Opozita e bashkisë, grushtbashkuar rreth kazinove
Kalon ligji për transferimin e kazinove në periferi të kryeqytetit. Opozita socialiste në Këshilli Bashkiak voton kundër, duke e rrëfyer besnikërinë e vet ndaj bixhozit me flakjen e kartonëve të votimit
Zhvendosja e kazinove dhe lojërave të fatit në periferi të kryeqytetit ka qenë pika e nxehtë e mbledhjes së djeshme të këshillit bashkiak të Tiranës, duke ngjallur debate mes këshilltarëve të djathtë e të majtë. Kundërshtimi i këshilltarëve të majtë, ka qenë aq i fortë e unikal, sa që dy këshilltarët Aldrin Dalipi dhe Mehmet Hasanlami, kanë tentuar ta shndërrojnë mbledhjen në një show, të tipit tepizëm, me kartonë kundër kryebashkiakut dhe mazhorancës së këshillit.
Gjithsesi, me 28 vota pro të mazhorancës, Këshilli Bashkiak i Tiranës votoi pro transferimit të lojërave të fatit dhe kazinove në një zonë në periferi të qytetit të Tiranës.
Ndërkohë, për shkak të mosmbajtjes së mbledhjes së kaluar, Këshilli Bashkiak i Tiranës nisi me debate të ashpra mes pozitës dhe opozitës.
Pas votimit të rendi i ditës me 28 vota pro rendin e ditës, kryebashkiaku Lulzim Basha prezantoi në tërësi projektvendim për një ndryshim për sistemin e taksave dhe tarifave vendore për lojërat e fatit dhe kazinotë.
Ai u ndal te njëri nga projektvendimet që është vendosja e një takse të përkohshme për lojërat e fatit për të nxitur zhvendosjen e këtij aktiviteti në Uzinën e Ndërtimit të automjeteve, ish-Uzina e Autotraktorëve në Shkozë.
Projekt vendimi i vendosjes së taksës të përkohshme për lojërat e fatit për të nxitur zhvendosjen e këtij aktiviteti në ish-Uzinën e Autotraktorëve në Shkozë ka për qëllim që të ulë plagët sociale, që ka shkaktuar pasi vetëm në një minibashki rezultojnë 10 kazino të licencuara duke tejkaluar edhe numrin e shërbimeve të tjera si furrat e bukës dhe dyqanet ushqimorë.
Sipas kryebashkiakut Lulzim Basha, lojrat e fatit janë një problem social i cili ka marrë përmasa të paprecedentë në Tiranë.
“Problemi është shtrirja e paprecedentë e lojërave të fatit në lagjet e qytetit tonë. Në vitet e fundit, në qytetin e Tiranës vetëm të licencuara përllogariten afro 10 kazino për minibashki, kjo do të thotë që numri frikshëm po i afrohet numrin të shërbimeve të tjera të qytetit, siç janë furrat e bukës, mishtoret etj,” tha Basha.
Ai tha se, “ajo që është bërë e papranueshme është përdorimi i kësaj industrie për të zënë në qark shtresa në nevojë dhe shtresat e varfra. Me qëllim që të bëjmë të vështirë për ata që paratë për ushqimin e familjes apo medikamenteve ti shpenzojnë në kazino sepse ato gjendet te shtëpia e tyre, propozojmë dy hapa: Me një taksë të veçantë të përkohshme, i cili do të vendoset për të gjitha kazinotë që shtrihen në territorin e Tiranës dhe pas 6 muajsh do të 10-fishohen nëse kazinotë nuk pranojnë të vendosen në vendet e caktuara; Përcaktimi i kësaj zone është menduar në zonën e autotraktorëve, duke qenë të hapur që ta përcaktojmë edhe zona të tjera”.
Ky projekt vendim u miratua me 28 vota të mazhorancës. pasi opozita jo vetëm nuk pranoi të votojë, por shfaqi edhe shenja nervozizmi duke goditur me karton kryesinë e këtij këshilli, duke hedhur fletët e votimit drejt podiumit ku qëndronte i ulur kryetari i bashkisë.
Kryebashkiaku Basha u bëri thirrje këshilltarëve të majtë që të mos e marrin peng këtë sallë për debat politik, pasi koha duhet shfrytëzuar vetëm në interes të qytetarëve. “Dëshironi ta merrni peng këtë sallë për debat politik. Koha duhet shfrytëzuar vetëm në interes të qytetarëve. Sot është problem shtrirja e kazinove në lagjet e qytetit tonë. Numri i kazinove frikshëm po i afrohet numrit të shërbimeve të tjera të qytetit, siç janë maketet e dyqanet e zarzavateve. Për sa kohë që ky aktivitet mbetet për zbavitje, ata janë të lirë ta bëjnë, por është e papranueshme për mua përdorimi i kësaj industrie për të zënë në çark shtresat në nevojë dhe të varfra”, tha Basha.
Ndërkohë mbledhja e Këshillit bashkiak të Tiranës, vijoi me diskutimin dhe miratimin e 14 projekt-vendimeve të tjera të rëndësishme për kryeqytetin dhe banorët e saj.