E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bujar Nishani betohet si President i ri i Republikës

Pasi Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli lexoi: "Betohem, se do t'i bindem Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, do të respektoj të drejtat dhe liritë e shtetasve, do të mbroj pavarësinë e Republikës së Shqipërisë dhe do t'i shërbej interesit të përgjithshëm dhe përparimit të Popullit Shqiptar", Nishani duke vendosur dorën mbi Kushtetutë, tha: “Betohem. Zoti më ndihmoftë!”

Të pranishëm në seancën e sotme speciale ishin deputetë të të gjitha grupeve parlamentare, ambasadorë të akredituar në Shqipëri, kryetarë të komuniteteve fetare , familja e Presidentit të ri etj.

Pasi falënderoi të gjithë zyrtarët e lartë ndërkombëtarë për mesazhet e urimit me rastin e zgjedhjes në krye të shtetit.. Presidenti Nishani tha se “Sot u betova në Kuvendin e Shqipërisë, u betova mbi kushtetutë për të mbrojtur ligjet dhe interesin e shqiptarëve. Unë po e marr këtë detyrë në 100-vjetorin e pavarësisë. Kjo rrugë nuk ka qenë e lehtë por pas 20 viteve të fundit ne kemi sot një Shqipëri më të lirë. Nga vendi më i izoluar në Evropë sot mban presidencën e radhës së këshillit të Evropës”.

Më tej Nishani u angazhua për bashkëpunim si me maxhorancën ashtu edhe me opozitën me objektiv të vetëm arritjen e integrimit evropian të Shqipërisë, ndërkohë që shprehu bindjen e tij se këtë vjeshtë Shqipëria do të marrë statusin e vendit kandidat.

Pas përfundimit të ceremonisë së betimit (rreth orës 18:55) në Parlamentin e Shqipërisë, Presidenti i ri i Republikës, Bujar Nishani u nis për në Presidencë u takua me Presidentin në ikje të Shqipërisë, Bamir Topin.

Ndërkohë, rreth 500 të ftuar, mes të cilëve edhe kryeministri Berisha, kryeparlamentarja Topalli, kryesocialisti Rama, ministra, deputetë, ambasadorë, liderë fetarë, ish-Presidentë etj zunë vend në tribunat e ngritura në Oborrin e Presidencës.

Pas dëgjimit të himnit dhe të 21 të shtënave të topit (19:30), kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja i dorëzoi Kushtetutën Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, i cili “ tha se ndihem i privilegjuar për postin më të lartë që mund të marrë një individ në Shqipëri. Ky besim dhe nderim i madh mu dha në 100 vjetorin e pavarësisë”.

Presidenti i ri u dërgoi përshëndetje të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen, brenda territorit të Shqipërisë, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi apo në Luginën e Preshevës apo në diasporë.

Më tej, Presidenti i Ri i Republikës u përshëndet me ish-Presidentin Topi dhe bashkëshorten e tij, të cilët pas pesë vitesh në Presidencë u larguan sipas protokollit të shtetit, ndërsa Nishani pasi bëri foton zyrtare me familjen, u përshëndet me krerët e shtetit, ministrat, deputetët, kryetarët e partive, liderët fetarë, ambasadorët dhe miqtë e të ftuarit.

(15:00) Programi i Ceremonisë

18.30 - Ceremonia e betimit të Bujar Nishani, Presidentit të Zgjedhur të Republikës.

19.00-19.25 - Mbërritja e të ftuarve dhe sistemimi i tyre në tribunat përkatëse. Tribuna A rezervohet për titullarët e përfaqësive diplomatike, ndërsa Tribuna B dhe ajo qendrore C për personalitetet e larta shtetërore dhe miqtë e ftuar. Protokolli i Shtetit bën pritjen e të ftuarve në hyrje te Presidencës të cilët ecin në këmbë dhe vendosen ne secilën nga tribunat A, B si dhe tribuna qëndrore C, sipas skemës përkatëse.

19.15- Mbërritja e Presidentit të Republikës Bujar Nishani në Presidencë. (Hyrja do të bëhet nga krahu i zyrave të Presidencës)

Takimi i Presidentit te Republikës, Bujar Nishani me ish Presidentin e Republikës, Bamir Topi.

19.29 - Ish Presidenti i Republikës, Bamir Topi bashkë me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani, dalin nga zyra dhe drejtohen drejt hyrjes kryesore të Presidencës.

19.30 - Të dy Presidentët zënë vend në krye të shkallëve të Presidencës shoqëruar nga Drejtori i Protokollit të Shtetit sipas skemës përkatëse.

19.35 - Ekzekutohet Himni Kombëtar nga Banda e Ushtrisë, i pasuar nga 21 të shtëna topi me interval 30 sekonda nga njëra-tjetra. Gjatë gjithë kohës, Flamuri Kombëtar qëndron i ngritur.

19.38 - Truproja e Nderit parakalon para Presidentit të Republikës,  Bujar Nishani.

19.40 - Z. Bashkim Dedja, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, lëviz drejt Presidentit të Republikës  Bujar Nishani, për t’i dorezuar në mënyrë  simbolike Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese thotë: I nderuar Z.President, kam nderin t’ju dorëzoj Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Z.Bashkim Dedja i dorëzon Kushtetutën, Presidentit të Republikës Bujar Nishani.

19.44 - Fjala e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani. (e përkthyer në anglisht është shpërndarë për Trupin Diplomatik).

19.55 - Largimi i ish-Presidentit të Republikës, Bamir Topi nga Presidenca. Bamir Topi dhe Bujar Nishani pershendeten me shtrengrim duarsh.
Sh.T.Z.Bamir Topi përcillet deri në fund të shkallëve tek makina nga Drejtori i Protokollit të Shtetit.

Makina e ish-Presidentit shoqërohet nga katër motoçikletat ceremoniale dhe nga xhami i hapur mbrapa, përshëndet me dorë të gjithë të ftuarit e Tribunës A, kryesisht të Trupit Diplomatik.

20.00 - Presidenti i Republikës  Bujar Nishani së bashku me Zonjën e Parë dhe fëmijët zënë vendet e tyre në shkallët e Presidencës. Presidenti i Republikës, djathtas Zonja e Parë, majtas vajza dhe në krah të Zonjës së Parë djali. Mundësi për foto.

Pas përfundimit të fotove, Presidenti i Republikës dhe Familja e Tij, lëvizin drejt sallës ku do të bëhet pritja me rastin e marrjes së detyrës.

(10:51) 21 të shtëna topi për Nishanin në krye të Presidencës

Tiranë – Bujar Nishani merr sot zyrtarisht postin e Presidentit të Republikës, ndërsa e lë këtë post, Bamir Topi, ish-funksionar i Partisë Demokratike.

21 të shtëna topi do të shoqërojnë ceremoninë, përgatitjet për të cilën kanë nisur prej ditësh. Janë rreth 50 të ftuar që do të marrin pjesë në marrjen e postit të Presidentit të ri.

Ceremonia do të nisë në orën 19:00 të mbrëmjes. Rreth orës 19:30 minuta, Presidenti në ikje, Bamir Topi, do t’i dorëzojë Nishanit dosjet e mbetura për shqyrtim.

Në ceremoni pritet të jetë edhe kryeministri Sali Berisha dhe thuajse të gjithë zyrtarët e Partisë Demokratike. E gjithë ceremonia do të zhvillohet në pjesën e jashtme dhe të brendshme të Presidencës, gjithnjë nëse moti do të jetë i mirë, pasi janë parashikuar reshje shiu. Bujar Nishani u zgjodh pasditen e 11 qershorit me 73 votat e mazhorancës, ndërsa opozita nuk mori pjesë në votim.

Ndërkohë, nga ora 17.00 deri në orën 22.00, para Presidencës do të bllokohet qarkullimi u automjeteve. Policia e Tiranës bëri me dije se duke filluar nga ora 06.00 – 22.00 ndalohet parkimi i automjeteve në të dy krahët përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” duke filluar nga Ura e Lanës deri tek sheshi “Nënë Tereza” Tiranë. Gjithashtu, ndalohet parkimi i automjeteve ne te dy krahët e rrugës “Abdyl Frashëri” duke filluar nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” deri tek kryqëzimi i rrugës “Ibrahim Rugova” (Librit Universitar). Gjithashtu, ndalohet parkimi i automjeteve në Sheshin “Nenë Tereza”. /Start/

                                                                                             2012-07-24 19:47
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›