E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bujar Nishani, Presidenti i ri i Shqipërisë

12-06-2012 / Gazeta 55

Kuvendi ka zgjedhur me 73 vota Bujar Nishanin si kryetar të ri të shtetit, deri më 24 korrik 2017. Votimi ka konfirmuar soliditetin e mazhorancës, e cila e ka votuar unanimisht kandidaturën e saj, ndërkohë që opozita s’ka guxuar t’ia nënshtrojë votës së fshehtë, luajalitetin e grupit të saj parlamentar. Opozita s’mori pjesë në votim, duke u vetëpërjashtuar nga përmbushja e një detyrimi kushtetues


Pas 4 raundesh votimi, Kuvendi zgjedh presidentin e ri të vendit. Kandidati i propozuar nga mazhoranca, Bujar Nishani mori 73 vota “pro” nga 76 deputetë pjesëmarrës në votim. Sipas Sekretariatit të Votimit të Kuvendit të Shqipërisë, i cili organizoi dhe zhvilloi procedurat e votimit në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, rezultoi se, 73 deputetë kanë votuar “pro” kandidatit të mazhorancës, Bujar Nishani, një deputet kundër dhe dy fletë votimi ishin të pavlefshme. Parlamenti e mbylli zgjedhjen e Presidentit me votimin e katërt, pas ezaurimit të tre raundeve të para, duke vënë për herë të parë në jetë atë pikë të nenit të ndryshuar të Kushtetutës në vitin 2008, sipas të cilës në votimin e katërt dhe të 5 presidenti i republikës zgjidhet me 71 vota me atë që njihet si shumica e thjeshtë e 140 deputetëve. Kuvendi shqiptar prodhoi një figurë politike si President, pasi dështuan të gjitha përpjekjet për të pasur një kandidat jashtë politikës në mënyrë që të gëzonte edhe mbështetjen e pakicës parlamentare. Xhezair Zaganjori dhe Artan Hoxha nuk e gëzuan këtë konsensus dhe aleatët e shumicës në pushtet mbërritën tek emri i ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, kandidatura e të cilit u publikua menjëherë pas tërheqjes së Hoxhës nga kandidimi.




Koalicioni qeverisës nuk i reshti bisedimet, ndërsa kishte dhënë Ok paraprak për katër kandidatët që u vunë në tryezën ku u ftua të merrte pjesë edhe kryetari i opozitës Edi Rama, Bujar Nishani, Artan Hoxha, Arben Imami dhe Petraq Milo. Por, cilat ishin zhvillimet e ditës së djeshme? Para votimit në Kuvend, Bujar Nishani arriti të sigurojë mbështetjen unanime të Partisë Demokratike dhe koalicionit mazhoritar, duke marrë 26 firma, përfshirë edhe deputetë nga radhët e aleatëve. Konfirmimi i tij kandidat zyrtar i mazhorancës, u bë pas mbledhjes së grupit Parlamentar demokrat. Pas mbledhjes së grupit kuvendor, deputetët e PD-së kanë firmosur raportin ku japin mbështetjen e tyre për një kandidaturë të tillë. Deputetët e selisë blu që dhanë firmat për kandidaturën e Nishanit janë, Florian Mima, Mark Marku, Aurel Bylykbashi, Rajmonda Bulku, Luçiano Boçi, Genc Strazimiri, Sherefedin Shehu, Genc Ruli, Arenca Trashani, Astrit Bushati, Mehmet Xheka, Ardian Turku, Sokol Olldashi, Flamur Noka, Selami Xhepa, Ndriçim Babasi, Sybi Hida, Kreshnik Çipi, Dashnor Sula, Dashamir Tahiri, Ylli Lama. Njëkohësisht në listën e firmëtarëve që mbështesin Nishanin ishin dhe firmat e anëtarëve të partive aleate në koalicionin qeverisës, përfshirë këtu, Shpëtim Idrizi, Ilir Meta, Fatmir Mediu, Dashamir Tahiri, Vangjel Tavo. Më pas detyra i shkoi komisioni parlamentar të ligjeve, i cili miratoi raportin me një kandidaturë të tillë, vetëm me votat e mazhorancës. Raportin e tij ky komision ia delegoi seancës parlamentare, e cila dha verdiktin e saj mbi emrin e Nishanit, duke e zgjedhur atë në postin e kryetarit të ri të shtetit. Sipas Kushtetutës, Presidenti qëndron në detyrë për 5 vite me radhë, ndërkohë që ka të drejtën e rikandidimit për këtë post vetëm një herë. Pas zgjedhjes dje nga parlamenti, së shpejti do të zhvillohet ceremonia e betimit të Kreut të ri të shtetit dhe më pas ceremonia e dorëzimit të detyrës Presidentit të sapo zgjedhur më 24 korrik, nga ana e presidentit aktual, Bamir Topi. 


Gjatë 21 viteve të pluralizmit politik Shqipëria ka pasur gjashtë Presidentë, në vijë kronologjike: Ramiz Alinë, Sali Berishën, Rexhep Meidanin, Alfred Mosiun, Bamir Topin dhe Bujar Nishanin, i zgjedhur dje.


...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›