Bujar Leskaj në KLSH, dhjetë nga PD me në krye Rusmailin, kundër

Bujar Leskaj dhe Sali Berisha
luis tanushi
Presidenti Bamir Topi dhe kryeministri Sali Berisha duket se kanë arritur të gjejnë gjuhën e përbashkët për të emëruar kryetarin e ri të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Pas qëndrimit mohues të deputetëve demokratë për të propozuarin e Topit, Bujar Leskajn, ka ndërhyrë kryetari Berisha, i cili ka dhënë sinjalin që ai duhej pranuar. Burime brenda Partisë Demokratike thanë dje se kandidatura e Leskajt do miratohet në Kuvend edhe si një shenjë e paqes së përkohshme mes mazhorancës dhe Presidentit. Ato shpjeguan se ditën e hënë mazhoranca do të zyrtarizojë edhe qëndrimin e saj në mbledhjen e grupit parlamentar, edhe pse një grupim deputetësh është kundër.
Në këtë vendim të Berishës duket se kanë ndikuar një grupim deputetësh brenda PD-së. Deputetë si Gazmend Oketa, Dashnor Sula apo edhe bashkëpatrioti i tij, deputeti i Vlorës Kreshnik Çipi po lobojnë fort për marrjen e votave në seancë plenare. Këta deputetë njihen si bashkëpunëtorë të ngushtë të ish-ministrit Leskaj, madje edhe të kreut të shtetit Bamir Topi. Pas rrëzimit të kandidaturës së Sali Shehut, një tjetër ish-deputet demokrat, mbështetësit e Topit kanë kërkuar nga kryeministri që të ndalojnë luftën brenda llojit sepse po eliminojnë figura që kanë dalë nga vetë PD. Edhe në Gazetën Rilindja Demokratike, organ zyrtar i Partisë Demokratike brenda një kohe tepër të shkurtër janë botuar disa shkrime dhe opinione të Leskaj që mesa duket janë pjesë e paktit me Presidentin Topi.
Por miratimi i emrit të Leskajt në seancë plenare nuk pritet që të jetë edhe aq i lehtë. Ndonëse ka pëlqimin e kryetarit të Partisë Demokratike, anëtari i Këshillit Kombëtar ka krijuar brenda kësaj force edhe disa qejfmbetje. Burime brenda PD-së thanë se një grup prej dhjetë deputetësh, të drejtuar nga Ilir Rusmali, kanë kundërshtuar fuqimisht zgjedhjen e Leskajt në krye të KLSH-së. Kjo lidhet me kohën e kandidimit të Bamir Topit për President, ku Rusmali ka qenë një nga kundërshtarët më të fortë, ndërsa Leskaj rreshtohej në krahun e presidentit aktual. Një nga argumentet që mund të përdorin kundërshtarët e kandidaturës së Leskaj mund të ishte ajo e konsultimit paraprak të Presidentit Topi me parlamentit, siç ndodhi në rastin e kandidaturës së Shehut, vetëm se në këtë rast Bujar Leskaj ka doktoraturë për ekonomi.
Por burime pranë kandidatit Leskaj pohuan se sido që të shkojë çështja, grupimi i Rusmalit do të detyrohet që të votojë pro kandidaturës pasi është vendim i grupit. E kam dëgjuar çështjen e Rusmalit, por nuk besoj që të dalë kundër. Votimi do të jetë thjesht formal pasi është vendosur që kandidatura do të miratohet. Për më tepër Leskaj është anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së,- thanë burime brenda PD-së.
Tre grupimet brenda PD-së
Edhe pse në dukje një parti shumë kompakte, brenda PD-së ekzistojnë tre grupime të ndryshme, të cilat kanë vite që luftojnë se kush do të marrë kryesinë e partisë nëse largohet Berisha. Kjo është vënë re edhe nga ndërkombëtarët dhe veçanërisht Ambasada Amerikane në Tiranë, e cila në një kabllogram të prillit 2008 shënonte se PD drejtohet me autoritet të plotë nga kryetari Berisha, por pas tij vijnë tre grupime. Grupimet janë ai i Topallit, kryetare e Parlamentit, dhe grupimi Rusmali-Bode, ish-ministri i Drejtësisë dhe ministri aktual i Financave. Ata nuk lanë asnjë rast pa sulmuar grupimin e tretë, atë të Topit…,- thuhej në kabllogramin e ambasadës.
Kush është Bujar Leskaj
Bujar Leskaj ka lindur në Vlorë në 3 korrik 1966. I martuar me katër fëmijë, Leskaj mban gradën Doktor i Shkencave ekonomike. Ai është diplomuar në vitin 1990 me titullin Inxhinier nafte; në 1998 Ekonomist dhe në 2002 Jurist. Në 2003 ka kryer master në Universitetin e Nebraskës, SHBA dhe ka kryer studime të ndryshme pasuniversitare brenda vendit. Që nga viti 2004 ai është i regjistruar si avokat.
Për sa i takon veprimtarive personale, Leskaj 1993-1994 ka qenë doganier në Degën e Doganës, Vlorë; 1994-1997, Kryetar i Degës së Doganës, Vlorë; 1997 (prill-gusht), Nëndrejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Që nga viti 2000 e këtej ka punuar si pedagog ekonomie.
Në vitin 1997 Leskaj është bërë anëtar aktiv i Partisë Demokratike. Në vitin 2001-2009 është zgjedhur anëtar i Këshillit Kombëtar të PD. Në vitet 2005-2009 Leskaj ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe për dy vjet ka qenë ministër i Kulturës.
Kushtetuta, si zgjidhet kreu i KLSH
Sipas nenit 162 të Kushtetutës, Kontrolli i Lartë i Shtetit është institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar. Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit emërohet dhe shkarkohet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës. Ai qëndron në detyrë për shtatë vjet, me të drejtë rizgjedhjeje. Kontrolli i Lartë i Shtetit kontrollon veprimtarinë ekonomike të institucioneve shtetërore e të personave të tjerë juridikë shtetërorë; përdorimin dhe mbrojtjen e fondeve shtetërore nga organet e pushtetit qendror dhe atij vendor; veprimtarinë ekonomike të personave juridikë, në të cilët shteti ka më shumë se gjysmën e pjesëve ose të aksioneve, ose kur huat, kreditë dhe detyrimet e tyre garantohen nga shteti. Neni 164 i Kushtetutës parashikon që KLSH i paraqet Kuvendit raport për zbatimin e buxhetit të shtetit si dhe informacion për rezultatet e kontrolleve sa herë që kërkohet nga Kuvendi.
Leskaj organizoi drekën e mbështetësve të Topit në Vlorë dhe pas takimit sulmoi Ilir Rusmalin
Në fund të qershorit 2007, në kulmin e krizës politike për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, Bamir Topi ka vendosur forcërisht kandidaturën e tij për këtë post. Kreu i PD-së, Sali Berisha ishte kundër zgjedhjes së nënkryetarit të tij dhe kërkoi që të shqyrtoheshin kandidatura të tjera. Në formë presioni, në 30 qershor 2007 nënkryetari i PD-së së kohës, Bamir Topi mbledh për një drekë private 20 deputetë. Dreka zhvillohej në qytetin e Vlorës dhe ishte organizuar nga Bujar Leskaj. Dreka treorëshe në Vlorë është cilësuar si presion i Bamir Topit ndaj Berishës duke i treguar se ai i kishte votat si për tu zgjedhur vetë president, ashtu edhe për ti prishur punë çdo kandidature tjetër.
Vetë Topi iu shmang medieve kur doli nga lokali dhe në emër të tij foli Bujar Leskaj. Teksa Topi po hynte në makinë Leskaj ka folur me ironi përpara kamerave duke thënë: Po shkoj ti hap rrugën presidentit të ri. Më pasi i shpjegoi medieve se takimi ishte një mesazh që Bamir Topi mbështetej nga një grup i madh deputetësh të djathtë.
Kundër zgjedhjes së Topit ishte renditur një tjetër grupim në PD, ai që në formë jo zyrtare drejtohej nga Ilir Rusmali, por që mendohet se ishte i shtyrë nga Berisha, i cili mbështeste kandidaturën e Fatos Nanos për president. Duke e pranuar në mënyrë indirekte këtë fakt, Leskaj u shpreh: PD-në dhe të djathtën nuk mund ta udhëheqë djali i Çajup Rusmalit, dhe presidenti nuk mund të zgjidhet nga djali i Çajup Rusmalit, dhe Thanas Nanos. Çajup Rusmali, i ati i deputetit të sotëm të PD-së ka qenë anëtarë i strukturave kryesore të PPSH-së. Kjo deklaratë e Leskajt shënon fillimin zyrtar të konfliktit mes tij dhe Ilir Rusmalit.
Deputetët
Bamir Topi
Gazment Oketa
Bujar Leskaj
Ardian Kollozi
Pal Dajçi
Tom Doshi
Sami Gjergji
Sali Shehu
Edmond Spaho
Mevlan Xhindole
Mehmet Hoxha
Jak Ndoka
Galip Ramadhi<