E Shtunë, 31 Tetor 2026

Truproja i Presidentit, sherr me ish-gardistin

Policia shpall në kërkim, Erando Laçin pas konfliktit me komandantin e grupit të shoqërimit të Topit

TIRANË- Komandanti i Grupit të Shoqërimit të Presidenit Topi, denoncon në polici për fyerje ish- gardistin, pas një sherri banal me fjalë të ndodhur mes tyre në Golem, pranë vendit të njohur si Shkëmbi i Kavajës.


Denoncimi është depozituar dy ditë më parë nga Agim Llupo, 42 vjeç, banues në Tiranë, i cili ka kallëzuar ish- efektivin e Gardës së Republikës, Erando Laçi, 33 vjeç, banues në rrugën "Kongresi i Manastirit".


Erando Laçi, 33 vjeç, banor i kryeqytetit, sipas policisë, është denoncuar nga Llupo me pretendimin se ai e kishte ofenduar dhe fyer. Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë tek Shkëmbi i Kavajës në kohën kur Llupo, shef i Eskortës së Shoqëruesve të Presidentit, ka qenë i ndaluar me makinën e tij.


Ai është njohur nga ish- vartësi i tij që pretendonte se ishte larguar nga puna dhe për këtë kishte ndikuar kreu i eskortës së numrit një të shtetit. Për këtë shkak, sipas burimeve të policisë, mendohet të ketë ndodhur edhe ngjarja e pak ditëve më parë.


Pas konfliktit që është shoqëruar me fyerje, shoqëruesi i Presidentit të Republikës ka kallëzuar në polici ish- punonjësin e Gardës për fyerje për shkak të detyrës. Sipas Policisë, pas sherrit është pyetur Shefi i Eskortës së Presidentit për të dhënë sqarime për ngjarjen.


Sipas të dhënave, sherri ka filluar për shkak se Erando Laçi pretendon se Agim Llupo ka ndikuar në largimin e tij si punonjës i Gardës. Ky pretendim që ka patur 33- vjeçari nga Tirana është bërë shkak i debatit mes tij dhe oficerit të lartë.


Policia ka administruar kallëzimin e 42- vjeçarit, Llupo, ndërsa ka nisur hetimin me qëllim zbardhjen e konfliktit mes palëve. Ndaj Laçit policia ka ngritur paraprakisht akuzën e fyerjes. Sipas burimeve të policisë së kryeqytetit, 33- vjeçari Laçi është shpallur në kërkim me qëllim sqarimin e ngjarjes dhe rrethanave të konfliktit mes tyre.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›