E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bukuria që vjen nga Lindja

Gjithmonë e më shumë femrat po preferojnë të përdorin produktet kozmetike dhe trajtimet që e kanë origjinën nga vendet e Lindjes, kryesisht nga India. Kjo sepse janë më “të shëndetshme” për lëkurën. Kështu kanë nisur t’i anashkalojnë edhe firmat më të mëdha perëndimore, lider në këtë fushë

Mbretëresha e produkteve të bukurisë që vjen nga Lindja është kënaja që përdoret për flokët, por edhe për vizatime të trupit. Përbëhet nga bimë natyrale dhe këna, e cila nuk i prish flokët. Nuk është tamam një bojë e përbërë nga kimikate të ndryshme, por një refleks. Të gjitha nuancat janë të mundura, nga e kuqja e zjarrit e deri tek e zeza pis. Më të kërkuarat janë nuancat e së kuqes, të cilat qëndrojnë më gjatë. Një këna e mirë e mbron flokun nga faktorët mjedisorë, si dhe i jep shumë shkëlqim. Kënaja konsiderohet si një nga produktet natyrore dhe tradicionale më cilësore dhe shumë e përdorur nga femrat, jo vetëm për shkak të përmbajtjes së saj bimore. Lista vazhdon me parfumet e forta. Egjiptianët ishin të parët të cilët krijuan esenca për parfume të forta, që fillimisht u përdorën në ceremonitë mortore fetare dhe vetëm nga faraonët. Edhe për grekët kjo gjë u bë traditë. çdo pjesë e trupit, parakrahët, prapa veshit, qafa dhe pulpat e këmbëve kishin një esencë të veçantë. Në Romën e lashtë, parfumi bëhet një esencë shumë e përdorur dhe e shtrenjtë, për shkak të lëndës së parë që përdorej në të. Të tretët renditen vajrat esencialë. Mjekët më të lashtë të antikitetit e rekomandonin përdorimin e tyre. Këto vajra kanë bazën e aromatikëve modernë dhe preferohen shumë për relaksimin që të falin. çdo vaj ka efektin e tij: stimulues, çlirues, energjik, eksfoliant, lëmues. Sipas përmbajtjes së tyre me bajame, mandarinë, myshk të bardhë etj., i japin lëkurës shkëlqim dhe butësi. Esencat vajore përdoren edhe për masazhet trupore. Po ashtu edhe kajali. Ai vjen nga India, me një traditë shumë të lashtë mijëravjeçare, por është përdorur edhe nga shumë popuj afrikanë, jo vetëm nga gratë, por edhe nga burrat e fëmijët, për shkak të përbërjes natyrale dhe me shumë vitamina që ofronte. Kajali prezantohet në Europë si përbërësi i tualeteve. Nuk është përbërës i penelit apo lapsit, por përdoret në përgjithësi për pluhurat e ndryshëm. I jep pluhurit shkëlqim. Teksa sheh këtë renditje, të bën të mendosh se bukuria është diçka që vjen nga larg, shumë larg. Moda perëndimore po anashkalohet kur bëhet fjalë për relaks dhe vendin e saj po e zënë ritualet etnike, produktet për mendjen dhe fizikun nga Lindja. Një tendencë, një modë dhe një biznes i madh. Nga India janë huazuar masazhet dhe trajtimet e lëkurës; nga Japonia janë huazuar produktet e tualetit, si dhe kurat që përdoren për trupin në kërkim të harmonisë; nga Lindja e Mesme është huazuar relaksimi që të ofron banja turke, që sot njihet si hamam; ndërsa nga Afrika perceptimi viziv, ndjeshmëria dhe nuhatja. Dhe më pas një përzierje e një ndjesi personale që të falin të gjithë përbërësit dhe sugjerimet që vijnë nga larg, duke rritur në këtë mënyrë financiarisht kostot e këtyre produkteve që të bëjnë të ëndërrosh. Shehrezade thoshte shpesh se “një vend nuk është i kompletuar në qoftë se nuk ka një hamam”. Sot banjat turke po përdoren gjithmonë e më shumë në të gjitha qendrat estetike. Ato u bëjnë përshtatje qendrave të tyre të bukurisë, duke filluar nga parfumet e vajrat orientalë e deri te muzika relaksuese, po orientale. Shumë gra dhe zonjusha nuk ngurrojnë t‘i blejnë këto produkte të shtrenjta. Zakonisht banjat turke bëhen pasdreke, ku trupi ka nevojë për një relaksim të përgjithshëm pas një dite të lodhshme pune. Sipas këtyre qendrave, kërkesa për produkte që vijnë nga Lindja po rritet gjithmonë e më shumë. Ky "bum kërkesash kozmetike" lidhet me produktet me përbërje natyrale dhe trajtimet e veçanta që ofrojnë këto të fundit, duke të falur eliksirin e përjetshëm. Produktet e bukurisë orientale shiten e blihen në supermarkete dhe magazina, duke i dalluar nga përbërësit natyralë, si dhe nga çmimi. Me përbërjen e tyre ato relaksojnë trupin dhe mendjen, duke të dhuruar rigjenerim të plotë, të njëjtin efekt që të dhuron edhe hamami. Linjat quhen: "Tesori d‘Orienti", "Indians The", apo "Macassar". Këto trajtime kanë bërë që mjekësia e përgjithshme t‘i përdorë ato në recetat mjekësore. Këto produkte duhet të përdoren sa më tepër nga gratë shtatzëna, sidomos vaji oriental, i cili eviton çarjet e thella të lëkurës. Maskat e bukurisë me bazë orizi të bardhë japonez, si dhe argjili i ardhur nga Maroku, tatuazhet me këna që janë të pëlqyera nga shumë të reja, parfumet me esenca sandali dhe jasemini, sapunët me bazë 100 për qind bimore dhe shampot e trupit apo xhelërat, sjellin një frymë orientale, të cilat janë mrekullibërëse dhe largojnë stresin e jetës sonë metropolitane. Edhe masazhet janë një arratisje nga masa e civilitetit tonë klaustrofobik, të cilat mund të jenë havajane, tajlandeze, shiatsu, tuina, niagara, taoiste, hara apo tai-hang. Tashmë çdo gjë e ka marrë këtë tendencë të re. Por si t‘i përgjigjemi estetistes kur ajo të pyet nëse lëkura jote është "Vata", "Kapha" ose "Pitta"? Je "Vata" nëse lëkura jote është e thatë dhe e pahidratuar, je "Pitta" nëse lëkura jote ka akne dhe je "Kapha" nëse lëkura jote është e yndyrshme dhe me pore të hapura. 
Por shumë kompani të mëdha perëndimore janë kundër kësaj tendence. "Nuk i kuptoj femrat, pse kanë këtë tendencë që të zgjedhin produktet orientale. Unë e shoh shumë jetëshkurtër këtë biznes. Pse duhet të importojmë kultura dhe praktika nga Lindja, kur sot firmat më të mëdha europiane mund të ofrojnë gjithçka që kërkon”, shprehet një drejtues i “L’Oreal”. 
Megjithatë, realiteti nuk tregon të njëjtën gjë. Masazhet dhe produktet orientale janë kthyer në kërkesat më të fundit të salloneve europianë të bukurisë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›