Bukuria presidenciale e Amerikës
Vetëm për shkak se joamerikanët nuk mund të votojnë në zgjedhjet amerikane (një dëm i madh për Obamën, i cili mbase do ta fitonte një votim global), ne duhet të varemi nga gjykimi i 17-përqindëshit të votuesve të pavendosur që shikojnë televizor këtë muaj. E kjo gjë nuk është bash siguri ndjellëse. Mirëpo Republika Amerikane e ka një meritë që monarkitë nuk e kanë. I mirë apo i keq, kuazimbreti mund të shqelmohet çdo katër vjet. Pastaj gara – pjesërisht ideologjike, e pjesërisht garë bukurie – mund të fillojë përsëri nga e para
Cili është kuptimi i një debati presidencial? Në kontekstin e zgjedhjeve presidenciale amerikane, “debati” është diçka si term i gabuar. Kur ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy, u përball me sfiduesin e tij socialist, Francois Hollande, ai ishte një debat – me të adresuar çështje substanciale dhe me të zgjatur më shumë se dy orë. Për dallim prej këtij, debatet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë më tepër si performanca skenike, ku përgjigjet ndaj çdo pyetjeje të mundshme janë përsëritur pafundësisht me ekipet e trajnerëve dhe këshilltarëve. Kandidatët në debatet amerikane i adresohen me kujdes gazetarëve të zgjedhur, të cilët rrallë herët e ndjekin ritmin e një pyetjeje. Dhe performancat e kandidatëve vëzhgohen më pak për nga substanca e argumenteve sesa nga prezantimi i tyre, nëpërmjet gjuhës së shprehjeve trupore, lëvizjeve të fytyrës, shikimeve të përvjedhur, buzëqeshjet, nervozizmin, talljet dhe rrotullimet e pavërejtura të syve. A paraqitet kandidati si një snob apo djalosh miqësor, të cilit vërtetë mund ti besohet? A duket e vërtetë apo e rreme një buzëqeshje? Këto hollësi “optike” mund të kenë rëndësi të madhe. Mbi të gjitha, gara e Richard Nixonit, kundër John Kennedyt në vitin 1960 thuhet të ishte humbur në televizion: Kennedy dukej i relaksuar dhe i pashëm, derisa Nixon ngulte sytë në kamera, ndërsa djersët ia kaplonin madje edhe hijen. Në debatet e tij me Ronald Reaganin në vitin 1980, Jimmy Carter u shfaq si i vetëkënaqur dhe pa sens humori, ndërsa Reagan si dajë i vjetër miqësor. Carteri humbi. Më 2000, Al Gore nuk ishte në gjendje të vendoste rreth asaj se cilin rol donte ta luante në debatet e tij me George W. Bush, prandaj dukej i luhatshëm dhe joautentik, duke ndryshuar nga të qenit arrogant në të qenin patriot dhe anasjelltas. Ai kishte argumente më të mira, por i humbi “debatet” (dhe zgjedhjet) në mënyrë të pakuptimtë. Na është thënë se debatet gjatë këtij muaji ndërmjet presidentit, Barack Obama dhe sfiduesit të tij republikan, Mitt Romney, mund të vendosin zgjedhjet. Ato janë, sipas ekspertëve, shansi i fundit i Romneyt. Në rast se Obama ia del të shfaqet si profesor elit, ai mund të humbasë. Nëse Romney zemërohet, apo bën shaka pa kripë, shanset e tij mund të veniten. Përsëri, këtu nuk bëhet fjalë për atë se kush ka politika më të mira apo ide më të zëshme; e gjitha është për prezantimin.
Më tepër se 67 milionë amerikanë e shikuan debatin e parë të këtij viti. Sipas anketave të opinionit publik, vetëm rreth 17 për qind e votuese potencialë ende nuk e kanë prerë mendjen se cilit kandidat duhet t’ia japin votën. Kjo është befasi, duke e pasur parasysh boshllëkun gjithnjë e më të madh politik ndërmjet dy partive kryesore politike në Amerikë. Privatisht, Obama dhe Romney mund të pajtohen për shumë gjëra. Mirëpo partia republikane ka lëvizur bukur djathtas për liberalizmin e moderuar të Obamas, ndërsa Romney është tërhequr bashkë me të. Mandej është edhe faktori i madh i pashprehur i paragjykimit racor, një gjë kjo që madje edhe republikanët më ekstremë djathtist përpiqen të mos e shprehin haptazi. Një përqindje e dukshme e votuesve amerikanë nuk do të votojnë për një burrë të zi, pa marrë parasysh çfarë ai thotë apo sado i mirë që mund të duket në një debat. Nëse politikat apo paragjykimet nuk e kanë bindur atë 17-përqindësh të votuesve të pavendosur, atëherë ata mund të jenë duke kërkuar diçka tjetër. Ata duan të shohin nëse e duan njërin kandidat më shumë se tjetrin. Për ta, vetëm supozimisht, debatet nuk janë gjë tjetër përveçse gara personalitetesh. Në zgjedhjet e kaluara, kur ndonjëherë vërtet nuk ka pasur shumë dallime politike ndërmjet demokratëve dhe republikanëve, kjo gjë kishte kuptim. Folur gjerësisht, për sa i përket ekonomisë dhe politikave të jashtme, kandidatët shpesh do të ishin dakord, me republikanët që janë më të prirë të favorizojnë interesat e bizneseve të mëdha, ndërsa demokratët i mbrojnë interesat e punës. Kështu, votuesit jo gjithmonë mund të fajësohen se e kanë të vështirë të përcaktohen. Pasi nuk mund të bëjnë një zgjidhje racionale, ata i ndjekin instinktet e tyre dhe votojnë për kandidatin që e konsiderojnë si më simpatik.
Kësaj radhe, duket se do të ketë bukur më pak justifikim për zgjidhje të tilla arbitrare. Dallimet politike janë tepër të qarta. Dhe për më tepër ekziston një arsye për të mos e përjashtuar plotësisht garën e personaliteteve. Mbi të gjitha, Presidenca amerikane është një institucion kuazimonarkial, po aq sa është edhe politik. Presidenti dhe Zonja e Parë janë mbreti dhe mbretëresha e Republikës amerikane – fytyrat zyrtare që e prezantojnë SHBA-në në botën e jashtme. Nuk është krejtësisht absurde, prandaj, se votuesit duan ta pëlqejnë pamjen e presidentëve të tyre, gjë kjo krejtësisht veçmas meritave të politikave të tyre. Zgjedhja e politikanit më të pushtetshëm të shtetit në bazë të përfaqësimit të tij në televizion mund të duket arbitrare, madje edhe mendjelehtë. Mirëpo nuk është hiç më pak arbitrare se sa aksidenti i lindjes, sipas të cilit kriter përcaktohet e drejta e një mbreti dhe mbretëreshe për të mbretëruar në shtetin e tyre. Dallimi natyrisht është se mbretërit dhe mbretëreshat moderne janë monarkët kushtetues pa pushtet politik. Dhe njeriu, të cilin amerikanët e zgjedhin për ta drejtuar shtetin e tyre, do të ketë ndikim në jetët e secilit, e jo vetëm amerikanëve. Vetëm për shkak se joamerikanët nuk mund të votojnë në zgjedhjet amerikane (një dëm i madh për Obamën, i cili mbase do ta fitonte në një votim global), ne duhet të varemi nga gjykimi i 17-përqindëshit të votuesve të pavendosur që shikojnë televizor këtë muaj. E kjo gjë nuk është bash siguri ndjellëse. Mirëpo Republika Amerikane e kanë një meritë që monarkitë nuk e kanë. I mirë apo i keq, kuazimbreti mund të shqelmohet çdo katër vjet. Pastaj gara – pjesërisht ideologjike, e pjesërisht garë bukurie – mund të fillojë përsëri nga e para.
Autori është profesor i demokracisë, të drejtave njerëzore dhe gazetarisë në kolegjin Bard. Shkrimi është botuar së pari në rrjetin e gazetarisë “Project Syndicate”