gjelbërim janë shtuar këtë vit 5 600 metër katrorë. Kujtojmë që Qyteti Studenti ka një sipërfaqe prej 280 mijë metër katrorë gjithsej. Gjithmonë në vëmendje të qytetit Studenti do jetë gjelbërimi dhe shtimi i hapësirave të gjelbra. E njëjta gjë vlen për përmirësimin e infrastrukturës. Vite më parë qyteti Studenti vuante nga rrugët e amortizuara dhe rrugicat problematike, por sot realiteti është ndryshe. Infrastruktura është e kompletuar dhe do vazhdojë të mirëmbahet pavarësisht kostos.

Po përsa i takon tarifave të akomodimit, pritet të ketë ndryshime për vitin e ardhshëm?

Tarifat janë ato që kanë qenë, studentit i bie të paguajë 120 lekë në natë për akomodimin në dhomat e konvikteve. Pra tarifa për të gjithë studentët është e njëjtë. Ata duhet të paguajnë 40 mijë lekë të reja në vit. Ka një konsultim në këshillin mbikëqyrës për të parë mënyrën dhe tarifat e pagesës, por ende nuk ka asnjë ndryshim. Kjo është dhe politikë e qeverisë shqiptare, që nga ana social-ekonomike, studenti të mos cenohet, por t’i krijohen lehtësira sa më të konsiderueshme.

Projekt – ideja, Plan Rregullues për qytetin Studenti

S’do jetë e largët dita kur qyteti Studenti t’i shëmbëllejë konvikteve të vendeve perëndimore. Drejtori i qytetit Studenti Bujar Brovina thotë se ka gati një projekt italian, që parashikon transformimin e plotë të qytetit Studenti, në një qytezë moderne, me kushte dhe standarde bashkëkohore. “Unë kam gati një projekt – ide për Qytetin Studenti të së ardhmes. Është një projekt italian, i cili sjell një perspektivë të re për të gjitha godinat; dhoma dyshe dhe të pajisura me banjo brenda sipas kushteve bashkëkohore; secila godinë do ketë një strukturim ndryshe me ndërtimin e shkallëve të emergjencës, rikonstruksionin tërësor etj,.. “Ky projekt tani na ka ardhur, por zbatimi i tij ka një vlerë financiare kolosale. Sidoqoftë, realizimi i tij në një kohë afatgjatë, pritet të jetë një nga prioritetet kryesore të drejtorisë me institucionet e larta shtetërore”- thotë drejtori Brovina. E sigurt është se falë bashkëpunimit të drejtorisë së qytetit Studenti me autoritetet e larta shtetërore, do bëhet i mundur ndërtimi i një “qyteze” moderne.

Organika e Qytetit Studenti
Në çdo godinë është një organikë e veçantë, që përbëhet nga kujdestari, sportelisti, ky në shërbim 24 orësh, dhe një ekip hidrosanitar që është në shërbim 16 orë. Në secilën godinë ka nga një sallë leximi. Gjithashtu, kemi një qendër interneti me 20 kompjuterë që është falas për studentët. Ndërsa në Website-in çdo student mund të gjejë të dhëna për dhomën e tij dhe atë për të cilën ai është i interesuar në Qytetin Studenti.

“Rikonstruksioni i rrugëve, rrugicave përmes rritjes së investimeve, shtimi i hapësirave të gjelbra, garantimi i ujë dhe drita 24 orë, janë dhe mbeten axhenda e punës së Drejtorisë së Qytetit Studenti”

“Kreu i drejtorisë së qytezës studentore pohon se investimet gjatë viteve të fundit kanë përmirësuar kushtet e strehimit dhe akomodimit të studentëve nga e gjithë Shqipëria dhe trevat shqiptare jashtë kufijve” 

Regjistrimet vazhdojnë

“Regjistrimet në fakultete ende s’kanë përfunduar, kështu që ne kemi filluar regjistrimet edhe për studentët e programeve Master, ndërsa jemi në pritje të studentëve fitues të formularit A3” 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›