Bujar Nishani viziton Kosovën në fund të gushtit
Presidenti i ri i Shqipërisë, Bujar Nishani, do të vizitojë Kosovën më 30 dhe 31 gusht. Kjo do jetë vizita e parë e presidentit të ri jashtë vendit.
Megjithatë presidenca shqiptare nuk ka konfirmuar asgjë. Konfirmimin e ka bërë vetëm presidenca kosovare, që ka bërë edhe ftesën ndaj Nishanit. Jahjaga e ka ftuar homologun shqiptar, ndërsa presidenca kosovare thotë se kjo do jetë një vizitë shtetërore me të gjitha nderimet e nevojshme.
Top Channel thotë se protokolli i shtetit është në përgatitje të një ceremonie me karakter më popullor e cila me gjasë do të mbahet në qytetin e Prizrenit.
Ka një kuriozitet për të parë se a do mundet Nishani të parakalojë përpara gardës së nderit, apo do ecë mes popullit në Prizren.
Deri më tani kamerat nuk e kanë fiksuar asnjëherë duke lëvizur, por vetëm të ulur dhe në këmbë, ose thjesht duke bërë dy hapa me shumë vështirësi.