E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bukuri brenda katër mureve

Fotografi Roland Tasho, për herë të parë, i kushtohet në një ekspozitë fotografike bukurisë natyrore të vendit. Ekspozita “Peizazh” e ka shkëputur nga ndjeshmëria sociale drejt interpretimit komercial të një vendi që ka nevojë t’i përmirësohet imazhi dhe t’i flitet për bukurinë. Fotot e rralla të Beratit në vitin ‘85 dhe prekja e natyrës së shndërruar në 27 vite karrierë të fotografit

Bukuri brenda katër mureve

Suela Furriku

E gjithë Shqipëria brenda katër mureve me “copëza” të saj të pasqyruara në fotografitë e mbështetura pas një vargut të stërgjatë të kanavacave. Bukuri natyrore që hyjnë në ato territore, ku rrallë i prekin zemrat dhe shqisat në perceptime ngjyrash. Këto ka dashur të na thotë fotografi Roland Tasho, për të na bërë përshtypje në arsyen se është e para e këtij lloji në gjithë karrierën e tij. Pamje të prisnin në ekspozitën fotografike e çelur dje në ambientet e Galerisë “Ibrahim Kodra” në Ministrinë e Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve. “Peizazh” është titulluar puna e fundit e fotografit Roland Tasho, i cili ka paraqitur momente të larmishme të natyrës shqiptare, nga veriu e deri në jug të vendit. Janë pamje të përzgjedhura, detaje që vetëm syrit të një fotografi i bëjnë përshtypje duke i ekspozuara ato brenda një kornize të shoqëruara me ngjyra të përpunuara, ekspresive dhe të theksuara.

“Peizazh” veçon nga ekspozitat e tjera të Tashos, daljet shkojnë në 50 prezantime. Për rastësi, dhe numri i punëve të paraqitura në kolazhin ekspozues të tanishëm, përfshin deri në 55 tablo - natyrë që mbërrin për herë të parë në llojin e trajtesës së tij të brendshme si fotograf. Duket se karriera 27-vjeçare i ka dhënë mundësinë Tashos të ëmbëlsojë natyrën, pa u ngucur në ironitë e mëparshme dhe dokumentin therës. “Unë kam hapur shumë ekspozita, si brenda, ashtu edhe jashtë kufijve. Ndërkohë që kjo e radhës, e cila është ekspozita ime e 50-të, është e para në këtë lloj zhanri, nuk kam pasqyruar më parë fotografi me bukuritë natyrore të Shqipërisë”, - shprehet fotografi Roland Tasho. Ai ka treguar se në kuadër të promovimit të peizazhit natyror të MTKRS-së, është nxitur për të hapur këtë ekspozitë duke shfrytëzuar të gjitha punimet e tij disavjeçare. Gjatë një prononcimi për gazetën tregon se synimi i këtij eventi kulturor është vazhdimi dhe përmirësimin i imazhit të Shqipërisë. “Kjo ekspozitë është organizuar në kuadër të përmirësimit të vazhdueshëm të imazhit të Shqipërisë që i bën Ministria e Kulturës. Në kuadër të këtij organizimi, unë kam shfrytëzuar arkivin tim personal të hershëm dhe të ditëve të fundit me pamje të bukura shqiptare. Vendi ynë është i vogël, por ka një natyrë të larmishme dhe me një bukuri të jashtëzakonshme. Ashtu siç dihet, bukuria e alpeve, bregu i detit apo edhe elementë të tjerë natyrorë e karakterizojnë vendin tonë duke e bërë atë shumë tërheqës”, - thekson Tasho. Fotografitë u përkasin të gjitha hapësirave gjeografike të Shqipërisë, që nga Veriu e deri në Jug të saj, arkeologjia, arkitektura, bregu, malet, pamje qytetesh, lumenj etj., si dhe pamje në të gjithë përthyerjen gjeografike të vendit, duke synuar mrekullinë natyrore shqiptare.

Fotografi bën kapërcim nga ndjeshmëria e ashpër për te problemet sociale në ndjeshmëri, që i takojnë më shumë anës vizive se si perceptohet në ngjyra bukuria e vendit, natyra, malet, fushat, momentet etj.

“Në ekspozitat e mia të mëparshme unë kam paraqitur ndryshimin e sistemit, ngjarjet e viteve 1990-1991, fotografi të karakterit social, të emigracionit etj. Me anë të kësaj ekspozite unë dua të promovoj peizazhet e Shqipërisë, sepse ajo është mbartëse e vendeve shumë të bukura dhe mjaft tërheqëse për turizmin shqiptar”, - ka argumentuar ai.

Fotografi ka shtuar se “në rastin konkret në ekspozitë janë foto që i përkasin një periudhë shumë të gjatë kohore. Më e hershmja nga punët e mia mbaj mend që është një fotografi e realizuar diku nga vitet 1985-1986, që do të thotë se është periudha kur unë sapo kisha filluar të merresha me këtë fushë, dhe është fjala për një peizazh të Beratit”.

Fotot janë të përmasave 40x50, 30x60 dhe 30x75 cm, ndërkohë që ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më datë 6 nëntor. Ekspozita e fundit e autorit ka pasur lidhje me emigracionin shqiptar në Zvicër.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›