E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bujar Nishani merr sot zyrtarisht detyrën e Presidentit të Republikës

24-07-2012 / Gazeta 55

Në orën 18.30 Presidenti Nishani bën betimin në Parlament, ndërsa 60 minuta më pas zhvillohet ceremonia zyrtare e marrjes së detyrës në selinë e Presidencës
 
Presidenti i ri i Shqipërisë, Bujar Nishani merr sot zyrtarisht detyrën e presidentit të Republikës, pas seancës së betimit para Kuvendit të Shqipërisë. Ceremonia është përcaktuar deri në detaje ashtu siç e kërkon edhe protokolli i shtetit.
Kuvendi ka caktuar në orën 18.30 seancën e posaçme ku Nishani do të bëjë betimin si President, përpara deputetëve, ndërkohë që kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, do të lexojë formulën e betimit. Presidenti Nishani do të mbërrijë në orën 18.00 në hyrjen kryesore të Kuvendit ku do të pritet kryeparlamentarja Topalli.
Pas betimit, Presidenti i zgjedhur Bujar Nishani do të mbajë një fjalë të shkurtër para ligjvënësve të Kuvendit.
Të pranishëm në këtë seancë do të jenë trupi diplomatik, si dhe personalitete të jetës politike, shoqërore dhe fetare në vend. Pas seancës së betimit në Kuvend, Nishani do të niset drejt selisë së Presidencës, ku sipas protokollit të shtetit zhvillohet ceremonia e marrjes së detyrës.
Bujar Nishani u zgjodh President me 73 vota, ndërsa opozita ishte e pranishme në seancë por nuk mori pjesë në votim. Fundjavën e kaluar, Presidenti i zgjedhur, Bujar Nishani, përmes një letre dërguar kryetarit të PD-së, Sali Berisha, e njoftoi për largimin nga anëtarësia e PD dhe dorëheqjen nga të gjitha funksionet e zgjedhura në këtë parti.
 
Axhenda e ceremonisë
Nga ora 19.00 deri më 19.25 në selinë e Presidencës mbërrijnë trupi diplomatik dhe të ftuarit. Tribuna A rezervohet për titullarët e përfaqësive diplomatike, ndërsa Tribuna B dhe ajo qendrore C për personalitetet e larta shtetërore dhe miqtë e ftuar. Për 15 minuta, Presidenti në mbarim mandati, Bamir Topi, dhe Presidenti i ri, Bujar Nishani, do të qëndrojnë në zyrën e kreut të shtetit, në një takim ceremonial të dorëzimit të detyrës. Më pas, në orën 19.29 nis ceremonia zyrtare, ku dy presidentët dalin përpara derës qendrore. Pesë minuta më pas, ekzekutohet Himni Kombëtar dhe flamuri qendror i ngritur.
Pas himnit do të ketë 21 të shtëna topi me interval 30 sekonda nga njëra-tjetra.
Më pas, truproja e nderit do të parakalojë para Presidentit Bujar Nishani. Pas dorëzimit të Kushtetutës nga kreu i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, Presidenti Nishani, do të mbajë fjalën e inaugurimit, e cila zgjat më pak se 10 minuta. Pasi të marrë Kushtetutën, Presidenti Nishani do të mbajë një fjalim të shkurtër dhe më pas do të zhvillohet parakalimi tradicional i truprojës së nderit. Më pas kreu i shtetit, Bujar Nishani, bashkë me Zonjën e Parë, djalin dhe vajzën do të bëjnë foton ceremoniale.
Në fund, të pranishmit do të hyjnë në Pallatin e Brigadave për të marrë pjesë në pritjen zyrtare.
 
Policia masa për ceremoninë zyrtare para Presidencës
Policia e Kryeqytetit njofton se ka marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e zhvillimit normal të ceremonisë zyrtare para Presidencës në Tiranë.
Një deklaratën e shpërndarë për mediat njofton se, “Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, ka marrë një sërë masash organizative në drejtim të sigurimit të rendit dhe qetësisë, para, gjatë dhe pas përfundimit të kësaj ceremonie zyrtare”.
Policia, ndërkohë që fton të gjithë qytetarët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e tyre, lidhur me bllokimin e segmenteve rrugore:
 
Rrugët që do të bllokohen gjatë ceremonisë zyrtare:
Duke filluar nga ora 06.00 – 22.00 e datës 24.07.2012 ndalohet parkimi i automjeteve në të dy krahët përgjatë Bulevardit “Dëshmoret e Kombit” duke filluar nga Ura e Lanës deri tek sheshi “Nënë Tereza” Tiranë.
Duke filluar nga ora 06.00 – 22.00 e datës 24.07.2012 ndalohet parkimi i automjeteve në të dy krahët e rrugës “Abdyl Frasheri” duke filluar nga bulevardi “Dëshmoret e Kombit” deri tek kryqëzimi i rrugës “Ibrahim Rugova” (Librit Universitar).
Po ashtu lutemi qytetarëve për mosparkimin e automjeteve në Sheshin “Nënë Tereza” Tiranë.
Duke filluar nga ora 17.00 – 22.00 e datës 24.07.2012 ndalohet qarkullimi i automjeteve përgjatë Bulevardit “Dëshmoret e Kombit” duke filluar nga Hotel “Rogner” deri tek sheshi “Nënë Tereza” Tiranë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›