E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bukuria mbi minierën e qymyrit

Në Britaninë e Madhe është hapur për publikun skulptura më e madhe në botë. Trupi i një femre të shtrirë, me gjatësi prej 400 metrash, paraqet skulpturën më të madhe të njeriut, të krijuar në formë peizazhi. E veçanta e projektit është se, skulptura është krijuar mbi peizazhin e dëmtuar nga miniera më e madhe sipërfaqësore e qymyrit në Angli.

Njerëzit që do të vijnë për ta parë, do të kenë mundësi të ecin mbi skulpturën e punuar në formën e një perëndeshe, që quhet Northumberlandia. Skulptura do të mund të shihet edhe nga aeroplanët që aterojnë në aeroportin e afërm të qytetit Newcastle.

Udhëtarët dhe vozitësit që kalonin pranë minierës, që shtrihet në brigjet lindore të Britanisë, vërenin sesi lakesat e skulpturës po merrnin formë gjatë dy viteve të fundit.

Skulptura Northumberland, që kushtoi tre milionë funta, është krijuar nga shkëmbinjtë, dheu dhe argjila, që u morën nga sipërfaqja e minierës së afërt të qymyrit, Shotton, afër Cramlington - e cila ndodhet në tokën e Viscount Ridley, dhe që eksploatohet nga kompania Banks Group.

Northumberlandia u formësua përkundër polemikave të shumta, që kryesisht ndërlidheshin me përpjekjen e kompanisë që nëpërmjet kësaj skulpture të kompensohej dëmi që nxjerrja e madhe e qymyrit ia shkaktoi ambientit përreth, meqenëse kjo minierë njihet si më e madhja e këtij lloji në Angli.

Sido që të jetë, shumë shkurt pas ceremonisë private që u mbajt të hënën, në prani të princeshës Anne, skulptura do të hapet edhe për publikun.

E planifikuar që të krijohej për shtatë vjet, skulptura – e cila njihet edhe si "The Lady of The North" (Zonja e Veriut) - megjithatë përfundoi pas vetëm dy viteve punë. Ajo do të jetë replika më e madhe në botë e trupit të femrës, pohojnë krijuesit e saj.

Pika më e lartë e skulpturës gjigante – që është balli i saj - ka një lartësi prej 24 metrash, përderisa gjatësia e saj është plot 400 metra. Skulptura është punuar nga 1.5 milionë tonelata shkëmbinj, dhe, gurë dhe argjilë.

Gjatë një vizite që i bëri vendpunimit vitin e kaluar, arkitekti amerikan i peizazheve, Charles Jenks, i cili dizajnimin e Northumberlandia’s e filloi në vitin 2005, pranoi se kjo vepër artistike “ishte shumë e madhe” seç kishte menduar në fazën fillestare të realizmit të projektit.

Ndryshe, krijimi i skulpturës Northumberlandia ishte pjesë e zbatimit të planit të kompanive Banks Group dhe Blagdon Estate, menjëherë pas kërkesës që kishin bërë për të krijuar atë që sot konsiderohet të jetë miniera më e madhe sipërfaqësore e qymyrit në Angli - Shotton Surface Mine.

E krijuar kryekëput nga nënproduktet e gërmuara në minierë, figura e femrës është krijuar në shtesa.

Shtresa e parë përbëhet nga shkëmbinjtë, mbi të cilën pastaj është vendosur argjila, dhe në fund, dheu, i cili është mbuluar me barë, me qëllim që vizitorët të mund të ecin mbi të.

Disa nga tiparet e skulpturës janë theksuar artistikisht me gurë të minierës, të cilët shpesh përdoren për rikonstruktimin e ndërtesave të vjetra.

Princesha Anne vizitoi Northumberlandia’n të hënën, për ta deklaruar atë të hapur zyrtarisht, megjithëse vizitorët e parë do të kenë mundësi ta vizitojnë tek nga e mërkura.

"Pasi që e përfunduam projektin në minierë, vendosëm që t’i restaurojmë pasojat që i shkaktuam me eksploatimin e saj. Kishim dëgjuar se ky projekt kishte nxitur shqetësimin e banorëve lokalë, kryesisht lidhur me efektet negative që mund t’i ketë për turizmin vendor, kështu që vendosëm të shkonim edhe një hap më larg, dhe të krijonim një atraksion turistik, i cili do të jetë një trashëgimi e jona për rrethin”, sqaroi menaxherja e komunikimit e Banks Group, Katie Perkin, për mediat britanike.

"Supozoj që [skulptura] do t’i sjellë një biznes shtesë zonës, sepse ajo duket mrekullueshëm. Megjithëse, më pëlqen edhe vetë ideja që ata do ta bëjnë biznes të bazuar mbi një rezervat natyror. Mendoj se kjo do të jetë një gjë brilante”, shtoi ajo.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›