E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bukuritë e paqena të atdheut

11-03-2012 / Nga Qemal Sakajeva

Nuk përbën ndonjë çudi që, Lonely Planet apo televizioni CNN, si dhe të ngjashmit e tyre, u zbulojnë të huajve Shqipërinë e panjohur turistike. Prapësi e praptë qe se, bukuritë e Shqipërisë patën mbetur të panjohura edhe për shtetasit e saj. Nëse kolektivizimi i plotë e ktheu pronën në pasuri të askujt,  e denjë për thënien “malli i shtetit është si ujët e detit, kush nuk merr është derr”, në bukuri të kurrkujt qenë shndërruar edhe viset turistike të vendit. Madje, fjala turizëm as që përdorej - sepse nuk kishte turizëm të njëmendtë, përveç disa  ndërtesave që thirreshin gojarisht hotele turizmi dhe një apo dy autobusëve të hotel “Dajti”, me emrin “Albturist”. Kjo fjalë pati marrë edhe një ngarkesë qortuese a shpotitëse ndaj dikujt nga dikush, duke e spikatur për keq, “ç’më rri ashtu si turist!”. Do të ishte  interesante një statistikë e thjeshtë, për t’u ditur kahja: Shqipëria, ka pasur më shumë burgje dhe kampe internimi a shtëpi pushimi, edhe ato me fare pak shtretër, përjashto kabinat me dhoga e gjysmë të kalbura të Durrësit, plazhi i të cilit fillonte te “Apolonia” dhe mbaronte te “Iliria”, ngjitur me Bllokun veror të udhëheqjes në bregdet? Zona e Shkëmbit të Kavajës, përshembull, njihej nga kënga e Fitnete Rexhës, për bubullimat e një historie trimërie kushedi se kur atje, nga tunelet bunker që prisnin për luftën nga deti, dhe pak plazhistë kokëkrisur nëpër pishnajë, me bukë me vete në trastë.
Po të ndjekësh publikimet e  gazetave dhe transmetimet e televizioneve, në përpjekje të zbulimit e të njohjes së Shqipërisë turistike, të bie në sy e të mbetet në mendje, tek flitet për vende të bukura si të rëna prej qiellit së voni, apo të ngelura jashtë vëmendjes së shqiptarëve, nga balada e varfërisë, “të sigurojmë bukën në vend”. Shqipëria vërtetë është “një pëllëmbë shtet”, por ndërthurja e pazakontë e pasurive të saj mbitokësore, detare, liqenore, lumore, kënetore, malore, kodrinore e pyjore, ia disafishon përmasën, siç përshembull, sipërfaqja hidrike e saj, nga terreni i rrudhur në formë malesh të lartë e kodrash të shumta, shkon në rreth 54 mijë kilometra katrorë, nga 28 mijë kilometra katrorë që është  sipërfaqja e territorit shtetëror.
Ky zbulim i Shqipërisë turistike, që po përshkruhet sikur, “e paskemi pasur, e se kemi ditur!”, ka dy arsye që e shpjegojnë, pse kanë qenë të panjohura, dhe si po i gjejmë ku janë. Ka ndodhur ngjashëm si dikur, me fshatarët tanë, në pak metra katror përpara derës së shtëpisë, ata mbillnin ca rrënjë domate, speca a presh, por jo lule; shtëpitë e bukura të sotme, kanë përpara tyre lëndinëza bari që kositet rrafsh si qilim dhe plot lule. Popujt që mbjellin e përdorin shumë lule, janë popuj të nginjur. Ne ishin një popull që vriste mendjen vetëm për kafshatën e gojës. Kësisoj kishte ndodhur edhe me  bukuritë e vendit: shqiptarëve nuk u hynin në sy bukuritë e atdheut apo të fusnin dorën në xhep për të  shëtitur viset ku gjendeshin ato. Vramendja e tyre qe përballimi i jetës së përditshme të vështirë. Një shkak  tjetër madhor i mosdijes çfarë atdheu kishte të bukur, qe kufizimi i dyfishtë i lirisë së lëvizjes: shumë syresh gjendeshin në vise të largëta dhe zona kufitare, ku  nuk mund të shkohej pa lejen e degës së punëve të brendshme, pasi të shpjegohej mirë e mirë e të verifikohej përse kërkohej të shkohej atje, domethënë të krijohej bindja se nuk kishte qëllime arratisjeje. Por, edhe vendet e bukura në brendësi të vendit, nuk mund të mbërriheshin, pasi për të shkuar atje duheshin para, rrugët qenë për dreq, mjete e udhëtimit të pakta e hiç,  dhe, ja edhe shkove, po ku të kaloje natën? Të shkoje te Shtatë  Liqenjtë e Lurës, Voskopojë, Tomorr, Kepi i Rodonit, Qafë-Shtamë, Bukanik, Valbonë, Breg Lumi, Vermosh, Llogara, Jal, Butrint, Kanionet e Skraparit dhe të Gramshit, Dajlan të Karavastasë, Korab, Frashër, Syri i Kaltër, etj. etj., nuk qe një ndërmarrje e lehtë. Ato janë përballuar vetëm nga ata pak alpinistë që mbështeteshin në mënyrë të varfër; nga ca gazetarë që shkonin me shërbime aventurë e dieta të pakta; tetëmbëdhjetëvjeçarë që thirreshin ushtarë e çoheshin në pika ushtarake të degdisura, të cilëve bukuritë as që u hynin në sy ashtu të vetmuar; barinjtë kur dilnin verës për t’i veruar bagëtitë e kooperativës, me sakrifica që kurrkush nuk ua dinte; ndonjë gjeograf guximtar; dhe aq pak pushues, me një fletë kampi që merrej më shumë me njohje se sa nga pasja.
Shqipëria turistike, që ka qenë këtu jetë e mot, madje edhe më e virgjër sesa tani, pasi nuk kishte ndotje neveritëse qesesh e shishesh plastike për shkak të pazhvillimit, ka disa arsye madhore të zbulimit të saj. Mbi të gjitha është liria dhe ekonomia e tregut. Këto dy kushte u krijuan me dhënien fund të mbylljes së popullit në shtetin-klon, dhe zhbërjes së “kloneve” brenda për brenda shtetit-klon. Por, edhe pse këto të dyja ishin kushti numër një, turizmi shqiptar nuk u zhvillua, bukuritë e vendit mbetën atje, në pritje të ndikimit për mirë të  faktorëve të tjerë: zhvillimit të transportit vetjak dhe  ndërtimit të infrastrukturës hoteliere. Por kurora e bumit turistik shqiptar dhe klasifikimit nga Lonely Planet të Shqipërisë në 10 vendet kryesore turistike të botës, gjatë vitit 2011, ardhjes këtu të 4 milionë turistëve, janë rrugët. Po, rrugët dhe rrugët! Të gjithë faktorët e tjerë, janë domosdoshmëri për një turizëm masiv e cilësor, por suksesi i menjëhershëm turistik në këto katër - pesë vite është puna madhështore për ndërtimin e infrastrukturës rrugore bashkëkohore. Le ta pranojmë: te Shqipëria turistike na çuan rrugët, që u ndërtuan për të shkuar te detet, luginat, malet, liqenet, lumenjtë. Revolucioni turistik në Shqipëri u krye nga sistemi rrugor, ndërsa  revolucioni i turizmit cilësor,  do të kryhet në vazhdim nga të gjithë faktorët e tjerë së bashku, të cilët ende qëndrojnë nën nivelin e cilësisë së  rrugëve. Rrugët bënë atë që ndodh kur përurohet një shtatore e bukur: ne  mund të kundrojmë veprën e artit, vetëm pasi tërhiqet pëlhura të bjerë poshtë,  e para syve të të pranishmëve shfaqet pamja e fshehur. Rrugët e bukura janë ato që nxorën në pah thesaret turistike të atdheut, të cilat aty ishin, por qenë aq larg shqiptarëve, thua se ata nuk i kishin.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›