E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flluskat e gjakut të prishur

10-10-2012 / “The Economist”

Marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve fqinje, Sirisë e Turqisë, janë përkeqësuar si asnjëherë më parë. Pasi një seri mortajash të shkrepura nga Siria përfunduan në qytetin juglindor të Turqisë, Akçakale, që lanë të vrarë pesë persona më tre tetor, Qeveria turke urdhëroi forcat e veta të qëllonin caqet ushtarake të Sirisë. Bombardimi turk, që vazhdoi edhe të enjten, u raportua se kishte lënë të vrarë disa ushtarë sirianë, duke shtuar drojën se mund të ketë një përshkallëzim të përleshjeve të armatosura ndërmjet forcave të dy vendeve. Ka frikë se gjendja mund të dalë jashtë kontrolli. Turqia vazhdimisht ka ngulmuar që OKB-ja të zbatojë një tampon zonë në Siri për mbrojtje të civilëve, dhe kështu do t’i jepej një mundësi rebelëve për rrëzimin e regjimit të Bashar al-Assadit. Kjo përplasje ndërmjet fqinjëve e bën edhe më të mundshëm prospektin e një ndërhyrjeje më të gjerë. Por derisa “The Economist” po shtypej, vendet duket se ishin të gatshme t’i frynin edhe më shumë zjarrit. Pas sulmit sirian, kryeministri turk, Recep Tayyip Erdogan, i bindi gjeneralët e tij për zhvillim të negociatave urgjente, derisa Ahmet Davutoglu, ministër i tij i Jashtëm, ftoi krerët e NATO-s dhe të OKB-në që ta mbështesnin kërkesën e Turqisë për një zonë mbrojtëse në Siri. Në Akçakale, banorët duke brohoritur kanë marrë rrugët në shenjë proteste. Qyteti edhe në të kaluarën ishte shqetësuar nga plumbat që vinin nga Siria, derisa intensifikoheshin sulmet dhe përleshjet ndërmjet rebelëve dhe trupave besnike të Assadit. Pavarësisht prej sulmeve hakmarrëse të Turqisë, për të cilat shumë turq shpresojnë se ishin kryer më shumë për ta shpëtuar fytyrën, sesa hyrje në luftë, ka mbetur e paqartë nëse bombat siriane ishin shkrepur me qëllim. Disa turq madje kanë filluar të spekulojnë se bombat mund të kenë qenë një orkestrim i rebelëve të Ushtrisë Çlirimtare Siriane - të cilën Turqia e ka ndihmuar duke i siguruar baza, mbase edhe armatim dhe trajnim – për ta futur Turqinë në konflikt.
Një konfrontim ushtarak ndërmjet Turqisë dhe Sirisë është përfolur si i mundshëm qëkur Siria rrëzoi një aeroplan ushtarak turk më 22 korrik afër qytetit bregdetar sirian, Latakia. Turqia ishte kërcënuar se do të hakmerrej, duke dërguar mijëra trupa buzë kufirit dhe kishte deklaruar se do t’i rishikonte të gjitha qëndrimet dhe angazhimet diplomatike me Sirinë. Siria tani është bërë kokëçarje më e madhe e Erdoganit, me anketimet që sugjerojnë se shumica e turqve nuk janë të kënaqur me përpjekjet e pasuksesshme të Qeverisë së tij për ndërrimin e regjimit në Damask. Masakrimi i civilëve sirianë ka vazhduar pa ndëshkuar përgjegjësit. Më shumë se tetëdhjetë mijë sirianë janë strehuar në kampet e refugjatëve në Turqi. Përkrahja e Erdoganit për rebelët është komplikuar dhe ndikuar negativisht në marrëdhëniet e Turqisë me të tjerët në rajon, veçanërisht me Iranin, aleatin kryesor lokal të Sirisë. Kryeministri irakian, Nuri al-Maliki, një mysliman shiit, ia ka kthyer shpinën Erdoganit për shkak të afërsisë me rivalët sunitë. Në të njëjtën kohë, Assadi ka rikthyer mbështetjen dikurshme të babait të tij, Hafez, i cili ishte president para tij, për kurdët e Partisë Punëtore Kurde (PKK) në Turqi, duke iu dhënë kontrollin e një numri të madh të qyteteve kufitare aleatëve të PKK-së, Partisë së Unionit Demokratik. Turqia me gjasë kërkon me çdo kusht krijimin e një zone të mbrojtur nga frika e kurdëve dhe sirianëve të zënë ngushtë në konflikt.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›