E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bujar Kaloshi, Nderi i Kombit pas vdekjes

Tiranë- Presidenti i Republikës, Bamir Topi dekoroi sot ish-drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Bujar Kaloshi (pas vdekjes) me Urdhrin “Nderi i Kombit”.

Gjatë ceremonisë së veçantë të zhvilluar sot në Presidencë, pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit përkatës nga Sekretari i Përgjithshëm i Institucionit të Presidencës, Aleksandër Flloko, Kreu i shtetit i dorëzoi familjarëve të të ndjerit Bujar Kaloshi, Urdhrin e Lartë “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Për kurajon e shfaqur në qëndresën ndaj diktaturës komuniste në Shqipëri, për kontributin e çmuar në vendosjen e demokracisë dhe konsolidimin e institucioneve të shtetit ligjor”.

Urdhëri iu dorëzua bijës së të ndjerit, Vilma Kaloshi e cila ka shprehur falenderimet e rastit. “Në emër të gjithë familjes time, por veçanërisht të gjyshit tim, babait të Bujar Kaloshit, Xhevdet Kaloshi dhe nënës së tij Shkurte Kaloshi dhe të gjithë familjes sonë ju shprehim falenderimin më të madh juve zoti President, për këtë nder shumë të madh, për vlerësimin e punës së babait tonë maksimal”- tha ajo.

Në këtë ceremoni morën pjesë deputetë, drejtorë dhe ish-drejtorë të Përgjithshëm të Burgjeve, drejtues të Shoqatës Mbarëkombëtare të Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë dhe anëtarë të Kabinetit të Presidentit të Republikës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›