Shpejtësia me të cilën Shqipëria po ecën në korsinë drejt integrimit në BE
Konferenca ndërkombëtare me temë “Shpallja e Pavarësisë dhe Mjedisi Ndërkombëtar”, është kaq domethënëse në prag të përvjetorit njëshekullor të Pavarësisë së Shqipërisë dhe të shtetit të saj bashkëkohor. Ky prag-përvjetor njëshekullor është edhe ai i themelimit të Forcave të Armatosura Shqiptare në 4 dhjetorin e vitit 1912. Bashkimi i këtyre dy përvjetorëve në tematikën e kësaj konference ka rëndësinë themelore të lidhjes ndërmjet pavarësisë së një shteti dhe sigurisë së tij në përjetësi.
Konferenca merr rëndësinë e saj jo vetëm prej tematikës dhe zhvillimit të saj në periudhën e mbushur me festime në prag të këtyre ngjarjeje madhore dhe shumë të tjerave të historisë së Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Ajo është shumë e veçantë edhe sepse është e para konferencë shkencore ndërkombëtare e cila organizohet në lëmin e historisë ushtarake nga ushtarakë dhe studjuesit e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Organizimi i kësaj konference u bë i mundur me kujdesin e veçantë të Ministrit të Mbrojtjes Z. Arben Imami.
Kam kënaqësinë, me këtë rast, të falënderoj të gjithë ata që morën pjesë në përpjekjet serioze për organizimin e konferencës dhe në mënyrë të veçantë folësit vendas e të huaj. Mirënjohja ime në emër të Ministrisë së Mbrojtjes shkon edhe për të gjithë të pranishmit në këtë konferencë.
Në mënyrë të veçantë falënderoj Komandën e Doktrinave dhe të Stërvitjes dhe drejtuesit e saj.
Dy ngjarjet për rëndësinë e të cilave diskutohet në këtë konferencë, 28 nëntori i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe 4 dhjetori i themelimit të Forcave të Armatosura, janë të lidhura ngushtësisht me shumë aktorë dhe rrethana, por unë do të doja të theksoj se ato nuk kanë qenë rrjedhojë e përpjekjeve të vetmuara të shqiptarëve në hapësirë dhe në kohë. Shqiptarët janë munduar gjatë për pavarësinë e shtetit të tyre dhe institucionet e tij të mbështetur nga popuj e shtete të ndryshëm miq.
Do të doja të përdor këtë rast sot për të shprehur mirënjohje të thellë për të gjithë ata aktorë shqiptarë dhe joshqiptarë, shtetërorë dhe jo-shtetërorë të cilët mundësuan jo vetëm pavarësinë e Shqipërisë dhe themelimin e Forcave të saj Armatosura njëqind vjet më parë por edhe arritjet tona të mëdha që përjetojmë sot në këtë prag njëqindvjetori. Nder i veçantë u përket martirëve të këtyre ngjarjeve të mëdha gjatë një shekulli!
Shpresoj me bindje të veçantë se, përmes folësve të saj të shquar shqiptarë e të huaj dhe diskutimeve të pjesëmarrësve, konferenca do të japë ndihmesë të veçantë për historinë e lindjes, formimit dhe konsolidimit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, duke ndriçuar më fort anë të veçanta të kësaj historie apo duke sjellë fakte dhe dokumente të reja në dobi të saj. Historia e Forcave tona të Armatosura ka qenë e mbushur me shumë sfida e vështirësi të papërsëritëshme po ashtu si edhe e gjithë historia e shtetit shqiptar dhe e shqiptarëve.
Sot, në prag të njëqind vjetorit të këtyre forcave, ne mund të ndjehemi krenar për një fakt madhështor. Nga Forca të Armatosura të një shteti të sapopavarësuar që bënte përpjekje heroike për mbijetesë, ato janë shndërruar në Forca të Armatosura të një vendi anëtar të Aleancës Atlantike më të suksesshme të historisë dhe japin gjithnjë e më mirë ndihmesën e tyre për sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare si dhe përparimin e vendeve të tjerë me histori të vështirë dhe plot sfida si Afganistani.
Në një këndvështrim më të gjerë historik, në këtë qindvjetor shteti i sotëm shqiptar është duke ecur me shpejtësi në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian dhe po zhvillon me ritme të shpejta ekonominë e vendit. Në fund të fundit, ecuria e suksesshme e forcave të armatosura të një vendi demokratik nuk mund të jetë e shkëputur prej dhe në dëm të zhvillimit të tij të përgjithshëm dhe standardit të jetesës të qytetarëve të tij, por ecën dhe përparon krahas këtij zhvillimi.
Duke dashur të ndaj me ju disa mendime mbi këtë përvjetor të madh të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, më lejoni të shpreh pak ide që ndoshta mund t’i bashkëngjiten diskutimeve të kësaj konference.
Para së gjithash, 28 nëntori i vitit 1912 është Dita e Pavarësisë së një shteti shqiptar që është shumë më i vjetër sesa njëqind vjet, por është natyrisht përgjegjësia e pakonkurrueshme e historianëve që të përcaktojnë se kur u krijua ky shtet.
Njëqind vjetët e shtetit që nisin të numërohen prej vitit 1912 dhe që mund të vështrohen si vitet e shtetit bashkëkohor apo modern shqiptar mund të shikohen si një argument i pakundërshtueshëm në mbështetje të mësimit historik se liria është një prej vlerave më madhështore e nxitëse të zhvillimit të shoqërisë njerëzore e cila arriti të bëjë Shqipërinë e sotme siç e deshën etërit e pavarësisë vetëm në më pak se gjysmën e shekullit që kaluam, sepse vitet e tjerë u shpërdoruan nën diktaturë.
Pavarësia e Shqipërisë e vështruar prej rrethanave të sotme të Ballkanit dëshmon përjetësisht se të drejtat e popujve nuk mund të zhbëhen dhe se qëndrimi ndërkombëtar ndaj tyre është faktor i rëndësishëm paqeje dhe sigurie rajonale.
Së fundi, historia e Shqipërisë e keqtrajtuar dhe shtrembëruar nga ndikimet politike të së kaluarës ka nevojë të zgjerojë këndvështrimin e saj mbi veprimtarët vendas dhe ndërkombëtarë që çuan në pavarësinë e saj të vitit 1912, sepse ata dhe roli i tyre janë shumë më të mëdhenj sesa është shkruar deri tani. E njëjta gjë mund të thuhet me bindje edhe për ata që përgjatë një shekulli dhanë ndihmesën e tyre për zhvillimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
Fjala e mbajtur në konferencën ndërkombëtare me temë “Shpallja e Pavarësisë dhe Mjedisi Ndërkombëtar”, organizuar në mjediset e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes e Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë, Tiranë, 10 tetor 2012