E Diel, 1 Nëntor 2026

Bukuria, kapitali erotik që josh ekonominë

Secili prej nesh zotëron burime të cilat lidhen me pamjen fizike dhe kapitalin erotik, të cilat të ndihmojnë ta jetosh më lehtë jetën dhe të kesh sa më shumë të ardhura. Kështu thotë një sociologe angleze

Bukuri, sensualitet, simpati, vitalitet, prezencë fizike, stil, erotizëm dhe fertilitet: ja kapitali i femrave, ose më saktë kapitali erotik. Sociologia e “London School of Economics”, Catherine Hakim, ka publikuar në revistën “European Sociological Review” formulën për të arritur suksesin. Në artikullin “Erotic Capital”, Hakim “zbulon” forcën e erotizmit dhe si ta transformosh një kapital të palindur në atë ekonomik. Ajo pohon gjithashtu se femrat që lindin kanë më shumë avantazhe: janë më të prirura ta ndryshojnë imazhin e tyre, ndërsa meshkujt më të kujdesshëm të nuhasin “aromën e seksit”. Nëse gruaja, me feminilitetin e saj dhe luftën për barazinë gjinore, arrin të shfrytëzojë në maksimum imazhin dhe talentin, atëherë ia ka arritur qëllimit. Nuk do ta ndalojë më asgjë dhe askush. Suksesi i saj do të jetë i garantuar, edhe atëherë kur të jetë në moshë madhore. Natyrisht që me kalimin e viteve, trupi dhe pamja fillojnë të ndryshojnë, megjithatë e kanë të detyrueshëm një “vizitë” te kirurgu plastik.

Për Hakim “kapitali erotik”, fuqia për të magjepsur, për të turbulluar fort, apo për të robëruar me atraktivitetin e saj, nuk është më një aftësi që ndikon vetëm në fushën seksuale. Në një shoqëri të erotizuar si kjo e sotmja, është shumë e rëndësishme në punë, media, reklama, sport, arte dhe të gjitha veprimtaritë shoqërore. Kapitali i bukurisë është aq i rëndësishëm sa konsiderohet i katërti pas kapitalit ekonomik, kulturor dhe shoqëror.

Ikonat e kapitalit erotik janë: Madonna, i dashuri i saj Jesus Luz, aktori bukurosh Pierce Brosnan, Catherine Deneuve, Tina Turner e të tjerë. Megjithatë sipas sociologes këtë “vlerë” e kanë si meshkujt ashtu edhe femrat. Por kur Hakim rreshtoi elementët që përbëjnë këtë kapital, ajo vuri re se ishin disa: 1) bukuria 2) sensualiteti 3) sharmi 4) vitaliteti (një përzierje mes prezencës fizike, të qenit i shoqërueshëm dhe me sens humori) 5) stili 6) energjia erotike 7) fertiliteti.

Pra, pas shumë vitesh, feministe si Sylvia Walby, Mary Evans, Monique Wittig janë sforcuar për të pranuar konceptin e barazisë gjinore në interes të seksit, teoria e re e “kapitalit erotik” është një grua “më kapitaliste” se burri. Por cila është arsyeja? Gjatë shekujve gratë kanë mësuar të përdorin sensualitetin për të arritur atë që dëshirojnë. Kështu “soft power”, fuqia për të ndikuar në shoqëri, është një virtyt tipik femëror dhe u ka siguruar femrave një pozicion gjithnjë e më dominues në vite, sepse modeli “patriarkal” ka për qëllim të kufizojë këtë pushtet përmes represionit moral që po humbet gjithnjë e më shumë. Dobësia e vetme e teorisë së Hakim është se “erotic power” duket ende i lidhur me mendimin që është krijuar për femrat dhe jo diçka që gratë zotërojnë ose mund të fitojnë.

Secili prej nesh përballë jetës dhe karrierës zotëron një kapital ekonomik (paratë), kulturor (arsimimi) dhe kapitalin social (rrethin shoqëror). Por gjithashtu edhe një kapital erotik, pak të studiuar, por shumë i rëndësishëm për jetën dhe karrierën. Në këtë rast nuk bëhet fjalë vetëm për bukurinë: së bashku me një fytyrë të bukur, përfshihet gjithashtu një trup seksi. Fakti që je tërheqës në njëfarë mënyre të shërben: në këtë rast e kemi fjalën për martesën, që deri tani është mekanizëm shumë i rëndësishëm për promovimin social femëror. Një studim amerikan tregon se studentet që në universitet shfaqnin më shumë kapital erotik, janë martuar herët dhe pas 15 vjetësh kishin të ardhura më të larta se shoqet e tyre më pak bukuroshe. E njëjta gjë ndodhte dhe në punë. Një studim tjetër analizon raportin mes paraqitjes dhe të ardhurave, nga ku është zbuluar se personat e shëmtuar, ose të zakonshëm, fitonin 13 për qind më pak se ata që kishin një paraqitje të pranueshme, ndërkohë që këto të fundit, fitonin 10 për qind më pak se meshkujt dhe femrat që ishin shumë tërheqës. Natyrisht që gjërat varen edhe nga puna që bën: një striptiste fiton më shumë se sa një pastruese. Sipas autorëve të studimit, bukuria është shumë e rëndësishme në gjithësinë e botës së punës. Të gjithë e dimë se bukuria të ndihmon. Kërkime dhe studime të ndryshme tregojnë se bukuria është vendimtare në vendet e punës, por gjithashtu edhe në provimet shkollore e në universitet. Në shoqërinë e sotme, zhvillimi i jashtëzakonshëm i kirurgjisë estetike është bërë tepër i rëndësishëm si për meshkujt, ashtu edhe femrat. Edhe në shoqërinë moderne të imazhit, ky sektor është bërë shumë i rëndësishëm, aq sa ka përfshirë gazetarinë (televizive) dhe politikën. Në këtë rast, sociologia përmend Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, të cilin e klasifikon te personat me kapital të lartë erotik dhe shumë lart kundrejt rivalëve të tij.

Nëse ekziston një kapital erotik, ekziston edhe një kapitalizëm erotik, që natyrisht nuk është industria e pornografisë, por ajo e fitnesit, e kirurgjisë estetike dhe e kozmetikës. Megjithatë Catherine Hakim preferon të përqendrohet te një problem tjetër. Meqë kapitali erotik nuk është i vështirë për t’u matur në krahasim me atë social, përse është studiuar kaq pak? Sepse pushtetin e kanë meshkujt dhe janë femrat ato që e kanë më të madh kapitalin erotik. Gjithsesi shkuarja e meshkujve në palestër dhe te kirurgu estetik tregon se gjendja po ndryshon dhe dy nga shembujt që ka marrë sociologia janë Obama dhe Beckham. Mesa duket kapitali erotik është më “demokratik” nga ç’mendonte vetë Hakim.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›