Bujar Nishani: Rekomandimet e mbetura, plotësisht të arritshme
Presidenti merr nga Ambasadori i BE-së Sequi, Progres-Raporti për Shqipërinë 2012
Presidentit të Republikës, Bujar Nishani iu dorëzua pasditen e djeshme nga Kreu i Prezencës së Bashkimit Evropian në Tiranë, Ambasadori Ettore Sequi, Progres-Raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitin 2012. Siç njofton zyra e shtypit e Presidencës, Ambasadori Sequi theksoi se Progres-Raporti njeh arritjet e Shqipërisë bazuar në 12 rekomandimet e Komisionit Evropian dhe rekomandon hapat e nevojshëm që duhet të ndërmerren bazuar në një vullnet të përbashkët politik për kryerjen e reformës parlamentare, reformimin e drejtësisë dhe reformën administrative. Sipas ambasadorit Sequi roli i Presidentit të Republikës në mbështetje të konsensusit politik është vendimtar.
Nga ana e tij Presidenti Nishani falënderoi Komisionin Evropian për objektivitetin e treguar në Progres-Raport e për ndihmën e vazhduar që Komisioni Evropian dhe vendet e tjera të BE-së i kanë dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit evropian. Presidenti i Republikës falënderoi në mënyrë të veçantë Delegacionin e Komisionit Evropian në Tiranë për veprimtarinë profesionale në mbështetje të institucioneve shqiptare dhe realizimit të reformave.
Pasi i vlerësoi rekomandimet e mbetura si plotësisht të arritshme, Presidenti Nishani shprehu bindjen se klasa politike shqiptare dhe të gjithë aktorët e përfshirë do të vazhdojnë kontributin e tyre të përkushtuar në përmbushjen e këtyre rekomandimeve duke ndarë së bashku përgjegjësitë dhe frytet e suksesit.