E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komedia e zezë e Pulahës

Trupa profesioniste e teatrit “Skampa” u ngjit një natë më parë në skenë me tragjikomedinë “Emil”, shkruar nga dramaturgu Ruzhdi Pulaha dhe vënë në skenë nga regjisori Milto Kutali. Personazhi kryesor, Emili, u interpretua nga aktori i njohur Alfred Trebicka. Pas shfaqjes, Trebicka e cilësoi dramën si një "subjekt me karakter social, po aq edhe me karakter psikologjik dhe individual", ndërsa figurën e Emilit, si një individ me karakter absurd. “Është një “komedi e zezë” e Pulahës, ku preket tema e korrupsionit, jo vetëm si korrupsion ekonomik, por gjithashtu si korruptim shpirtëror, një dukuri shumë e rrezikshme. Ajo që më pëlqen më shumë në këtë vepër është se korrupsioni nuk shikohet nga jashtë, por nga brenda qenies sociale, një shfaqje e përditshme tek shtresat e mesme”, - thotë Trebicka.

Emili, një profesor i thjeshtë gjimnazi, me të ardhura të nivelit normal, që të plotësojë dëshirën e vajzës së tij për të studiuar jashtë shtetit, pranon të punojë kundër ndërgjegjes së vet si sekretar dhe të kryejë veprime korruptive, i detyruar nga miku i tij, që tashmë është dhe "bosi" i tij. Është drama e njeriut të virtytshëm e të ndershëm, që pëson një krizë personaliteti kur sheh se miku i tij i ngushtë, “bosi”, e ka futur në një vorbull, nga e cila nuk mund të dalë dot.

Fundi tragjik, vdekja, nuk dihet se nga vjen, mund të jetë aksidentale, por ndoshta mund edhe të jetë parashikuar nga bosi, pasi Emili, i fyer dhe i denigruar, ka denoncuar veprimet e tij korruptive. Një vdekje ku nekrologjia bëhet nga vetë personazhi Emil.

Gjuha artistike e kësaj vepre është ajo e teatrit realist, ku mbizotëron dialogu. Skenografia dhe muzika u realizuan nga vëllezërit Fatbardh dhe Klement Marku. Veç Trebickës, në rolet e tjera interpretuan aktorët Erjona Kakeli, Hysen Mullajonuzi, Ilir Sadiku, Antoneta Doko dhe Dhimitër Topuzi.

Spektatorët që kishin mbushur sallën e vlerësuan shfaqjen, duke e shoqëruar me duartrokitje mbylljen e çdo pjese. Pulaha e ka shkruar këtë vepër në vitin 2004, por ajo u vu në skenë për herë të parë nga teatri “Skampa” i Elbasanit.

Meditim racional në “Ardhje ‘08”

Pas një periudhe të ngjeshur kërkimi me vizita në studio, takime dhe pranime prezantimesh nga një numër i madh artistësh që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri, stafi organizator i TICA, nën përkujdesjen e Edi Mukës dhe Joa Ljungberg, organizon ekspozitën "Pas çdo agimi, bota nuk është ajo e një dite më parë", me artistët në vijim:

Enkelejd Zonja, Bevis Fusha, Elsa Martini, Genti Gjikopulli, Leonard Qylafi, Era Tula dhe Heldi Pema.

Me një mori qasjesh dhe interesash, artistët e ftuar do t'i japin jetë një ekspozite drithëruese që na sjell copëza poetike meditimi mbi realitetin përqark nesh. Subjektet ngjethëse dhe loja me dritën në fotot e Bevis Fushës, raportet e çuditshme arkitektonike të imazheve dhe shtëpive të Heldi Pemës, kërkimet vetjake të Elsa Martinit, fryma ekzistenciale në fotot e Leonard Qylafit, misteri i pikturave të Enkelejd Zonjës, klithma e heshtur e instalacioneve të Era Tulës dhe videot poetike të Genti Gjikopullit, do ta ftojnë shikuesin në përjetime të reja dhe meditime mbi realitetin e vrullshëm që na rrethon çdo ditë. Ekspozita e çmimit “Ardhje” do të mbahet njëkohësisht në mjediset e Galerisë së Akademisë së Arteve të Bukura, dhe Galerisë “Zeta”, në Tiranë. Juria ndërkombëtare e përbërë nga Celia Prado, kuratore e Bienales së 5-të të Goteborgut, Roberto Pinto, kurator i pavarur, Milano, dhe Gëzim Qëndro, kritik arti, Tiranë, do të shqyrtojë punët e paraqitura në ekspozitë dhe do të përzgjedhë fituesin/en e çmimit për Artin Bashkëkohor "Ardhje" 2008, i/e cili/a fiton të drejtën për të shkuar në Nju Jork të SHBA-së për një periudhë prej 6 javësh, në një rezidencë për artistë të ofruar nga Fondacioni për Shoqëri Civile. Për herë të parë këtë vit, çmimi "Ardhje" është i hapur edhe për studentë të vitit IV të Akademisë së Arteve. Një risi tjetër është përpjekja për ta shëtitur ekspozitën në qytetin e Durrësit, me qëllim pasurimin e jetës kulturore në këtë qytet, si dhe hedhjen e urave të bashkëpunimit për të ardhmen.

S. Furriku

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›