E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pasionet e Jakupit

Më shumë njihet jashtë sesa në Kosovë. Ka punuar në shumë fusha të artit, por tani veprimtarinë e ka reduktuar në strip dhe në muzikë. Është duke punuar në albumin e tij të dytë, ndërsa firmën e tij e mbajnë një numër librash. Artisti kosovar, Gani Jakupi, i cili jeton në Barcelonë, flet për Express për muzikën dhe për stripin, dy pasionet e tij të preferuara.

Gjatë karrierës së tij është marrë me profesione të ndryshme. Ka punuar si dizajner, përkthyes, gazetar, por tani ka vendosur t’i kushtohet vetëm stripit dhe muzikës. Artisti kosovar, Gani Jakupi, i cili që shumë vite jeton në Barcelonë, edhe pse është autor i shumë stripave, nuk njihet aq shumë në Kosovë. Këtë e pohon edhe vet Jakupi.

“Krijimtaria ime këtu nuk është publikuar dhe nuk është e njohur sikurse jashtë”, u shpreh ai për Express. Jakupi tregoi se është marrë me shumë profesione si dizajner, si përkthyes, si gazetar, ka punuar në teatër e kahmos, mirëpo tash, për shkak të kohës, i ka limituar vetëm në dy profesione, e ato janë stripi dhe muzika.

Me strip thotë se e mban jetën, pasi e ka profesion parësor, ndërsa muzikën e bën për kënaqësi.

“Kam pasur bashkëpunime me muzicientë të shumtë, kam bërë muzikë për një film të shkurtër dokumentar, por më vonë kam vendosur ta bëj muzikën time. Albumi im ka dalë tani në qershor, në të cilin kam punuar prej janarit të vitit 2010”, tregoi ai.

Jakupi është njohës i mirë i muzikës latinoamerikane, për të cilën thotë se i ka pëlqyer më shumë. “Më ka hy më tepër në qejf, është diçka shumë natyrore. Sa kam jetuar në ish Jugosllavi kam qenë i pasionuar për flamengo, ndërsa tash jetoj në vendin ku krijohet flamengo, s’kam kurrfarë interesi për të. Disa prej bashkëpunëtorëve të mi janë specialistë, shkoj nganjëherë në koncertet e tyre i dëgjoj por nuk më tërheq”, u shpreh ai.

Jakupi flet edhe për preferencat e tij muzikore. Atij i pëlqen muzika klasike, muzika bashkëkohore, pastaj roku i kohës së tij, si për shembull Led Zeppelin, pastaj ajo që tani quhet ‘world music’. “E dëgjoj më kënaqësi këndimin persian të Iranit apo të Azerbajxhanit, pastaj muzikën koreane apo atë japoneze”, tha ai.

Albumi i tij ka dalë në të njëjtën kohë me një libër të tij, për të cilët thotë se ka pasur shumë reagime në media.

“E kam prezantuar në ‘Arte’ në Belgjikë, në ‘France 24’, por aty më shumë jam prezantuar si autor stripi. Ka qenë si muzikë përcjellëse e një reportazhi për Kosovën. Është prezantuar në radion shtetërore franceze, në programin më prestigjioz të muzikës jazz, ku zakonisht fillestarët nuk dalin. Për fat timin producentit i ka pëlqyer muzika ime, i është dukur shumë lirike dhe ka vendosur të ma japë një shans. Aty është prezantuar rreth 7-8 minuta plus është folur edhe për libër timin”, tregoi Jakupi, duke shtuar se do të marrë pjesë në disa festivale të stripit, ku do të shfrytëzojë rastin ta prezantojë edhe albumin e tij.

“Në prill apo në mars të vitit të ardhshëm do të marr pjesë në festival të jazit në Normandi, ku përpos albumit të edituar, shpresoj ta prezantoj edhe albumin tjetër, në të cilin jam duke punuar”, tha ai.

Albumi i tij titullohet ‘Aldea’ që në spanjisht do të thotë katundi apo fshati.

“Më pëlqente në kuptimin e ‘aldea global’, fshati global dhe ilustrimi i albumit është një fshat me rrënjë. Për mua janë të rëndësishme rrënjët prej nga ne inspirohemi”, tha ai, duke shtuar se qëllimet e tij janë dy: ta plasojë muzikën e tij, ndërsa tjetra që është shumë më prezente në albumin ‘Aldea’ është bashkëpunimi i muzicientëve kosovarë me ata perëndimorë, pasi që në albumin e tij janë të pranishëm edhe katër muzicientë nga Kosova: Ilir Bajri, Armend Xhaferi, Visar Kuçi dhe Teoman Ukça.

Ndryshe prej muzikës, të cilën e bën për kënaqësi, Jakupi tregon se profesioni i tij kryesor është stripi. Në qershor është botuar libri i tij “La dernière image” (Imazhi i fundit). Është libër i përbërë nga 60 faqe strip, 20 faqe janë tekste rreth fotografisë dhe intervista me personalitete të ndryshme të medieve.

“Është zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Associated Press, që ka qenë fotograf më herët. Pastaj është i vetmi fotograf spanjoll që ka fituar çmimin Pulicer. Ka edhe personalitete të tjera që kanë përcjellë luftërat në Ballkan, është edhe fotografi Hazir Reka”, tha ai, duke shtuar se kritika e ka pëlqyer librin.

Jakupi thotë se ka fituar një reputacion si i saktë dhe i besueshëm dhe për këtë arsye atij i është propozuar një projekt për Luftën Civile Spanjolle. Thotë se ka dëshirë të informohet në detaje për projektet në të cilat punon.

“Për një strip në të cilin jam duke punuar, kam filluar të informohem qysh para katër vjetëve. Kam shkuar në Kubë për t’u takuar me një personazh që ka përjetuar ato çka kam me i punuar unë. Për shembull e kam bërë një strip për vrasjen e Leon Trockit dhe në shtyp është shkruar se kjo është vepra më e saktë lidhur me këtë ngjarje”, shprehet ai.

Jakupi para publikut kosovar është prezantuar para dy vjetëve me një ekspozitë të stripit. Dhe që nga ajo kohë emri i tij nuk është përmendur në ndonjë aktivitet apo ekspozitë. Ai tha se është i gatshëm për ndonjë ekspozitë por kjo nuk varët vetëm prej tij.

“Më kanë ofruar para disa muajve për ekspozitë por ende po pres që të konkretizohet. Po pres ndonjë interesim për përkthim të librave, në mënyrë që të njihen dhe të lexohen edhe këtu. Por këto nuk varen prej meje. Unë jam i gatshëm të vij, nëse më fton dikush”, tha ai.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›