E Shtunë, 31 Tetor 2026

Temperaturat e larta, rritet numri i të sëmurëve

Kukës

Rritet numri i personave që u drejtohen mjekëve të familjes dhe shërbimit të urgjencës së spitalit civil. Shkak për këtë janë temperaturat e larta të muajit korrik në vend. Temperatura mesatare e javës së fundit luhatet nga 34 deri në 36 gradë, por dita e premte dhe e shtunë kanë arritur deri në 39 gradë Celsius. Mospërballimi i rrezeve të nxehta të diellit ka krijuar shqetësime sidomos te personat që vuajnë nga hipertensioni, por edhe te fëmijët e moshat e treta. Mjekët roje tregojnë se gjatë tre ditëve të fundit është trefishuar numri i personave që kërkojnë ndihmën e parë pranë institucioneve shëndetësore. Pjesa më e madhe e atyre që janë paraqitur në urgjencë janë kryesisht fëmijë, të moshuar dhe banorë të fshatrave. “Zakonisht kemi pasur 30 vizita në ditë, por aktualisht numri është rritur, duke shënuar një shifër prej 90 vizitash”, tha një mjek pediatër. Sipas tij, simptomat më shqetësuese janë luhatjet e tensionit, dhe dhimbjet e kokës e barkut. Pjesa më e madhe e pacientëve paraqiten në këto pavijone për të marrë ndihmë e parë shoqëruar me recetat për ilaçe dhe rekomandimet specifike. Drejtues të spitalit civil, si dhe ata të shërbimit parësor, thonë se për stinën e nxehtë të verës janë marrë masat e duhura, ku përfshihet furnizimi me medikamentet bazë, por edhe ndërgjegjësimi i popullatës për të mos qëndruar për një kohë të gjatë në diell. Dy vjet më parë, në qytetin e Kukësit temperaturat e larta kanë shkaktuar edhe viktima.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›