Lirohet me kusht Sokol Koçiu i "Kokainës"
Dje Gjykata e Tiranës vendosi t'i japë lirinë ish- shefit të hetimit të Prokurorisë së Përgjithshme e ish- drejtorit të Policisë së Vlorës
Pas 8 vitesh në burg, ish- oficeri i lartë i Policisë ka mbërritur pranë familjes së tij, që nga koha kur u dënua për trafikim droge
TIRANË- Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, vendosi lirimin nga qelia me kusht të të dënuarit Sokol Koçiu, i njohur ndryshe si një nga të pandehurit e arrestuar në operacionin e koduar "Kokaina" në fillim të vitit 2001 në Tiranë.
Kështu, me kërkesë të vetë të dënuarit Koçiu, gjyqtari Arben Micko në seancën e shtatë gjyqësore vendosi të pranojë kërkesën e të dënuarit, duke e liruar atë nga qelia për të mbaruar në liri dënimin e mbetur prej rreth 2 vjet e 7 muaj nga 12 vitet e dënimit përfundimtar të dhënë nga Gjykata e Lartë.
Sipas vendimit të togave të zeza, mësohet se lirimi i ish-oficerit të policisë gjyqësore pranë Prokurorisë së Përgjithshme ka ardhur për shkak të sjelljes së mirë dhe korrekte në burg gjatë 10 viteve të vuajtjes së dënimit dhe përfundimin e më shumë se tre të katërtat e këtij dënimi të dhënë në formën e prerë.
Sipas dispozitivit të vendimit të dhënë nga gjyqtari Arben Micko, mësohet se i dënuari Koçiu kishte plotësuar dy nga tre kriteret dhe kushtet e përcaktuara në Kodin Penal, konkretisht dy pika të nenit 64 të këtij kodi ku parashikohen lirimet para kohe nga burgu.
"I dënuari Sokol Koçiu, me qëndrimin e tij prej më shumë se 10 vite në burg, ka pasur sjellje të mirë dhe korrekte me punonjësit e burgut dhe të dënuarit e tjerë, sjellje kjo që vërtetohet nga raporti i sjellë nga institucioni i vuajtjes së dënimit të përfaqësuar nga juristi i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Gjithashtu, në bazë të vendimit të formës së prerë të dhënë nga Gjykata e Lartë, ku janë përllogaritur ditët e vuajtjes së dënimit, i dënuari Sokol Koçiu rezulton se ka vuajtur më shumë se tre të katërtat e dënimit të dhënë me 12 vjet burg.
Si dhe, gjatë kohës së lirimit me kusht, ka pranuar dhe firmosur një kontratë pune pranë zyrës së projektimeve bashkë me bashkëshorten e tij"-ka nënvizuar gjyqtari Micko, duke urdhëruar lirimin e tij të menjëhershëm nga qelia. Ky vendim, u dha në zyrën e gjyqtarit Micko në prani të avokatit mbrojtës të kërkuesit Koçiu dhe përfaqësuesit të akuzës, pasi vetë i dënuari i dosjes "Kokaina" nuk kishte preferuar të marrë pjesë.
Ndërkaq, në seancën e kaluar gjyqësore, kur palët, kërkuesi dhe përfaqësuesi i akuzës parashtruan pretendimet e tyre përfundimtare, vetë i dënuari Koçiu parashtroi një sërë argumentesh për lirimin e tij.
Ndër to ishte edhe përgjigja e pyetjes së gjyqtarit se çfarë do të punonit po të liroheni nga burgu, Koçiu u shpreh se "Nëse do të lirohem nga qelia, do të punoj me bashkëshorten time, në zyrën e saj të projektimeve, por, ajo që dua të them është se unë kam dhe profesionin tim".
Pas kësaj përgjigjeje, gjyqtari Micko i ka kërkuar avokatit mbrojtës të kërkuesit të sjellë vendimin e gjykatës ku është regjistruar si biznes zyra e projektimeve të bashkëshortes së të dënuarit Koçiu dhe një kontratë pune mes tij dhe kësaj zyre, dokumente këto të siguruara që në seancën e dy ditëve më parë, kur palët parashtruan pretendimet përfundimtare.
Edhe, përfaqësuesi i akuzës, në parashtrimin e mendimit të saj për lirimin me kusht të të dënuarit Koçiu, u shpreh se ishte dakord, duke ia lehtësuar kështu më shumë kërkesën për lirimin me kusht, që u pranua paraditen e djeshme nga gjykata.
Rruga drejt lirisë
I dënuari Koçiu ka ndjekur të gjitha mundësitë ligjore, duke kërkuar pafajësi në të gjitha shkallët gjyqësore, deri në Gjykatën Kushtetuese për akuzat e ngritura nga prokuroria, për "trafikim të paligjshëm të një sasie kokaine".
Ndërkohë, akuzën e "drejtimit dhe përfshirjes në organizatë kriminale", ka qenë Gjykata Kushtetuese ajo e cila e ka rrëzuar, pasi ishte dënuar për një vepër që në kohën e kryerjes së saj, nuk ishte parashikuar në Kodin Penal.
Akuzat dhe dënimet
TIRANË- Sipas vendimeve të gjykatave, Sokol Koçiu, është prangosur më dy shkurt 2001 në kuadër të operacionit "Kokaina". Në prill të vitit 2003 ai u dënua me 15 vjet burg nga Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, vendim ky që u la në fuqi edhe në Gjykatën e Apelit në dhjetor të atij viti.
Më pas, Gjykata e Lartë duke argumentuar se në proces nuk kishte shkelje procedurale, refuzoi ta shqyrtonte rekursin e të pandehurve. Në fund të vitit 2005, Gjykata Kushtetuese evidentoi shkelje të Kushtetutës dhe riktheu çështjen në Gjykatën e Lartë.
Kjo gjykatë në bazë të detyrave të lëna nga Kushtetuesja iu hoqi tre të pandehurve Frederik Durda, Arben Përballa dhe Sokol Koçiu, akuzën e "drejtimit dhe përfshirjes në organizatë kriminale", duke u ulur edhe dënimin përkatës, ku ndaj Koçiut përfundimisht mbet dënimi me 12 vjet burg.
Sipas vendimeve të gjykatës, të dënuarit kanë përgatitur të nisin nga Kolumbia drejt Shqipërisë një traget me kokainë, por rrugës për në Kolumbi ky traget u bllokua në Spanjë dhe pasoi arrestimi i tyre, mbi bazën e ca materialeve të ardhura nga Italia e Spanja.
Prangoset hajduti i konvikteve
TIRANË - Policia arreston autorin e vjedhjes së konviktit të një universiteti privat në Tiranë. Sipas Policisë, Ermal Braushi, 23 vjeç, me banim në Tiranë është arrestuar nga efektivat e policisë së Komisariatit Nr. 3 si i dyshuar për vjedhjen e disa kompjuterave dhe celularëve në ambientet e një konvikti studentësh në kryeqytet, vjedhje kjo e ndodhur më 18 mars 2009 në rrugën e "Barrikadave".
Burimet zyrtare nga Policia e Tiranës tregojnë se Braushi dyshohet se ka vjedhur në konvikt dy kompjutera dhe pesë telefona celularë të studentëve, gjatë kohës që këta të fundit kanë qenë në gjumë.
Sipas uniformave blu të kryeqytetit, 23- vjeçari ka qenë më parë i dënuar dy herë për vjedhje. Policia ka vërtetuar se Ermal Braushi është dhe autor i vjedhjes së ndodhur më 30 prill 2009 po në ambientet e këtij fakulteti. Të arrestuari iu janë sekuestruar nën cilësinë e provës materiale dy kompjuterat e vjedhur në konvikt.
Prangoset shpërndarësi i drogës
TIRANË - Një 21- vjeçar nga kryeqyteti është arrestuar dje nga Policia me akuzën e posedimit dhe shitjes së lëndëve narkotike. Bledar Daci, 21 vjeç, u arretua në flagrancë nga punonjësit e policisë së Komisariatit Nr . 2 në kryeqytet, për shkak se gjatë kontrollit fizik të kryer ndaj tij nga oficerët e policisë i janë gjetur rreth 2 gram lëndë narkotike që dyshohet se është kanabis sativa.
21- vjeçari me banim në Tiranë, sipas burimeve të policisë, nuk tentoi të largohej apo t'iu fshihej efektivëve të policisë, për shkak edhe se ai u kap befasisht nga agjentët e policisë. Menjëherë pas kontrollit të kryer ndaj tij, policia i gjeti dhe i bllokoi sasinë e marijuanës prej 2 gramësh e cila u bllokua nga efektivët e policisë në cilësinë e provës materiale në momentin e ndalimit.