E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsioni në Hipotekë, pranohet gjykimi i shkurtuar

Pranohet kërkesa për gjykim të shkurtuar dhe çelet shqyrtimi gjyqësor për gjashtë të pandehurit e akuzuar për mashtrime, falsifikime apo dhe korrupsion në Hipotekën e Tiranës. Seanca gjyqësore e djeshme ka vijuar me pranimin e kërkesës së të pandehurve për gjykim në bazë të aplikimit të gjykimit të shkurtuar, ndërkohë që është veçuar çështja për njërin nga të pandehurit, Ramiz Hykën, i cili sipas avokatit të tij, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në spital. Togat e zeza e pranuan këtë kërkesë, duke veçuar çështjen për këtë të pandehur dhe duke i lënë fjalën prokurorit të çështjes për lexim të kërkesës për gjykim. Të pandehurit e arrestuar gjatë operacionit “Furtuna” akuzohen se në bashkëpunim kanë tjetërsuar titujt e pronësisë për 13 raste, duke shfrytëzuar lidhjet me njëri-tjetrin, pasi tre nga të pandehurit janë ish-zyrtarë të Hipotekës në atë kohë. Sipas përfaqësuesit të akuzës, për të provuar këto akuza ekzistojnë prova si përgjime telefonike, përgjime me fotografi dhe video, të cilat komprometojnë të pandehurit. Disa nga të pandehurit nëpërmjet avokatëve të tyre pranuan plotësisht apo pjesërisht akuzat. Gjatë operacionit u arrestua Veiz Senko, Halil Hima, që ishin në rolin e sekserëve, Enton Babameto, Artan Mehmeti, Ramiz Hyka, zyrtarë të Hipotekës dhe Dali Hakorja, ish-punonjës i SHKB-së. Akuzat që rëndojnë mbi zyrtarët janë “akuzat e korrupsionit pasiv të punonjësve që ushtrojnë funksione publike”, “falsifikim” dhe “shpërdorim detyre”. Sipas prokurorisë, zyrtarët Enton Babameto, Artan Mehmeti, Ramiz Hyka dhe ish-oficeri i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, Dali Hakorrja, tjetërsonin pronat në mënyrë të paligjshme. Hakorrja, sipas prokurorisë, u kishte premtuar paprekshmëri personave të tjerë. Burimet kanë shtuar se të pandehurit kishin mbivendosur disa prona. Sipas hetimeve, gjashtë të pandehurit akuzohen nga prokuroria e kryeqytetit se kanë tjetërsuar titujt e pronësisë në 13 raste dhe në një rast mendohet se ryshfeti shkonte deri në 45 mijë euro.

Të pandehur

Artan Mehmeti, zyrtar i Hipotekës

Ramiz Hyka, zyrtar i Hipotekës

Enton Babameto, zyrtar i Hipotekës

Dali Hakorja, oficer i SHKB-së

Veiz Senko, sekser pronash

Halil Hima, sekser pronash

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›