Proporcional rajonal me korrektim kombëtar

Damian Gjiknuri
Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri, ka sqaruar dje mënyrën se si do të funksionojë puna e komisionit që është ngritur në seancën e fundit parlamentare. Në një intervistë të publikuar në faqen zyrtare të Partisë Socialiste, ai shpreh qëndrimin zyrtar të PS-së, i cili është modifikimi i sistemit zgjedhor nga proporcional rajonal në kombëtar.
Zoti Gjiknuri, në seancën e fundit parlamentare u ngrit komisioni për reformën zgjedhore. Si do të funksionojë ky komision?
Komisionet e reformës zgjedhore, praktika zgjedhore në Shqipëri, në praktikën e këtyre viteve të fundit ka qenë në përgjithësi komisione bipartizane, të cilat kanë pasur një baraspeshë politike, duke u përfaqësuar spektri i majtë dhe spektri i djathtë sipas rastit, pra opozita dhe mazhoranca gjithmonë në mënyrë të barabartë, duke synuar një vendimmarrje konsensuale dhe duke i dhënë në një farë mënyrë dy partive kryesore dhe një lloj të drejte pak më shumë të drejta se sa partive të tjera, sa i përket ecurive të Komisionit. Por nga ana tjetër, ne kemi treguar kujdesin e duhur që dhe këtë element negativ për sa i përket mënyrës dhe vendimmarrjes së dy partive të mëdha, ta zbusim duke futur përfaqësimin e të gjithë partive parlamentare, sepse dhe ato janë të interesuara për reformën zgjedhore, dhe për të krijuar një hapësirë të një konsultimi të gjerë me të gjithë partitë e tjera joparlamentare që kanë një përqindje të caktuar dhe kemi zgjedhur një përqindëshin e votave në shkallë vendi duke u nisur nga zgjedhjet e kaluara. Do të thotë se janë mbi 10-12 parti, që dhe ato do të konsultohen në mënyrë të përhershme për të gjitha propozimet e mundshme.
Pra, edhe nëse nuk janë pjesë e komisionit?
Edhe nëse nuk janë pjesë e komisionit të reformës zgjedhor këto parti do të kenë aksesin e mjaftueshëm. Pra në një farë mënyrë ato do të jenë anëtarë, por pa të drejtë vote. Në këtë pikëpamje adresojmë dhe atë shqetësim të ngritur në përgjithësi për një lloj gjithë përfshirje në reformën zgjedhore. Por, peshën kryesore për sa i përket gjetjes së një konsensusi, do ta kenë partitë parlamentare, dhe në veçanti dy partitë kryesore.
Cilat janë çështjet të cilat PS mendon që duhen adresuar domosdoshmërish në këtë komision?
Komisioni në vetvete qëllim primar ka adresimin të problemeve që kanë zgjedhjet në Shqipëri, me të cilat fatmirësisht janë identifikuar më mënyrë të shumtë në vitin 2009 dhe në vitin 2011, mund të jetë edhe fatkeqësi, sepse e mira do të ishte Shqipëria të kishte arritur standardet. Kjo do të thotë se ka një brumë të mjaftueshëm nga mund të fillohen diskutimet dhe amendimet e ndryshme, pra gjithë kuadrit ligjor që ka të bëjë me zgjedhjet. Janë shumë çështje të cilat kanë qenë problematike, që janë çështjet që kanë të bëjnë me votimin familjar, votimi fiktiv, problemet me listat e zgjedhësve, që janë të dokumentuara dhe në raportet e OSBE/ODIHR-it dhe që gjejnë dhe rekomandime konkrete. Gjithashtu një problem i rëndësishëm është numërimi, i cili meriton të gjejë dhe ai një trajtim të duhur për të dhënë zgjidhje më të mira se sa zgjedhjet e kaluara, pasi ka qenë një burim konflikti, dhe mbi të gjitha administrate zgjedhore. Dhe këtu e kam fjalën dhe për KQZ, por dhe administratën në nivele të ndryshme që është dhe niveli gjyqësor, për sa i përket ankimimit dhe sidomos në zgjedhjet e fundit, por dhe ato të vitit 2009, politizimi i administratës zgjedhore dhe roli politik i KQZ minoi procesin zgjedhor, duke u kthyer në një gangrenë për zgjedhjet dhe normalisht thithi dhe kritikat e opinionit ndërkombëtar dhe misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë në këtë drejtim. Prandaj, kjo do të jetë një pikë që meriton të rishikohet dhe të adresohet në mënyrë të tillë që administrata zgjedhore, veçanërisht KQZ, të jetë jashtë kthetrave të ekzekutivit. Kështu që PS edhe për këtë pikë është shumë e shqetësuar, ashtu sikurse dhe për pikat e tjera që janë në themel të standardeve të zgjedhjeve dhe pa u adresuar ato, ne nuk do të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme sipas standardeve bashkëkohore të cilat të gjithë ne duhet ti kërkojmë.
Për sa i takon sistemit zgjedhor, shohim që partitë e vogla kanë një shqetësim të fortë për ndryshim, korrektim, për një qasje ndryshe ndaj sistemit zgjedhor. Cili është qëndrimi që do të mbajë PS në këtë komision?
Sistemi zgjedhor është një debat i hapur. Sistemi zgjedhor nuk ka rekomandime konkrete për sa i përket standardeve, por sistemi zgjedhor edhe i yni ka problem të mëdha sa i përket proporcionalitetit të votës që në një farë mënyrë është një princip i rëndësishëm demokratik. Për ta shpjeguar më qartë, kjo ka të bëjë me faktin që një sistem zgjedhor duhet të synojë që vota e hedhur të jetë sa më në proporcion me mandatet e prodhuara. Çështë e vërteta ky sistem, siç e ka thënë ironikisht edhe vetë zoti Berisha, u ka rënë më qafë partive të vogla. Jo më larg se para dy muajsh, ai bëri dhe thirrje që është i hapur që të rishikohet sistemi zgjedhor. Megjithatë, ne presim që atë që ka thënë që është i hapur, ta bëjë realitet në momentin kur të dëgjojmë propozimet për sistemin zgjedhor. PS është e hapur për rishikimin e sistemit, pasi janë shumë parti të vogla që e kanë ngritur këtë çështje dhe ne do ti dëgjojmë ato. Dhe një nga arsyet e rëndësishme se pse ato do të jenë pjesë e tryezës, është dhe për të dëgjuar shqetësimet dhe argumentet e tyre në lidhje me sistemin zgjedhor dhe patjetër që dhe ne kemi qëndrimin tonë. Një gjë mund ta them fare qartë, që ne jemi të hapur për të rishikuar sistemin zgjedhor, deri mbase drejt një forme të korrektimit kombëtar, për aq sa është e mundur. Duke ruajtur këtë element mjaft të rëndësishëm, dhe përfaqësimin rajonal dhe proporcionalitetin e votës në rang kombëtar, në mënyrë që dhe partitë që kanë një peshë elektorale të ndjehen të përfaqësuara. Kjo do të jetë një punë në proces. Shpresojmë të ndërtojmë një konsensus në lidhje me të.
Kryesia e PS: Të ndëshkohen ata që votojnë ndryshe nga grupi
denis dedej
Thyerja e vendimit të grupit parlamentar socialist nga disa deputetë në procedurën e votimit të disa ligjeve në seancën e fundit plenare ka shkaktuar debate në strukturat e Partisë Socialiste. Paraditen e djeshme në selinë rozë është mbledhur kryesia e grupit e cila ka kritikuar qëndrimin e një pjesë të grupit për të mos marrë pjesë në votim. Të njëjtat burime sqarojnë se edhe rasti i deputetit Ben Blushi dhe Arben Malaj, të cilët votuan pro kandidaturës së Ardian Fullanit si guvernator i Bankës së Shqipërisë është analizuar dje në mbledhjen e Kryesisë së grupit. Mësohet se anëtarët e kryesisë së grupit kanë kërkuar që të zbatohen vendimet e grupit, pasi nuk mund të vijohet me thyerjen e rregullave në rastet kur ka një vendim politik. Për votimin e Kodeve ka pasur një marrëveshje PS-PD, ndërsa 10 deputetë socialistë kanë abstenuar.
Për këtë gjë socialistët kanë vendosur që të ndëshkojnë këdo që shpreh votën ndryshe nga sa është vendosur. Mënyra e votimit për projektligje apo raporte të ndryshme do të orientohet nga kryesia e grupit. Në rastet e vendimeve politike çdo deputet është i detyruar të zbatojë vendimmarrjen e strukturave. Për të gjitha shkeljet parashikohen masat disiplinore të parashikuara edhe në statut,- parashikohet në këtë rregullore. Kjo e fundit megjithëse është ndryshuar për herë të fundit në mars të vitit 2010, deri më tani nuk është vënë në zbatim. Rregullorja parashikon që pas tre paralajmërimeve të merret masa që parashikohet në statutin e Partisë Socialiste. N