Trojka e ambasadorëve, Urime për Presidentin e ri

Ambasadori Arvizu: Mbështesim përpjekjet e presidentit Nishani për të forcuar sundimin e ligjit dhe pavarësinë e institucioneve
Ambasadori Sequi: Roli i Nishanit, me rëndësi për të përballuar sfidat e integrimit
Ambasadori Wollfarth: Zgjedhja e presidentit Nishani, një lajm i mirë
Trojka e ambasadorëve në vendin tonë shprehën vlerësime për zgjedhjen e Bujar Nishanit President të Republikës. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksandër Arvizu e shprehu simpatinë e tij që para votimit, duke i dhënë bekimin kandidatit të ofruar nga mazhoranca. Pas votimit në Kuvend, ambasada e SHBA-së i përcolli urime të ngrohta Bujar Nishani për zgjedhjen e tij si President i Republikës së Shqipërisë. “Në postin e tij aktual dhe ato të mëparshme qeveritare, Nishani ka shërbyer në mënyrë të respektueshme dhe të përgëzueshme, si dhe ka bërë shumë për të çuar përpara marrëdhëniet e bashkëpunimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Shtetet e Bashkuara i urojnë suksese Nishanit dhe presin me kënaqësi të punojnë me të për të çuar përpara arritjet demokratike të fituara gjatë 21 viteve të shkuara. Në veçanti, do të mbështesim përpjekjet e tij për të forcuar sundimin e ligjit dhe për të ruajtur pavarësinë e institucioneve të Shqipërisë, dhe, së bashku me partnerë të tjerë ndërkombëtarë, për të realizuar aspiratat legjitime të popullit shqiptar për ta parë vendin të marrë vendin që i takon si një anëtar i integruar plotësisht në bashkësinë euro-atlantike”, thuhet më tej në njoftimin e ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ndërkohë, kreu i delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi menjëherë pas votimit përgëzoi Bujar Nishanin për zgjedhjen si i pari i shtetit. “Dëshiroj t’i uroj z. Nishani suksese si President, post i cili përfaqëson unitetin e popullit”, shprehet z. Sequi.
“Roli i Presidentit në konsolidimin e pavarësisë së institucioneve shtetërore të Shqipërisë dhe për të ndihmuar vendin në bashkimin e të gjitha përpjekjeve do të jetë me rëndësi të vendimtare për Shqipërinë për të përballuar me sukses sfidat në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian”, shprehet Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ambasadori, Ettore Sequi.
Edhe kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth i ka dërguar një mesazh urimi kandidatit të mazhorancës për president, Bujar Nishani.
“Zgjedhja e Nishanit si president i ardhshëm i Shqipërisë është lajm i mirë. Ne e çmojmë punën e vendosur të Ministrit për shtetin e së drejtës, në projekte të shumta me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri. Unë jam i bindur se dija e tij e thellë dhe përvoja e gjerë do të bëjnë që ai t’i shërbejë vendit të tij në mënyrën më konstruktive”, tha Wollfarth.
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani u propozua mazhoranca kandidat zyrtar për Presidentin e Republikës, menjëherë pas tërheqjes nga gara e analistit, Artan Hoxha, si një nga emrat e propozuar në tryezën e negociatave mes mazhorancës dhe Partisë Socialiste, e cila përfundoi pa konsensus.
...