E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shuhet ish-trajneri i kombëtares, Medin Zhega

Share

Ish-trajneri i njohur i kombëtares shqiptare, Medin Zhega, ka ndërruar jetë pasditen e sotme, në moshën 66-vjeçare.

Zhega ndodhej në gjendje kome prej rreth një vit, pasi u rrëzua në apartamentin e një të afërmi të tij në Kanada.

Ish-futbollisti dhe ish-trajneri i njohur shkodran, baba i dy fëmijëve, luftoi gjatë me vdekjen, por nuk e mori dot veten dhe sot ndërroi jetë në spitalin Nënë Tereza.

Medin Zhega ka qenë një nga emrat dhe personalitetet më të shquara të futbollit shqiptar.

Biografia e plotë e ish teknikut kuqezi, Medin Zhega:

Medin Zhega ka lindur në Shkodër më 31 janar 1946. Shkollën e mesme e ka kryer në qytetin e lindjes, studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Dega Kimi-Mercologji.

Ka kryer studimet e larta edhe në Institutin e Kulturës Fizike dhe Sporteve “Vojo Kushi” (sot Akademia e Sporteve).

Në periudhën 19631979, ka luajtur futboll me ekipet e Vllaznisë dhe Dinamos, duke qenë një nga lojtarët më të mirë të vendit, i shquar si golashënues në ndeshje kombëtare dhe ndërkombëtare. Nga viti 1965 e në vazhdim ka qenë anëtar i ekipit kombëtar të futbollit. Në vitin 1981 mbaron shkollën e trajnerëve në Austri. Ka kryer gjithashtu një seri kualifikimesh për trajner, jashtë vendit.

Në vitet 1984-1986 ka punuar si ndihmëstrajner i ekipit kombëtar dhe atij olimpik. Në vitet 1992-1996 ka qenë deputet i Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë. Në vitet 1999-2001 ka qenë trajner i ekipit Kombëtar të Shqipërisë. Nën drejtimin e Mjeshtrit Zhega, skuadra ynë Kombëtare, në vitin 2001, fiton turneun “Rothmans” në Maltë.

Ka fituar titullin e lartë “Mjeshtër i Merituar i Sportit”.

Pasi shkarkohet nga detyra e trajnerit të ekipit Kombëtar të Shqipërisë, post që e mbajti deri në vitin 2001, ai emërohet anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së. Përsëri, këtë post e mban deri në vitin 2010. Në vitin 2009, gjatë transmetimit të spektaklit për nder të 90-të vjetorit të themelimit të klubit shumësportesh “Vllaznia”, ai nderohet me titullin “Qytetar Nderi” i qytetit të Shkodrës.

Më 5 maj 2011, gjatë një udhëtimi familjar dhe qëndrimi në Toronto të Kanadasë, ai pëson një aksident i cili fatkeqsisht e dënoi fillimisht me paralizë dhe sot me ndarjen përfundimtarë nga jeta.

Rama: Trishtim për vdekjen e Din Zhegës, një yll i futbollit të fëmijerisë sonë
Kreu i PS-së Edi Rama ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish trajnerit të kombëtares, Medin Zhega. Përmes rrjetit social Twitter ai shpreh trishtimin, duke e vlerësuar një yll të futbollit të fëmijërisë së tij.
Trishtim për vdekjen e Din Zhegës, një yll i futbollit të fëmijërisë sonë e një burrë i mirë që e kam njohur kur drejtonte Kombëtaren! R.I.P, shkruan Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›